E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eduart Belegu rrëmbehet, u zhduk prej disa ditësh



TIRANË – Zhdukja misterioze e Eduart Belegut, ish – administratori i Darfo-s dhe ish-këshilltari i ministrit të Energjetikës, ka nxitur prokurorinë të nisë hetimet, pasi mund të jetë rrëmbyer. Prej gati një muaji nuk ka asnjë shenjë për vendndodhjen e tij. As familjarët nuk kanë informacione. Vetëm gjatë ditës së djeshme Prokuroria e Krimeve të Rënda mori në pyetje të paktën 30 persona, të afërm dhe miq të Belegut. Kjo ngjarje ndodhi vetëm pak ditë pasi i akuzuari për shpërdorimin e 6.5 milionë eurove në kompaninë që ka me koncesion kromin, doli i pafajshëm. Ndaj tij nisi një proces hetimor në muajin, pasi akuzohet se bashkë me disa ish-drejtues të tjerë në Darfo, para disa vitesh i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare buxhetit të shtetit.

Hetimi
Eduart Belegu, ish-këshilltari i ministrit të Energjetikës, i zhdukur prej më shumë se tri javësh, dyshohet të jetë rrëmbyer. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thonë se organi i akuzës po heton si pistë kryesore atë të rrëmbimit të personit, pasi nga verifikimet e deritanishme nuk rezulton asnjë e dhënë që Eduart Belegu të jetë larguar me dëshirën e tij. Të paktën 30 persona, të cilët kanë njohje me ish-administratorin e kompanisë “Darfo” janë marrë në pyetje këto ditë, pas zhdukjes së tij. Këta kanë qenë personat e fundit që Belegu ka kontaktuar në telefon, të cilët gjatë pyetjes kanë konfirmuar se Belegu nuk u ka shfaqur ndonjë shqetësim apo problem gjatë kontaktit që kanë pasur me të. Ndërkaq, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është kërkuar edhe zbardhja e teksteve të mesazheve që Eduart Belegu ka nisur gjatë 24 orëve të fundit para se të zhdukej, prej nga ku mund të dalin mjaft detaje me vlerë për hetimin.

Historia
Ish-administratori i kompanisë “Darfo” u zhduk pak ditë pas lirimit nga Gjykata e Lartë. Ai u arrestua më 16 nëntor 2009, bashkë me Artur Belegun, me detyrë magazinier i Darfo-s, Tonin Gjonaj, ish-drejtor, dhe Fatos Pengu, ish-përgjegjës po në këtë kompani. Duke iu referuar dosjes hetimore, thuhet se të tre personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar detyrën, kanë kryer shitje të konsiderueshme skrapi dhe asetesh, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 6.5 milionë eurosh. Ky abuzim dyshohet të jetë bërë përgjatë viteve 2004-2007, kur shteti ka marrë me koncesion Uzinën e Ferrokromit në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit

Përdhunoi 24-vjeçaren, shpallet në kërkim policor

KORÇË – Policia e Korçës ka nisur hetimet duke shpallur në kërkim një shtetas të akuzuar për përdhunimin e një vajze 24-vjeçare. Burime zyrtare të Policisë thanë dje se specialistët e Drejtorisë së Policisë së Korçës kryen veprimet hetimore procedurale në ngarkim të shtetasit E. Basholli, 34 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 8 në qytetin juglindor, për veprën penale “marrëdhënie seksuale me dhunë”. Sipas tyre, hetimet ndaj Bashollit filluan pas kallëzimit të bërë nga shtetasja me inicialet D. L., lindur në Korçë dhe banuese në Ponçarë të rrethit të Devollit. Personi që ka depozituar kallëzimin ka deklaruar para policisë se më datë 7 prill 2010 Basholli ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. Policia tha se grupi i hetimit ka zhvilluar kërkime për autorin e ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim pasi nuk u gjet në vendbanimin e tij. Forcat e rendit po punojnë për arrestimin e tij, ndërsa dosja penale u referua në Prokurorinë e rrethit.

Keqtrajton të moshuarën, prangoset nga policia

POGRADEC – Nuk ka ngurruar të vërë dorë mbi një të moshuar, por më pas ka përfunduar në pranga. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është prangosur mbrëmjen e së enjtes shtetasi Arben Baci, lindur dhe banues në Selcë të Poshtme në rrethin e Pogradecit. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”. Ky shtetas ka goditur për motive të dobëta, me grushte dhe sende të forta, në kokë dhe në trup, shtetasen R. Kume, 76 vjeçe, lindur në fshatin Trebinjë dhe banuese në fshatin Selcë e Poshtme. E keqtrajtuara ndodhet në Spitalin civil të Pogradecit, në një gjendje të rëndë shëndetësore. Policia mori dje dëshminë e saj dhe tashmë dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë.

Mbytet në Drin 12-vjeçari, po luante me shokët

LEZHË – Një fëmijë është mbytur në lumë teksa po luante me shokët. Burimet policore sqarojnë se ngjarja e rëndë ndodhi dje pasdite në Lezhë. Shtetasi Z. M., i moshës 12 vjeç, ka rënë në ujërat e lumit Drin dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e tij. Shokët e tij kanë lajmëruar familjen dhe më pas policinë. Sipas dëshmive, i mituri ka hyrë në ujë bashkë me vëllanë e tij për të marrë topin që kishte rënë në lumë, por vetëm njëri prej tyre ka mundur të dalë. Forca të shumta policore mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes duke filluar kërkimet për gjetjen e të miturit. Për gjetjen e trupit të 12-vjeçarit policia ka kërkuar ndihmën e zhytësve pasi lumi ka thellësi dhe në shtratin e tij ka dhera, të cilat e bëjnë të vështirë identifikimin e vendndodhjes së kufomës.

10 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›