E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eduart Belegu lirohet në Gjykatën e Lartë

 TIRANE - Lirohet Eduart Belegu, ish-këshilltari i ministrit të Energjetikës, i arrestuar për vjedhje me anë të shfrytëzimit të detyrës. Gjykata e Lartë pas ankimit të të pandehurit, ka vendosur dje ta lironte atë nga masa e sigurisë duke vendosur "detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore çdo të hënë". Belegu, ish-drejtor i kompanisë koncesionare "Darfo", u arrestua më 17 nëntor të vitit të kaluar së bashku me Artur Belegun, Tonin Gjonajn dhe Fatos Pengun, të gjithë punonjës të kompanisë "Darfo", të akuzuar për vjedhje. Në momentin e arrestimit të tyre Prokuroria e Përgjithshme pohoi zyrtarisht se organi procedues i Elbasanit kishte nisur hetimet në procedimin penal, numër 169, datë 16 shkurt 2008,për veprën penale të parashikuar në nenin 135 të Kodit Penal. Sipas Prokurorisë katër të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë shkaktuar shtetit një dëm në shumën prej 6.5 milionë euro gjatë periudhës 2004-2007, kohë në të cilën kanë marrë me koncesion Uzinën e Ferrokromit në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. Në bazë të kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Elbasanit caktoi paraprakisht në mungesë masat e sigurisë "arrest me burg" për këta persona. Belegu e ankimoi masën në Apelin e Durrësit dhe më pas në Gjykatën e Lartë, institucion, i cili mesditën e djeshme vendosi ta lironte atë.                                                        fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›