E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhihani: “Te Zoria ndihem mbret”



Askush më mirë se ai nuk e ka mbyllur kaq pozitivisht vitin 2008. Parid Xhihani, sulmuesi shqiptar i Zoria Lugansk, ka shënuar 7 gola për skuadrën e tij në sezonin e parë në kampionatin ukrainas. Tani ai ndihet mbret në radhët e Zorias dhe një futbollist i shumëkërkuar nga disa klube ukrainase dhe ruse. “Ndihem mjaft mirë. Aventura ime në kampionatin ukrainas është shumë e suksesshme dhe kështu dua të vazhdoj deri në fund”. Por një nga dëshirat e tij më të mëdha mbetet të veshë fanellën kuqezezë: “Dua të jem pjesë e Kombëtares shqiptare. Gjithnjë kam ëndërruar të luaj për ngjyrat e kombit tim, edhe pse kam luajtur shumë ndeshje me skuadrën Shpresa. I mbetet në dorë trajnerit Ari Han të vendosë për një gjë të tillë dhe unë e pres një ftesë nga ai”.

Luani sezonin e parë në Ukrainë. Shtatë gola për Zorian dhe i treti në klasifikimin e golashënuesve të futbollit Ukrainas. Çdo të thotë kjo për ju?
Është një kënaqësi e madhe. Më shumë se shifra e golave, ajo që më kënaq është ndihma që i kam dhënë skuadrës për të marrë pikë të rëndësishme. Nuk e kisha menduar një paraqitje të tillë, pasi ambientimi në një kampionat të huaj nuk është i lehtë për asnjë futbollist.

Si ju shohin në skuadër apo në ambientin ku ju jetoni?
Më shohin si një mbret. Ndihem i vlerësuar dhe i respektuar për atë që kam dhënë për Zorian. Besoj se kështu do të vazhdoj derisa të jem pjesë e saj.

Ka nisur merkatoja. Ku e shikoni veten në fazën e dytë?
Besoj se do të vazhdoj të jem pjesë e skuadrës time deri në fund. Kam pasur disa oferta nga klube të ndryshme, por do të doja të tregoja vlerat e mia me Zorian dhe në verë mendoj të largohem në një klub edhe më të madh.

Ka zëra se Metalurg Zaporozhnje, Dnipro dhe rusët e Spartak Nalçik janë të interesuar seriozisht për shërbimet e tua. Sa e vërtetë është kjo?
Është e vërtetë, por siç e thashë edhe më lart, nuk besoj se do të lëviz. Ndihem shumë mirë te Zoria dhe nuk do të ishte në të mirën time të lëvizja kaq shpejt nga kjo skuadër.

Sa do të zgjasin pushimet tuaja në Shqipëri?
Nuk do të qëndroj gjatë këtu. Në datën 6 janar do të udhëtoj drejt Ukrainës për të bërë gati valixhet dhe pas dy ditësh do të nisem drejt Turqisë, për të vazhduar për dy javë fazën përgatitore.

Jeni një nga futbollistët më të përfolur për të qenë pjesë e Kombëtares. E prisni një ftesë nga trajneri Ari Han?
Sigurisht që e pres. Është një nga dëshirat e mia më të mëdha të vesh fanellën kuqezezë dhe të mbroj ngjyrat e kombit tim. Jam i sigurt se me paraqitjet e mia një ditë do të jem në planet e trajnerit Han. Do të ishte një nder i madh për mua.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›