Edu : Nuk jam i vendosur
07/01/2005 Mesfushori i Arsenalit, Edu, vazhdon të jetë akoma i pavendosur, lidhur me kontratën e re që klubi i tij është duke i ofruar. Kontrata aktuale e tij me topçinjtë e Londrës, skadon brenda verës dhe deri më tani ai është përfshirë në bisedime, me trion spanjolle Real Madrid, Barcelona dhe Valencia. “Nuk jam akoma i sigurtë, nëse dua të qëndroj apo jo, sepse ka qenë vetë klubi që e ka çuar këtë situatë deri në këtë pikë, ka komentuar Edu. Nëse do të kishin me të vërtetë dëshirë për të firmosur me mua, duhet të paraqiteshin me një ofertë konkrete, gjashtë muaj përpara se të merrnin këtë vendim. Vetëm në këtë mënyrë, unë do ta kisha më të lehtë për të reflektuar me qetësi, rreth zgjedhjeve të mia”. Kështu, vëllai dhe njëkohësisht përfaqësuesi i Edus, Amadeo Fensao, kishte deklaruar qysh më parë se oferta aktuale e Arsenalit ishte mjaft e shkurtër, në krahasim me atë çfarë ai priste. “Im vëlla pritet që të vijë në Londër, ditën e enjte, ka shtuar Edu. Është planifikuar një takim për datat 6 dhe 7 janar, ku ne do të sqarojmë gjithçka me Arsenalin. Tashmë, unë kam vetëm një zgjidhje, të rri apo të shkoj. Dua që ta mbyll këtë çështje një herë e mirë, sepse kjo është në interesat e mira të të dyja palëve, si për mua, edhe për klubin. Do ta marr vendimin tim, pas takimit javën tjetër”. Ndërkohë, Edu në këto momente, është gati që të fillojë bisedimet me klubet e tjera, sepse rregullorja e FIFA-s, i lejon futbollistët ta realizojnë një gjë të tillë, vetëm gjashtë muaj para se të skadojë kontrata e tij. Kështu, mesfushori brazilian ka pranuar se, ndihet i tunduar nga ideja për t’u transferuar në tre gjigandët e Primera Divizion.