Gjykata vendos për pranimin\largimin e fëmijëve nga institucionet e përkujdesit
Tiranë - Fëmijët e grupmoshës 0-15 vjeç do të pranohen apo largohen nga institucionet e përkujdesit publik apo privat vetëm me vendim gjykate të formës së prerë. Ky udhëzim parashikon se vendimi i gjykatës për pranimin apo largimin nga institucionet e përkujdesit do të vijohet pasi të jetë plotësuar dokumentacioni i përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve dhe të dokumentacionit të nevojshëm për pranimin në institucionet rezidenciale publike dhe private të përkujdesit shoqëror”. Sipas SHSSH-së, personat që do të pranohen në këto institucione pas daljes së udhëzimit do të përfitojnë një mbrojtje ligjore më të plotë. Në daljen e udhëzimit përcaktohet qartë pozicioni ligjor i fëmijëve në përgjithësi dhe atyre me aftësi të kufizuar, në marrëdhënie me institucionet ku, përveç përkujdesjes shoqërore të cilën ata aktualisht marrin në këto institucione publike e private, janë të përcaktuara qartë detyrimet dhe përgjegjësitë ligjore të drejtuesve të shërbimit shoqëror kundrejt grupmoshës 0-15 vjeç, që nuk lënë shteg për shmangien e problemeve që mund të lindin gjatë punës në institucione. Në ndryshim nga udhëzimi i ri, fëmijët deri tani janë pranuar në institucionet e përkujdesit mbi bazën e një akti noterial lëshuar nga prindi, me anë të të cilit fëmija lihej në përkujdesjen e institucioneve publike e private. Me daljen e këtij udhëzimi, kuadri ligjor për pranimin e fëmijëve në institucionet publike dhe private do të bëhet më i plotë dhe më praktik, vlerëson SHSSH, sipas të cilit, rëndësi të veçantë në këtë udhëzim i jepet marrjes së kujdestarisë së fëmijës në momentet kur prindërit biologjikë nuk arrijnë që t’u sigurojnë fëmijëve detyrimet minimale prindërore që janë të detyruar t'i kryejnë. Kështu, që institucionet e përkujdesit, përveç detyrimit të zbatimit të standardeve të detyrueshme, duke pasur si qëllim plotësimin e kushteve materiale dhe edukative të fëmijëve, marrin përsipër marrjen e vendimeve të caktuara ligjore duke pasur si qëllim interesin më të lartë të fëmijëve. Kjo, sipas SHSSH-së, do të thotë që fëmijët tashmë do të kenë një mbrojtje, e cila ndonëse ka ekzistuar de jure, me daljen e këtij udhëzimi plotësohet dhe bëhet më e thjeshtë e praktike duke u dhënë fëmijëve një përkujdesje sociale të zbatueshme efektive dhe institucioneve një përgjegjësi më të lartë në kryerjen e shërbimit sublim për rritjen dhe edukimin e fëmijëve.
6 Mars 2008