E Diel, 1 Nëntor 2026

Papunësia dhe depresioni, për 24 orë dy të vetëvrarë



Kriza ekonomike dhe depresioni po marrin jetë njerëzish çdo ditë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit i kanë dhënë fund jetës dy persona. Ngjarjet kanë ndodhur në Tiranë dhe në Lushnjë. Një punonjës banke, i pushuar nga puna, ka vendosur që të vetëvritet duke u hedhur nga kati i gjashtë i pallatit ku banonte. Burimet zyrtare raportojnë se viktima është shtetasi Musa Haka. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Haka ka kryer aktin fatal duke u hedhur nga ballkoni i ndërtesës që ndodhet në rrugën “Don Bosko” në Tiranë. Policia thotë se viktima kishte dy muaj që ishte larguar nga puna në një bankë në kryeqytet. Dyshohet se ai vuante nga depresioni dhe se nuk ishte banor i pallatit nga ku ka rënë, por aty ishte shtëpia e së ëmës.
Gjatë ditës së djeshme, thuajse në të njëjtën orë, një tjetër vetëvrasje ndodhi në Lushnjë. Hajri Spuka i ka dhënë fund jetës duke konsumuar një sasi lënde helmuese, fostoksinë. Policia e Lushnjës bën të ditur se ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Grabian. Të afërmit gjeten trupin e pajetë të 50-vjeçarit Spuka në banesën e tij. Ekspertët mjeko-ligjorë konstatojnë se viktima ka konsumuar helm që përdoret për asgjësimin e brejtësve. Kohët e fundit janë shtuar në mënyrë dramatike rastet e vetëvrasjeve, ku në shumicën e rasteve shkak janë kriza ekonomike apo konfliktet në familje.

10 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›