Largimi i 3 brazilianëve sjell revolucionin e kuq
Divorci befasues me brazilianët ndryshon tërësisht projektet e Partizanit, përsa i takon skuadrës me të cilën do të përballohet kampionati, të paktën deri në fund të këtij viti. Kur mori drejtimin e të kuqve, tekniku Duro kërkoi të theksojë një koncept: "Për këtë moment që po kalon Partizani, me aktivizimin e të rinjve nuk duhet të teprohet. Natyrisht, secili prej tyre ka kohën e duhur se kur mund të aktivizohet, sepse ekipi ka nevojë për të gjithë. Megjithatë, në këtë moment janë lojtarët me përvojë ata, të cilët duhet të marrin në kontroll ekipin". Këtë ide të tij u përpoq ta shfaqë menjëherë në ndeshjen premireë kundër Shkumbinit, ku bëri ndryshime pozicionesh, me qëllimin që të kishte në skuadër sa më tepër lojtarë me përvojë prej më shumë se 2 vjetësh në Kategorinë Superiore. Aq sa mënjanoi ata të rinj, që kishin bërë paraqitje të mirë në kohën e Likës. Ja që këto ndryshime nuk sollën efekt. Rrokullisja e situatave e bën Duron të jetë i detyruar të kthehet pak a shumë në hapat e paraardhësit të tij. Ikja e tre brazilianëve liron minimumi dy vende në formacion, të cilët duhen mbushur. E duke mos pasur alternativa të shumta, zgjedhja në mënyrë të pashmangshme do të bie te lojtarët në moshë të re. Për të zëvendësuar Kastelanin në mesfushë duhet të rishfaqet sërish Capo, i cili deri përpara se të vinte Duro, kishte qenë një nga titullarët e vazhdueshëm në atë pozicion. Kurse në sulm duhet të vijë më në fund radha e Ngjelës, pasi përjetoi një periudhë jo shumë të kënaqshme me Likën. Ndërsa sapo erdhi tekniku i ri gjeti golin e parë zyrtar me të kuqtë ndaj Tepelenës për Kupën e Shqipërisë. Por pikërisht në sulm janë për t'u mbushur hapësirat më të mëdha. Jo vetëm se dy prej brazilianëve të larguar ishin pjesëtarë të këtij reparti. Aty, veç Ngjelës kanë mbetur i riu Alban Dashi dhe Elis Bakaj, i cili në ndeshjen e së premtes ndaj Besës në Kavajë do të mungojë për arsye pezullimi. Nga sa ka qenë e mundshme të vërehet përmes stërvitjeve të kryera ditët e fundit, Duro mund të bëjë një ndryshim skeme, i kushtëzuar edhe nga situata..