Edmond Kapllani në “festën” e golave
Edmond Kapllani e nis vitin 2009 me dy gola, edhe pse këto janë në një ndeshje miqësore, pikërisht në atë të fituar 3-1 kundër Fortuna Duseldorf të Bundesligës 3 gjermane, të zhvilluar në Turqi. Në fakt, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte pjesë e formacionit të dytë të hedhur nga trajneri Edmund Beker në fraksionin e dytë të ndeshjes, por durrsaku ia shpërbleu me një gol të bukur me kokë. Të katër golat u shënuan pikërisht në pjesën e dytë, pasi në të parën sulmuesi australian, Kenedi, dëshmoi se ishte totalisht jashtë forme. Kënaqësia ishte e madhe për trajnerin Beker, pasi ishte Kapllani ai që realizoi golin e barazimit, pasi Fortuna realizoi e para në minutën e 50-të. Në minutën e 55-të, Aleksandër Iashvili humbi një 11-metërsh të pritur nga portieri i Fortunës, Mikael Ratajczak. Gjashtë minuta më pas, në të 62’, Edmond Kapllani realizoi supergolin e tij, kur shënoi me kokë pas një goditjeje këndi, duke e lënë të befasuar portierin kundërshtar. Në minutën e 75-të ishte sërish shqiptari që shënoi po me kokë golin e dytë pas një harkimi të Iashvilit, duke i çuar shifrat 2-1. Kristian Tim e çoi rezultatin në 3-1 në minutën e 84-t, ndërkohë që Kapllani në fund të takimit pati një shans të madh për t’i çuar shifrat në 4-1, kur goditi në mënyrë të mrekullueshme me kokë një top të harkuar nga Tim. Trajneri Edmund Beker nuk u kursye në lëvdatat për sulmuesin shqiptar, duke veçuar faktin se nëse mbrojtja bëri shumë gabime, sulmi në pjesën e dytë me Kapllanin e Tim ishte thuajse perfekt, teksa në pjesën e parë Frajs e Kenedi nuk lanë asnjë gjurmë.
14 Janar 2009