E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen për një koncert në Tiranë instrumentistët virtuozë të liceut “Jordan Misja”

 

Dikur virtuozë të vegjël, ndërsa sot instrumentistë të suksesshëm në skenat evropiane. Në datën 20 janar, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të zhvillohet një mbrëmje koncertore e veçantë me Orkestrën e Harqeve “Virtuozët e Tiranës”. Në program janë parashikuar vepra nga Rossini, Çajkovski, Kreisler, Zadeja e Zoraqi, të cilat do të dirigjohen nga maestro Zhani Ciko. Instrumentistët e vegjël, dikur nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”, falë aftësive artistike të veçanta, shkollimit dhe profesorit të tyre Ciko, ishin të parët që kapërcyen kufijtë kulturore dhe artistike, duke mahnitur me interpretimin virtuoz skenat, festivalet dhe konkurset evropiane. Ishte kjo orkestër e vogël, që do t’u hapte atyre porta të mëdha në karrierën e tyre muzikore. Tashmë të rritur, kthehen në Tiranë, për t’u mbledhur edhe një herë si dikur, në një mbrëmje koncertore. Ata sot janë solistë, koncert maestër dhe pjesëtarë të orkestrave prestigjioze në Milano, Paris, Vjenë, Indianapolis, Mynih, Salzburg, Tiranë, etj. Mjafton të përmendim teatrin “La Scala” të Milanos, Julliard, Wiener Filarmoniker, Salzburg Chamber, etj. Disa prej këtyre instrumentistëve janë: Ariola Garo, Suela Mullaj, Klajdi Sahatçi, Albana Laçi, Oreada Çelo – Steude, Eva Bardhi, Margret Çeku, Markeljan Koçibelli, Gert Kumi, Elda Laro. Orkestra e virtuozëve u krijua 20 vjet më parë, me instrumentistë 12-16-vjeçarë. Suksesi i tyre ishte i padiskutueshëm në të gjitha turnetë dhe aktivitetet ndërkombëtare ku morën pjesë. Kanë fituar shumë trofe ndër të cilët dhe të Festivalit Evropian të Muzikës. Me koncertin e virtuozëve hapet në TKOB stina artistike 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›