E Diel, 1 Nëntor 2026

Edmond Liçaj,trajner i ri i vlonjatëve

 

Edmond Liçaj do të jetë trajneri i ri i skuadrës së Flamurtarit. Pas pranimit të dorëheqjes së kroatit, Sllavko Kovaçiç, presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka emëruar edhe trajnerin e ri të kuqezinjve të Vlorës. Edmond Liçaj ka qenë trajneri i kombëtares U-17 dhe U-19, ndërkohë që së fundi në klubin vlonjat ka mbajtur edhe rolin e drejtorit teknik. Gjatë prezantimit të tij në krye të stolit vlonjat, presidenti Shpëtim Gjika u shpreh: "Liçaj e njeh më mirë se askush skuadrën e Flamurtarit, pasi ka qenë pranë saj gjatë gjithë kohës. Meqë Kovaçiç dha dorëheqjen, menduam që t'ia besojmë Liçajt vazhdimin e punës. Kam besim se ai do të arrijë të gjejë ekuilibrat e duhur në skuadër dhe do t'u kthehet rezultateve pozitive". Ndërkaq, trajneri i sapoemëruar i Flamurtarit, Edmond Liçaj, duke falënderuar Gjikën për besimin, ka deklaruar për mediat: "Në konceptin tim, kjo nuk është thjesht një punë, që i është gjetur një njeriu, si shpërblim për kontributin që ai ka dhënë në kaluarën për skuadrën. Përkundrazi, është një detyrë, përmes së cilës duhet t'i shërbehet sa më mirë skuadrës, duke vëzhguar, analizuar dhe duke u konsultuar me stafin teknik, për të bëre diçka të mirë për Flamurtarin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›