E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali i Dramës Shqipe në Kosovë rrezikon dështimin



“Vetëm një ditë pas hapjes zyrtare të manifestimit kulturor ‘Flaka e janarit 2009’, nga zyrtarë komunalë të Gjilanit është paralajmëruar mundësia e mosmbajtjes së Festivalit të Dramës Shqipe ‘Talia e Flakës’, që është një ndër katër shtyllat kryesore të këtij manifestimi, i cili bëhet për nder të dëshmorëve të kombit dhe mbahet për të tetëmbëdhjetën herë me radhë”. Kështu shprehet në ueb-sajtin e saj agjencia e lajmeve “Kosovapress”, e cila sqaron më tej se Ministria e Kulturës në Kosovë këtë vit nuk ka dhënë asnjë qindarkë për këtë pjesë të manifestimit, gjë që e kishte bërë vitet paraardhëse. Drejtoresha e re e Teatrit, e cila është përgjegjëse për këtë pjesë të manifestimit të “Flakës...”, ka bërë të ditur se në mungesë të mjeteve dhe për shkak se nuk janë bërë përgatitjet e duhura “Flakës...” së sivjetme do t’i mungojë ky festival. Ndërkaq, ka reaguar edhe ish-drejtori i Teatrit të Gjilanit, Jahi Jahiu, i cili shprehet: “Anulimi i një festivali të tillë është përpjekje për të anuluar një traditë gati 20-vjeçare dhe çfarëdo tentimi për ndonjë traditë të re, do të jetë e gjykuar të dështojë që në fillimin e saj”. Pra shtylla e katërt e manifestimit, që përbëhet nga arti pamor, letrar, muzikor dhe ai dramatik, sipas të gjitha gjasave, nëse nuk do të kemi zhvillime të reja, do të mungojë.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›