Tinka Kurti: Puthja ime e parë në sy të gjithë Kinostudios
Të parën puthje në kinematografinë shqiptare e ka realizuar Tinka Kurti në filmin “Tana”, me regji të Kristaq Dhamos, prodhim i vitit 1958. Pas 50 vjetësh, aktorja e madhe e 95 roleve tregon se si u realizua kjo skenë në atë kohë, në krah të Naim Frashërit. Për të realizuar një puthje janë bërë 29 dublime.
Zonja Tinka, ju keni realizuar puthjen e parë në kinemanë shqiptare, si e kujtoni atë kohë?
Aso kohe nuk u trajtua si ndonjë ngjarje e madhe, ndoshta sepse deri në atë moment gjithçka ecte normalisht. Ne e realizuam atë puthje, filmi u shfaq, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Bashkimin Sovjetik e në Çeki. Madje, në Bashkimin Sovjetik na thanë: ju qenkeni modernë, që keni realizuar një film të tillë.
Duke mos pasur një traditë të këtij lloji më parë, si u ndjetë të ishit e para?
Unë nuk kam pasur asnjëherë kësi lloj paragjykimesh, familja ime ishte liberale, familje artistësh dhe këtë skenë e kam xhiruar me kënaqësi të madhe. Nuk isha edhe aq e re. Isha e martuar dhe kisha djalin 4 vjeç. Kështu që nuk mund të thuash se kisha ndonjë droje të madhe, ndonëse partnerët i kisha më të mëdhenj në moshë. Në krahun tim kisha aktorë të mrekullueshëm, si Marie Logoreci, Kadri Roshi, Pjetër Gjoka, etj., të cilët më kanë mësuar shumë, por partneri im ishte Naim Frashëri. Me thënë të drejtën nuk e di pse ai ishte aq i kontraktuar. Nuk ishte fanatik, madje ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me shumë kulturë. Në shtëpinë e tij dëgjohej vetëm muzikë operistike, madje ai vetë ishte një simfoni më vete, por ndoshta ishte në siklet, sepse në Kinostudio, ku po xhironim u mblodh gjithë gjindja, për të na parë.
Keni realizuar shumë dublime deri sa realizuat “puthjen perfekte”?
Kemi realizuar më shumë se dhjetë dublime. Pastaj Naimi ishte aq i mirë dhe kishe qejf me e puth (qesh). Ndërsa ai ishte në siklet dhe nuk e pyeta ndonjëherë përse. Unë e putha dhe kaq.
Si u ndjetë kur patë që kjo pjesë ishte prerë nga filmi?
Më ka ardhur vërtetë keq dhe nuk e kuptova përse u hoq ajo puthje. Regjisorit Kristaq Dhamo i ka dhembur edhe më shumë ky dhunim. Ai film u rishfaq shumë vite më vonë, pas rënies së diktaturës. E kam parë të rishfaqet si retrospektivë në një festival dhe u trishtova shumë, që vazhdon të shfaqet varianti i reduktuar. Sot kanale të ndryshme televizive e shfaqin në një cilësi të dobët. Do të kisha dashur të shfaqej si u realizua, pasi ato pjesë të shkëputura ruhen edhe sot në Arkivin e Filmit Shqiptar.
Ndërsa censura ende nuk ishte edhe aq e fortë, ju ofruan ndonjë tjetër rol, me puthje?
Unë nuk pata më role të tilla. Më kanë ndjekur më shumë rolet e nënave. Sa për parantezë, kur kam realizuar Nënë Pashakon isha vetëm 38 vjeçe dhe kisha moshën e “fëmijëve” të mi. Por sikur të ma kishin propozuar sërish një rol të tillë, prapë do ta kisha realizuar me kënaqësi.
Megjithatë ju mbetët “heroina” e puthjes...
Nuk di të jetë xhiruar ndonjë puthje tjetër. Nuk e di pse u ndalua. Ndoshta edhe vetë regjisorët nuk i fusnin në filma, sepse e dinin që do të hiqeshin. Po kështu ishte koha atëherë dhe nuk e zhbëjmë dot historinë.
Si ju duket tani, që nuk ka më censurë?
Aha, tani jo vetëm që realizohen, por kalojnë edhe në ekstrem. Por u desh të kalonte një kohë e gjatë, që në kinemanë shqiptare të futej një skenë tjetër puthjeje. Më duket se ka qenë filmi i Saimir Kumbaros, “Vdekja e kalit”, me Rajmonda Bulkun dhe Timo Fllokon. Është një skenë e bukur, por edhe e guximshme, pasi ishte ende herët, sapo ishin ndryshuar sistemet.