Rrjeti i eurove false, prangosen 13 veta për prerjet 100-she
TIRANË – Nëse deri dje ka qenë shqetësim futja në qarkullim e kartëmonedhës me prerje 20-euroshe false, tashmë këtë e kanë edhe kartëmonedha të tjera. Mbrëmjen e së enjtes është zbuluar në Tiranë një rrjet i madh me shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, që tentoi të fusë në treg 75 mijë euro, të gjitha këto prerje 100-she. Falë një operacioni të përbashkët mes Policisë së qarkut Tiranë dhe Prokurorisë, i koduar me emrin “Graniti”, u bë i mundur asgjësimi i grupit prej 13 personash, të cilët kanë përfunduar në pranga. Burimet policore sqarojnë se kapot e rrjetit të shpërndarjes së eurove false nga Avni Hajrullau nga Kosova dhe Kemal Rexhepi nga Maqedonia, që të dy me kombësi shqiptare dhe me banim në Shqipëri. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe disa armë dhe katër makina.
“Graniti”
Një grup prej 13 personash, me shtrirje në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, kanë arritur të sigurojnë shuma të mëdha eurosh të falsifikuara. Ata kanë përgatitur planin për t’i futur në qarkullim në tregun tonë. Avni Hajrullau nga Kosova dhe Kemal Rexhepi nga Maqedonia, të cilët dyshohet se ishin ndërmjetësit e gjetjes së kartëmonedhave me prerje 100-she, kanë përgatitur skemën duke gjetur bashkëpunëtorët e tyre në Shqipëri. Dyshohet se euroja e falsifikuar mund të jetë prodhuar në Bullgari dhe më pas ka qarkulluar në Maqedoni, me destinacionin përfundimtar tregun tonë. Pikërisht në momentin kur janë bërë gati për të hedhur shumën prej 75 mijë euroshe në treg, ka dështuar gjithë plani. Prej tre muajsh disa prej anëtarëve të grupit mbaheshin në kontroll nga strukturat hetimore. Burime policore bëjnë të ditur se strukturat e specializuara të Europolit kishin dhënë disa informacione për aktivitetin e paligjshëm të Hajrullahut dhe Rexhepit. Kaq ka mjaftuar dhe në një periudhë disa javore prokurorë dhe agjentë të policisë kanë përpiluar me kujdes operacionin e koduar me emrin “Graniti”. Thuajse të gjithë personat ndodheshin në një kafe pranë stadiumit “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Sekuestrimet
Drejtori i Policisë së qarkut Tiranë, Tonin Vocaj dhe prokurori i çështjes, Osmani, kanë bërë të ditura dje detajet se si u zbulua grupi i eurove false dhe arrestimin e 13 personave. “Graniti” u koordinua me strukturat e Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe të operacioneve speciale të Departamentit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Me dhjetëra forca policore zbarkuan në orët e vona të së enjtes pranë stadiumit “Qemal Stafa”, duke prangosur shtetasit: Avni Hajrullau, Fatmir Rakipi, Gjergj Gjinaj, Ramazan Bajram Shatri, Idajet Gatali, Kurtali Bilbili, Gëzim Kovaçi, Nuredin Bishami, Petrit Marku, Nebi Popa, Lulëzim Rakipi, Xheladin Demiri dhe Kemal Rexhepi. Që të gjithë ishin me banim në Tiranë. Vocaj tha para mediave se ishin konstatuar raste të qarkullimit të prerjeve 100-euroshe false. Sipas tij, u bë e mundur që të dokumentohej se kartëmonedha europiane dyshohet se kanë hyrë në Shqipëri nga Maqedonia përkundrejt përfitimit me përqindje. Burimet policore sqarojnë se janë sekuestruar 730 copë kartëmonedha të falsifikuara të prerjes 100-she, një armë zjarri, tip “Shotgan”, një pistoletë model P 38 dhe katër makina. Mjetet që ishin në përdorim të grupit janë si më poshtë: veturë “Mercedez Benz”, me targë TR 8221 P, “Mercedez Benz”, me targë TR 9196 L; “Mercedez Benz”, me targë TR 0864 N dhe “Volks//agen Golf”, me targë SK 758 TM. “Nga hetimet e bëra rezultoi se grupi kriminal drejtohej nga shtetasi kosovar Avni Hajrullau dhe shtetasi maqedonas Kemal Rexhepi”, – u shprehën drejtuesit e operacionit.
Personat e arrestuar akuzohen për veprat penale të “falsifikimit të kartëmonedhave“ dhe të “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve”.
