E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia, rregullat për bashkim familjar

 

Nga dita e sotme ndryshojnë rregullat dhe dokumentet që duhen për bashkim familjar me emigrantët në Itali. Gazeta boton listën zyrtare të kategorive që përfitojnë dhe dokumenteve që duhen dorëzuar në ambasadë dhe konsullata. Nga sot në Itali ka hyrë në fuqi reforma e normativës italiane për bashkimin familjar, në bazë të Dekretit Legjislativ të Qeverisë Italiane dhe Qarkores së Ministrisë së Brendshme italiane. Ambasada italiane njofton se bëhet 180 ditë (dhe jo më 90) afati pas të cilit mund të paraqitet kërkesë për vizë hyrëse pranë zyrave konsullore italiane. Qytetarët duhet të paraqesin një kopje të akteve me vulat përkatëse të sportelit të vetëm të emigracionit, nga ku të dallohet data e paraqitjes së kërkesës dhe dokumentacionit përkatës.
Sipas ndryshime, për bashkim familjar mund të aplikojnë bashkëshortë jo të ndarë ligjërisht, me moshë mbi 18 vjeç. Pra, të gjithë ata që kanë burrin ose gruan në Itali dhe kërkojnë të bashkojnë familjen. Nga ana tjetër mund të përfitojnë bashkim familjar edhe fëmijët minorenë, qoftë edhe të bashkëshortit apo të lindur jashtë martese, të pamartuar me kusht që prindi tjetër, nëse ekziston, të ketë dhënë pëlqimin. Një tjetër kategori është ajo e fëmijëve në moshë madhore, por të cilët janë të sëmurë dhe e kanë të pamundur të sigurojnë jetesën vetë. Në njoftimin e ambasadës theksohet se mund të përfitojnë bashkim edhe “Fëmijët në moshë madhore në ngarkim, në rast se për arsye objektive nuk janë në gjendje të kujdesen për nevojat e tyre për shkak të gjendjes shëndetësore që të përbëjë invaliditet të plotë”. Një tjetër kategori janë familjet që i kanë të gjithë fëmijët emigrantë në Itali. Këta të fundit mund të bashkohen me prindërit, në rast këta të fundit nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes. Kategoria e fundit që përfiton është e prindërve mbi 65 vjeç, pra në moshë pensioni. Kushti që duhet të plotësojë kjo kategori prindërish është që fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të dokumentuara shëndetësore.

Kategoritë që mund të kërkojnë bashkim familjar

1. Bashkëshortë jo të ndarë ligjërisht, me moshë mbi 18 vjeç;
2. Fëmijë minorenë, qoftë edhe të bashkëshortit apo të lindur jashtë martese, të pamartuar me kusht që prindi tjetër, nëse ekziston, të ketë dhënë pëlqimin.
3. Fëmijë në moshë madhore në ngarkim në rast se, për arsye objektive nuk janë në gjendje të kujdesen për nevojat e tyre për shkak të gjendjes shëndetësore që të përbëjë invaliditet të plotë;
4. Prindër në ngarkim, në rast se nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes;
5. Prindër mbi 65 vjeç, në rast se fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të dokumentuara shëndetësore.

Nga data 5 nëntor 2008, zyrat konsullore italiane në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër për kërkesat për bashkim familjar duhet të kërkojnë këto dokumente shtesë

1. Për kërkesat për bashkim familjar nga qytetarë shqiptarë me bashkëshort me qëndrim të rregullt në Itali:
a) certifikatë martese me vlefshmëri deri në tre muaj;
b) fotokopje e lejes së qëndrimit të vlefshme të qytetarit shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali.

2. Për kërkesat për bashkim familjar nga fëmijë minorenë me prind shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali:
a) certifikatë lindje të fëmijës me fotografi;
b) certifikatë familjare;
c) fotokopje e lejes së qëndrimit të prindit (nëse vetëm një prej prindërve është rezident në Itali, prindi tjetër duhet të paraqesë një akt pëlqimi për daljen e fëmijës jashtë shtetit, përgatitur nga një noter shqiptar, përkthyer në gjuhën italiane, të noterizuar dhe legalizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Shqiptare);
d) në rast se prindërit janë të divorcuar, certifikatë divorci dhe akt pëlqimi për daljen e fëmijës jashtë shtetit;
e) në rast se njëri prej prindërve nuk jeton, certifikatë vdekje e prindit.

3. Për kërkesat për bashkim familjar nga fëmijë në moshë madhore në ngarkim në kushte invaliditeti të plotë:
a) certifikatë mjekësore lëshuar nga mjeku i besuar i ambasadës;
b) certifikatë lindje e fëmijës me fotografi;
c) certifikatë e gjendjes familjare.

4. Për kërkesat për bashkim familjar të prindërve me fëmijët:
a) certifikatë lindje të fëmijës që kërkon bashkim familjar;
b) certifikatë trungu familjar me të gjithë fëmijët në jetë të prindërve që kërkojnë bashkim familjar;
c) fotokopje e dokumentit të qëndrimit të të gjithë fëmijëve me qëndrim jashtë shtetit (në rast se një apo më shumë se një fëmijë është me qëndrim të rregullt në Itali, dokumenti në fjalë duhet të jetë i përkthyer dhe legalizuar nga një përfaqësi diplomatike/konsullore në atë vend);
d) nëse zotërohet, certifikatë pronësie e banesës;
e) nëse zotërohet, certifikatë pronësie për pasuri të tjera të paluajtshme dhe kontrata qiraje;
f) nëse zotërohet, certifikatë pronësie toke bujqësore apo deklaratë për fitimet vjetore prej saj;
g) nëse zotërohet, certifikatë pensioni;
h) nëse zotërohet, certifikatë pune;
i) nëse zotërohet, licencë për ushtrim aktiviteti privat.

5. Për kërkesat për bashkim familjar të prindërve mbi 65 vjeç, në rast se fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të dokumentuara shëndetësore:    
a) certifikatë lindje të fëmijës që kërkon bashkim familjar;
b) certifikatë trungu familjar me të gjithë fëmijët në jetë të prindërve që kërkojnë bashkim familjar;
c) fotokopje e dokumentit të qëndrimit të të gjithë fëmijëve me qëndrim jashtë shtetit (në rast se një apo më shumë se një fëmijë është me qëndrim të rregullt në Itali, dokumenti në fjalë duhet të jetë i përkthyer dhe legalizuar nga një përfaqësi diplomatike/konsullore në atë vend);
d) certifikatë mjekësore lëshuar nga mjeku i besuar i ambasadës, që të vërtetojë se fëmijët me banim në Shqipëri janë në gjendje të rëndë dhe nuk mund të kujdesen për prindërit.

Të rëndësishme për aplikuesit

Të gjitha dokumentet dhe deklaratat në shqip të lëshuara nga autoritetet lokale, duhet të përkthehen në gjuhën italiane nga një noter i licencuar nga Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare.
Certifikatat e gjendjes civile duhet të jenë të legalizuara edhe nga prefektura, të përkthyera në gjuhën italiane nga një noter i licencuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Shqiptare.
Theksohet se normativa e re nuk parashikon asnjë ndryshim për procedurat aktualisht në fuqi për bashkimin familjar për qytetarë shqiptarë me qytetarë italianë/BE me qëndrim në Itali.
Teksti i dekretit legjislativ në fjalë është publikuar në Fletoren Zyrtare të Republikës Italiane n. 247 të datës 3 tetor 2008 dhe mund të konsultohet në adresën www.gazzette.comune.jesi.an.it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›