E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largimi i brazilianëve gëzon të rinjtë e Partizanit

Sipas trajnerit Duro, si me, por edhe pa brazilianët, ekipi nuk ka ku të shkojë më keq se kaq

Prej dy ditësh, të kuqtë nën drejtimin e stafit trajnues kanë vijuar përgatitjet për ndeshjen e radhës, ku Partizani do të jetë mysafir në Kavajë. Gjatë këtyre seancave në fushën stërvitore flitet vetëm shqip, pasi tre brazilanët, Roma, Bruno dhe Kastelani, janë konsideruar të pavlefshëm dhe i kanë nxjerrë jashtë planeve të skuadrës. Largimi i treshes braziliane nuk ka lënë asnjë shenjë keqardhjeje në kampin e kuq, pasi kontributi i tyre ka qenë mjaft i dobët. Madje duhet thënë se largimi i brazilianëve ka sjellë buzëqeshjen te disa lojtarë të Partizanit, pasi ata nuk kishin asgjë më shumë. Disa futbollistëve të kuq, kryesisht ata me moshë të re, u është hapur drita jeshile për të treguar se sa vlejnë. Me ikjen e Romës, Brunos dhe Kastelanit, mund të përfitojë rreth gjashtë lojtarë të tjerë të Partizanit, pasi automatikisht hapen tri vende në formacionin bazë dhe tri të tjera në 18-shen, që grumbullohet para ndeshjeve. Duke ditur se deri në janar nuk mund të ndërhyhet në organikën e kuqe, futbollistët e rinj kanë rastin më të mirë që gjatë kësaj kohe të shpalosin cilësitë e tyre. Të gjithë janë të gatshëm të japin maksimumin për skuadrën, pasi ata janë të ndërgjegjshëm se Partizani nuk e meriton pozicionin që mban. Edhe gjatë ditës së djeshme trajneri Shpëtim Duro dukej edhe më i vendosur në vendimin që mori për largimin e tre lojtarëve brazilianë. Prandaj, shpreson se të rinjtë që do të luajën në vend të tyre ta shfrytëzojnë rastin dhe të japin më të mirën e mundshme. "Nuk jam pishman pse u larguan brazilianët nga Partizani, pasi isha organizatori i kësaj ideje. Nuk është e thënë se unë i pashë ata në një takim, pasi ecurinë e tyre dhe të skuadrës i kam ndjekur që nga fillimi i kampionatit. Gjithashtu, edhe opinioni është i bindur se ata nuk dhanë asgjë për skuadrën dhe nuk e përligjën investimin financiar që presidenti kishte kryer për afrimin e tyre. Me sa di, presidenti ka qenë korrekt me ata, por kur investimi është i madh edhe pesha që ata duhet të mbajnë duhet të jetë e tillë. E vërteta është se ata në asnjë moment nuk e justifikuan besimin dhe investimin e kryer. Normalisht, brazilianët u larguan me dëshirën tonë, por skuadra ka elementë të rinj, të cilët sigurisht nuk e përballojnë dot peshën e aktivitetit. Megjithatë, më mirë të luajnë këta, sesa ata për të cilët investohet shumë dhe rendimenti i tyre është i dobët. Si me, por edhe pa brazilianët, Partizani më keq se kaq nuk ka ku të shkojë,"- u shpreh dje trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro. Statistikat e këtyre nëntë javëve të para tregojnë se Partizani ka qenë më rezultativ kur nuk kanë luajtur brazilianët. Në dy javët e para, Partizani ka qenë i gjithi shqiptar dhe ka grumbulluar tri pikë, ndërsa në shtatë javët e mëpasme, ku brazilanët kanë qenë të pranishëm skuadar ka marrë vetëm dy pikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›