LISTA E TË ARRESTUARVE
Avni Hajrullau, 36 vjeç, me shtetësi kosovare
Fatmir Faik Rakipi, 38 vjeç, banues në Tiranë
Gjergj Gjinaj, 43 vjeç, banues në Tiranë
Ramazan Shatri, 44 vjeç, banues në Tiranë
Idajet Gatali, 41 vjeç, banues në Tiranë
Kurtali Bilbili, 56 vjeç, banues në Tiranë
Gëzim Kovaçi, 53 vjeç, banues në Tiranë
Nuredin Bishami, 48 vjec, banues në Tiranë
Petrit Marku, 38 vjeç, banues në Tiranë
Nebi Popa, 40 vjeç, banues në Tiranë
Lulëzim Rakipi, 39 vjeç, banues në Tiranë
Xheladin Demiri, 28 vjeç, me shtetësi maqedonase
Kemal Rexhepi, 31 vjeç, me shtetësi maqedonase
Kartëmonedha 20-euroshe, alarmi i policisë dhe Europolit
Pak kohë më parë policia u shpreh e shqetësuar për hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave 20-euroshe false. Me dhjetëra raste ishin denoncuar, gjë që i detyroi strukturat e hetimit për të parë me kujdes burimin e hedhjes së monedhës europiane false në tregun tonë. Pas hetimeve rezultoi se grupe të caktuara arrinin të siguronin kartëmonedhat përmes rrjeteve rajonale me qendër në Bullgari dhe Austri. Madje, një gjë e tillë nxiti edhe organizimin e një takimi rajonal në Durrës me krerët e policive dhe strukturat e investigimit special nga vendet e Ballkanit. Ekspertët e Europolit, përgjatë dy ditëve, iu shpjeguan agjentëve të Policisë dhe të Prokurorisë teknikat e falsifikimit dhe mënyrat e funksionimit të rrjeteve kriminale.
Si të ruhemi nga eurot false, elementet e sigurisë
Letra e kartëmonedhës është e veçantë dhe jep një tingull të posaçëm në kërcitje. Prekja bëhet edhe për të evidentuar shtypin e thellë që të shihen elementet e sigurisë që përdoren në shtypjen e kartëmonedhave dhe me atë prekje të lehtë me mollëzat e gishtave evidentohet ky element sigurie.
Në rastet kur merrni kartëmonedha euro, ajo duhet të kthehet në anën e dritës për të parë elementet e sigurisë që janë të futur në brumin e letrës që është filigrana. Ajo është një figurë e stampuar në brumin e letrës dhe evidentohet kundrejt dritës. Konturet e figurës tregojnë një portret apo objekt tjetër si simbol ose si godinë, siç e kanë eurot. Sipas ekspertëve, tek euroja është gjysma e vlerës së prerjes te cepi i majtë lart dhe duhet të korrespondojnë me gjysmën tjetër. Po u përputhën konturet është një nga elementet e sigurisë. Holograma tek euroja është me simbolin e euros E, vlerën e prerjes dhe godinën që ka në anën e përparme. Lëvizja e këtyre detajeve gjithmonë shoqërohet me ngjyra. Pra ngjyra dhe ndryshimi i vizatimeve janë kryesorja. Te kartëmonedhat euro, në pjesën e prapme, në prerjet 5, 10 dhe 20 ka shiritin iredishent, pra merr një ngjyrë të caktuar. Përsëri, në anën e pasme te prerjet 50, 100, 200 dhe 500 euro ka vlerën e prerjes që merr ndryshimin e ngjyrave. Specialistët sugjerojnë që kartëmonedha duhet të kontrollohet me mjete zmadhuese, pra me lupë, për të parë mikrotekstet që janë fjalë, figura, shkronja, shifra të zvogëluara dhe të futura në paraqitjen grafike të vizatimeve që kur falsifikohen nuk arrihen të prodhohen. Mund të përdoren edhe aparati me rreze ultraviolet.
Atentat tjetër në Shkodër, plagoset 48-vjeçari
SHKODËR – Një tjetër atentat ka ndodhur në qytetin e Shkodrës, ku ka mbetur i plagosur një 48-vjeçar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmë, disa persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Esat Pepa, nga fshati Boriç i rrethit të Shkodrës. Menjëherë i plagosuri është dërguar në spital dhe pas ndihmës mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, policia, e cila ndodhet në vendngjarje, ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vërteta të ngjarjes.
Arrestohen dy shpërndarësit e heroinës
TIRANË - Policia e kryeqytetit arrestoi dy persona të dyshuar si shpërndarës lëndësh narkotike në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, të arrestuarit janë shtetasit Renis Spartak Kumbaro, 20 vjeç dhe Juxhin Artan Nikolla, 18 vjeç, që të dy banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë sepse dy ditë më parë, rreth orës 14:30, në rrugën “Muhedin Llagami”, iu gjetën dhe iu bllokuan në cilësinë e provës materiale: sasia prej 8.2 gramësh pluhur me ngjyrë bezhë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, e ndarë në 15 doza dhe 3 telefona celularë. Pas arrestimit të tyre policia tha se materialet hetimore i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë, pasi dy të rinjtë akuzohen për konsumim të veprave penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Policia sekuestron 50 kg marijuanë, i shpëtojnë trafikantët
GJIROKASTËR - Sekuestrohen rreth 50 kilogramë marijuanë dhe shpallen në kërkim dy shtetas, të cilët kanë braktisur lëndën narkotike, duke u larguar në errësirë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 23:00, është marrë informacioni në rrugë operative se dy shtetas po transportonin me krahë dy çanta shpine të mbushura me lëndë narkotike nga Lazarati në drejtim të malit Bureto, me destinacion Greqinë. Transportuesit e drogës janë futur në fushën e Dropullit, përballë Goranxisë, për të lëvizur në drejtim të fshatit Bulo, por kur kanë parë policinë, kanë futur lëndën narkotike në një bunker dhe janë zhdukur. “Nga këqyrja e çantave ka rezultuar se në secilën çantë kishte nga 25 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë një kilogram secila, gjithsej rreth 50 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, - thotë zëdhënësi i Policisë, Gentian Mullai. Gjatë muajve të fundit janë regjistruar disa raste të tentativave të trafikimit të drogës në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje. Në dy prej operacioneve policore janë sekuestruar deri në 1 ton Cannabis.
10 Prill 2010