E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlera të reja shqiptare në revistat rumune



Nga Bukureshti, Baki YMERI

Pavarësisht vështirësive të ndryshme që dihen sot për sot në tregun e librit, e sidomos atë të Europës Juglindore, botimet dhe emrat e artistëve shqiptarë në Rumani nuk mungojnë të shfaqen, madje, duke qenë tepër aktivë dhe duke sjellë vlera.

Por le të japim më mirë një pasqyrë të gjithë asaj çka ndodh kohët e fundit në Rumani me botimet e ndryshme të autorëve shqiptarë, arumunë apo shqiptaro-rumunë: Numri i parë (janar 2009) i revistës letrare “Malli ndaj mallit” (Dor de Dor), që del nën udhëheqjen e poetit Marin Toma, prezanton në dy faqe Vitore Stefa Lekën me poezi dhe ballinën e ditarit të Besa Salihut nga Kosova (Ndëshkime hyjnore), me fotografinë e saj.

Në numrin jubilar (20.21.2008) të revistës për kulturë, “Meandre”, e cila del në qytezën Aleksandria të Teleormanit, tribunë prej 100 faqesh e drejtuar nga publicisti Stan V. Cristea (kryeredaktor), eseisti i mirënjohur Mihai Antonescu prezanton në një faqe recensionin “Për vetminë e shirave” (Despre singuratatea ploilor), kushtuar librit më të ri të Sali Bashotës në gjuhën rumune “Shiu pa Ty” (Ploaia fãrã Tine).

Numri 11/2008 i revistës “Revista noua”, që del në qytetin Këmpina (Cãmpina, kryeredaktor Florin Dochia), i kushton tri faqe vlerave shqiptare të Kosovës në gjuhën rumune. Përmes recensionit “Çerdhe dashurie mbi turrë dhe flakë” (Cuib de iubire pe rug si flacara), Mihai Antonescu prezanton antologjinë e tretë të poezisë kosovare në gjuhën rumune, “Vullkani i durimit” (Vulcanula rãbdãrii), si dhe poezinë e Sali Bashotës, e cila ka bërë bujë në mediat rumune, përmes botimit të 27 recensioneve të favorshme (2004-2009).

Në faqet e kësaj reviste prezantohet me poezi dhe një medaljon eseistik, poeti kosovar me banim në Zvicër, Brahim Avdyli (fq.21), si dhe poetesha Radije Hoxha me vjershat “Jam burrë apo grua”, “Në liqenin e Ohrit”, “Në tavernë”, “Sa vështirë!”, “Ti më do” (fq.22).

Në kontekst të prezantimit të vlerave shqiptare në botën e huaj vlen të potencohet edhe simotra e Shqiptarit të Bukureshtit, revista “Dituria” e QKSH-së “Migjeni”, që del në Boras të Suedisë (kryeredaktor Sokol Demaku), me bashkëpunëtorë të zellshëm si Bahtir Latifi, Rrahman Jashari, Lena Liden, Hakif Jashari, Arsim Daka; me informacione për programet në gjuhën shqipe të Radio Jehonës, me artikuj për bibliotekat nordike në Skandinavi, 100-vjetorin e Kongresit të Alfabetit Shqip, poezi brilante të Xhevahire Izmakut, Hamit Gurgurit, Puntorie Zibës, Emine Hotit, Nehat Jahiut, me vargje të nxënësve shqiptarë në shkollat e Suedisë, me artikuj për Ditën e Flamurit, festat e fundvitit, gjuhën amtare në diasporë etj.

Gjatë këtij muaji pason të dalë në Bukuresht numri i parë (i këtij viti) i revistës “Shqiptari”, periodik i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, dedikuar martirit të shkronjave shqipe, patriotit erudit Ilia Dilo Sheperit dhe pasardhësve të tij.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›