PD: Kodheli, tellall i Ramës me qëndrim brutal ndaj grave
Partia Demokratike ka hedhur poshtë akuzat e PS, ndaj Jozefina Topallit, për shfrytëzimin e nxënësve të shkollave. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD, e cilëson këtë deklaratë si sulmin e radhës nga zëdhënësja e Ramës.
Të vjen me të vërtetë keq, është e dhimbshme kur sheh këtë zonjë sesi detyrohet nga Rama të përsërisë shpifjet dhe trillimet e tij. Vetëm pak ditë më parë Rama e nxori për trillimin e radhës Kodhelin që ndërron emrin çdo dekadë, kundër Topallit për Centralin Bërthamor në Shkodër të trilluar e shpikur nga vetë ai, ndërsa dje ajo sulmon takimin në Krujë, ka theksuar Mëhilli. Gjatë deklaratës së saj, ajo ka veçuar faktin se kryetarja e Parlamentit dhe Nënkryetarja e PD- së, Jozefina Topalli ka ndërmarrë 2 vitet e fundit turin më të madh të takimeve me gratë, për të diskutuar problematikën e tyre si dhe rrolin e tyre në shoqëri. Sipas saj, ky tur sa i domosdoshëm njerëzor dhe emancipues ka bërë që të mbushen me vajza dhe gra të të gjitha bindjeve stadiumet dhe sheshe qytetesh. Në vend që si grua të përshëndesësh këtë tur, Kodheli bëhet tellall i një njeriu, qëndrimet brutale të të cilit ndaj grave i njeh tashmë e gjithë Shqipëria, veçon Mëhilli. Gjithashtu, ajo thekson se kryetarja e Parlamentit dhe nënkryetarja e PD- së, Jozefina Topalli nën moton e saj se burrat mund të jenë të majtë e të djathtë ndërsa gratë janë vetëm demokrat, fton Kodhelin që edhe ajo të marrë pjesë në këto takime.