Specialistë nga Firence për planin rregullues të Shkodrës
SHKODER/ RITVAN DIBRA"Shkodra, një qytet i kulturës, qytet evropian, me zhvillim të qëndrueshëm dhe një portë e gjelbër e Ballkanit". Kjo është filozofia mbi të cilën është hartuar plani i përgjithshëm rregullues i qytetit të Shkodrës. Dje është bërë prezantimi i projektit të studios "Hydea", e cila ka marrë përsipër realizimin e këtij plani. Në prani të drejtuesve më të lartë vendorë e grupeve të interesit është bërë publike puna e grupit të arkitektëve italo-shqiptarë. Ky projekt, për herë të parë përfshin në një studim të tillë afatgjatë të gjitha zonat e qytetit. Pasi të kalojë afati i përcaktuar do të jetë KRRT-ja e Shkodrës që do ta votojë e më pas miratimi përfundimtar do të jetë në KRRTRSH. Studimi i këtyre specialistëve është parë në perspektivë për një afat kohor për 50 vitet e ardhshme dhe për një numër popullsie sa 3-fishi i asaj që është sot. Në këtë plan rregullues janë përcaktuar pikat kryesore mbi të cilat do të përqendrohet dhe zgjerimi i qytetit të Shkodrës. Sipas kryebashkiakut Lorenc Luka, tashmë i është hapur një rrugë e re zhvillimi për qytetin. Nga specialistët italianë të Firences, qyteti i Shkodrës është parë në perspektivë si qytet turistik, me traditë të historisë dhe kulturës si dhe një qytet universitar. është menduar që Shkodra të ketë tre komplekse të mëdha universitare. Një pikë e rëndësishme ka qenë përcaktimi i orientimit të zgjerimit të qytetit, i cili sipas specialistëve duhet të jetë liqeni i Shkodrës. "Hartuesit e projektit kanë pasur të dhënat nga Kadastra, (e azhornuar në vitin 2005) dhe ALUIZNI, (azhornuar në vitin 2007), ndërkohë që janë marrë të dhënat gjeografike dhe është bërë dhe hartimi i data base-it të qytetit", u shpreh Luka. Situata karakteristike e tanishme e zhvillimit urban në Shkodër është fotografuar nga kënde të ndryshme, si: rrugët, shërbimet urbane, infrastruktura urbane, përdorimi i tokës, (banimi, zonat produktive, shërbimet, etj). Në këtë projekt janë identifikuar dhe zonat ku ka përqendrim të popullsisë dhe të ndërtimeve të reja.