E Diel, 1 Nëntor 2026

Puthjet e munguara në filmat shqiptarë

 

Alma Mile

Pas Stefanit dhe Tanës, askush nuk u puth më. Puthjet mes dy të dashuruarve ishin të ndaluara gjatë viteve të diktaturës. Regjisorët viheshin në siklet, kur duhet të paraqisnin dashurinë e dy të rinjve. Sot duken për të qeshur shëtitjet nëpër parqe, duart e kapura, vështrimet e turpshme... Të gjitha këto momente, artistja gjermane Verena Kyselka, i ka mbledhur për të formuar “Territorin e Intimitetit” ( Territory of Intimacy - Forbidden Kisses). Pasi ka parë reagimin e një publiku të kufizuar në “Galerinë e vogël”, artistja e prezanton këtë projekt në datën 7 tetor në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Është një kolazh me filmime dhe fotografi, ku normalisht duhet të kishte një puthje, por nuk është realizuar për shkak të rregullave të sistemit. Përgjatë tri javësh, Kyselka punoi në Arkivin Shqiptar të Filmit, ku përzgjodhi 16 filma, të krijuar gjatë periudhës 1958-1992. E ardhur në Shqipëri për një projekt mbi puthjet në hapësirat publike, ajo mendoi të shfrytëzonte pikërisht filmat shqiptarë, ku ky moment mungon. Ndër filmat e përzgjedhur për këtë projekt janë “Apasionata” (1983) me regji të Kristaq Mitros, “Duaje emrin tënd”, po me regji të Kristaq Mitros, në bashkëpunim me regjisorin Ibrahim Muçaj, “Përrallë nga e kaluara” me regji të Dhimitër Anagnostit, “Një natë pa dritë” me regji të Gëzim Erebarës, etj., ku momentet intime mes personazheve kufizohen në një shëtitje mes arave me misër (“Zonja nga qyteti”), ndonjë kapje për dore nga kodrat e Liqenit etj. Janë këto disa nga “territoret intime” të dhunuara gjatë realsocializmit, ndoshta pengjet më të mëdha të regjisorëve shqiptarë, që krijuan gjatë viteve të diktaturës. Pas puthjes së parë, në filmin e parë me metrazh të gjatë të realizuar në filmin “Tana” në vitin 1958, në kinematografinë shqiptare nuk u numërua më ndonjë puthje tjetër. Ky ishte një veprim që Partia e ndalonte dhe regjisorët as që mundoheshin të përfshinin në prodhimet e tyre ndonjë skenë të tillë. Fundja do të kishte pasur të njëjtin fat si puthja e Tanës (Tinka Kurti) me Stefanin (Naim Frashëri), e cila u pre dhe u ngujua në ndonjë cep të errët të arkivave të Kinostudios. Në vend të momenteve të “puthjeve të munguara” mes një çifti (burrë e grua), Kyselka ofron ca puthje prej vërteti e ca përqafime të zjarrta, por këtë herë mes burrave. Sipas artistes, ky nuk është një fenomen thjesht shqiptar, por që gjendet edhe në vende të tjera të Lindjes. Sigurisht është çështje zakonesh dhe nuk hamendësohet ndonjë marrëdhënie homoseksuale. Gjithsesi, një situatë e pakuptimtë që rrudhte jetën dhe e kufizonte në kornizat që përcaktonte partia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›