E Shtunë, 31 Tetor 2026

Editorial / Lejet e ndërtimit monopol i mafies së ndërtimit Rama-Berisha

Demokratët pas katër vitesh i rikthehen premtimeve elektorale të vitit 2005. Një nga problemet kruçiale të qytetarëve të Tiranës dhe të vetë kryeqytetit ka qenë Plani Rregullues, Plan i cili edhe sot e kësaj dite është vetëm një skicë ide e studiove personale të Edi Ramës. Kryebashkiaku-kryesocialist megjithëse ka pasur plot tetë vjet në dispozicion për të realizuar për kryeqytetin këtë plan, nuk ka qenë në gjendje të dorëzojë këtë projekt para qytetarëve. Tashmë kryeqyteti i Shqipërisë vazhdon të ngelet peng i studimeve pjesore të cilat kalojnë nga KRRT e drejtuar nga Edi Rama dhe lobi i tij mafioz i lejeve të ndërtimit. KRRT e Tiranës mblidhet sa herë ka nevojë Edi Rama për të dhënë leje ndërtimi për miqtë dhe sekserët e tij, por jo për të zgjidhur hallet e qytetarëve të kryeqytetit. Kush do të bëjë një shtesë, një shtëpi me leje, një pallat apo qoftë dhe një rikonstruksion për të zgjidhur problemet e strehimit, nuk ka shans të miratojë leje ndërtimi nga KRRT. Kjo KRRT mblidhet vetëm për interesat e ngushta të Edi Ramës dhe krimit ekonomik që e rrethon. Tashmë Tirana zgjerohet mbi studimet pjesore, por jo mbi një Plan të detajuar i cili do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemet jetike të qytetarëve. Zhurma e këtyre ditëve nga demokratët është vetëm pjesë e fushatës elektorale që sapo ka nisur dhe po përdoret për kredo politike nga Sali Berisha dhe luftëtarët e tij politikë. Plani rregullues i Tiranës duhet të ishte bërë dhe kontrolluar nga qeveria e cila ka pushtetin ekzekutiv dhe mazhorancën parlamentare, por vetë kjo mazhorancë ka qenë e integruar në lojërat mafioze të Edi Ramës. Në të gjitha lejet e ndërtimit dhe bizneset e Bashkisë së Tiranës marrin pjesë edhe miqtë e ngushtë të Berishës të cilët përfitojnë nga  bashkëpunimi kryeministër-kryebashkiak.  Nëse ditën e djeshme mazhoranca kërkoi anullimin e Planit Francez, kjo duket qartazi që është një mashtrim i ri nga demokratët. Mazhoranca e pati kohën e plotë të anullonte planin francez nëpërmjet një vendimi të thjeshtë të KRRTRSH, por asnjëherë nuk e pati këtë dëshirë, pasi siç e thamë edhe më sipër ky plan përfshinte miqtë e Sali Berishës. vetëm një shembull mund të japim, në ndërtimin që po bëhet para selisë së PD po ndërtohen dy pallate me lejen e shfrytëzimit 95 përqind. Në këto ndërtime është i përfshirë edhe Blendi Fevziu, zëdhënësi dhe miku i ngushtë i Sali Berishës. a mundet Sali Berisha të mos të lejojë Blendin të ndërtojë? A mundet Sali Berisha mos të lejojë të ndërtojë dhëndrin e tij te Klubi Sportiv Partizani? Amundet Sali Berisha të pengojë Biccokun, Olldashin dhe miqtë e tyre?  Në të vërtetë e gjitha kjo është një farsë.  Plani Francez, Plani Rregullues janë plane që janë hartuar për të mbajtur në këmbë mafien e re politike që udhëhiqet nga Sali Berisha dhe Edi Rama. Përsa kohë këta njerëz do bëjnë lojëra elektorale dhe do të tallen me shqiptarët asnjëherë nuk do të zgjidhen problemet e tyre. Plani Francez, Plani Rregullues apo dhe studimet pjesore që organizohen nga KRRT mafioze Rama-Berisha asnjëherë nuk do të zgjidhin problemet reale të kryeqytetit shqiptar. Tashmë në Shqipëri është krijuar një oktapod që për fatin e keq të shqiptarëve nuk pati mundësi ta luftojë as Silva Konti, Ina Rama e cila shumë thjeshtë mund ti konvertohet mbiemrin në Ina Rama Topi Berisha, pasi është kthyer pjesë e lojës së mafies politike shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›