Ina Rama u kërkon vartësve më shumë raportime për pafajësitë
Kryeprokurorja e Përgjithshme bën apel për më shumë bashkëpunim dhe koordinim të punës së Prokurorisë me institucionet shtetërore në hetimin e krimit financiar, duke zbatuar ligjin e antimafies. “Duhet koordinuar dhe bashkërenduar puna me Prokurorinë dhe institucionet shtetërore, si dhe duhet përmirësuar puna e oficerëve gjyqësore të antikrimit ekonomik”, - deklaroi Ina Rama dje gjatë prezantimit të raportit vjetor 2009 të institucionit të akuzës. Gjatë fjalës së saj, kryeprokurorja ka shfaqur mbështetjen e saj ndaj vartësve duke deklaruar se prokurorët kanë punuar me përkushtim dhe përgjegjshmëri për gjithë vitin 2009. Gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës së institucionit të Prokurorisë për vitin e kaluar, Ina Rama tha se prokurorët kanë vlerësuar me seriozitet dhe sipas ligjit çdo procedim penal. “Prokurorët kanë kryer detyrimet e tyre sipas ligjit dhe me përgjegjshmëri. Harmonizimi i punës me strukturat e shtetit, përfaqësimi dinjitoz i Akuzës, si dhe mbledhja me profesionalizëm e provave ka shoqëruar punën e prokurorëve gjatë gjithë vitit”, - nënvizoi kryeprokurorja.
Raporti
Kryeprokurorja Rama vlerësoi në veçanti si mjaft pozitive punën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, çka ka rritur autoritetin e Prokurorisë shqiptare.
Sipas Ramës, prokurorët në të gjitha rrethet, gjatë 2009-s janë përballur me një fluks më të madh dosjesh se në 2008-n, si dhe kanë mbyllur më shumë procedime penale sesa një vit më parë. “Gati 23 mijë kanë qenë procedimet penale në total që Prokuroria ka ndjekur gjatë viti 2009. Numri i çështjeve të përfunduara është më i lartë se vitin 2008, rreth 2000 procedime penale të përfunduara janë regjistruar më shumë këtë vit“, - tha Rama. Sipas kësaj të fundit, prokurorët kanë përballuar volum të ndjeshëm të punës, si dhe kanë rritur efikasitetin dhe evidentim më të plotë të ngjarjes. Gjatë fjalës së saj para prokurorëve të të gjitha rretheve, Rama tërhoqi vëmendjen në vlerësimin e masës së arrestit shtëpi, që sipas saj, shpesh është “i pamonitoruar dhe shihet si favor“, ndërsa shtoi se ka një reflektim pozitiv për masën e arrestit me burg, duke aplikuar kriteret ligjore.
Ndëshkimet
Kryeprokurorja kërkoi raportim për të gjitha çështjet e pushuara nga gjykata dhe vendimet e pafajësisë. Rama vlerësoi punën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për goditjen e krimeve. Pavarësisht vlerësimeve, Ina Rama u shpreh se duhet të ketë një stabilitet të oficerëve të Policisë Gjyqësore në detyrën e tyre. Sipas saj, duhet të propozohet masa disiplinore nga prokurorët për oficerët e Policisë Gjyqësore që nuk zbatojnë detyrat e dhëna. Rama theksoi se ka pasur propozime për masë në kohët e fundit. Ndërkohë që, sipas saj, një problem mbeteshin në masat disiplinore. Sipas saj, në shumë zyra prokurorët kanë kërkuar masa sigurie “arrest me burg” për vepra që nuk përbëjnë rrezikshmëri shoqërore. “Drejtuesi i Prokurorisë ka për detyrë të bëjë një vlerësim më të drejtë të masës së sigurisë, duke u konsultuar me prokurorin e çështjes dhe oficerin e Policisë Gjyqësore që heton çështjen. Prokurori i çështjes duhet të relatojë se cila mund të jetë masa e sigurisë”, - sqaroi Rama. Më tej ajo shtoi se problem mbetej edhe aplikimi i masave të sigurisë arrest shtëpie. “Dënimi i këtyre personave është i barabartë me paraburgimin. Persona janë dënuar me kushtet e arrestit në shtëpi. Kjo shkakton një pandëshkueshmëri reale të personit.
Gjykata e Tiranës rikthen në qeli dy agjentët që bashkëpunuan me hajdutët
Gjykata e Tiranës vendosi dje të rikthente në qelitë e paraburgimit dy agjentët e policisë kriminale të Komisariatit Nr. 3, Preng Frroku dhe Besnik Preni. Dy ish-efektivët e policisë u arrestuan tri ditë më parë pas një përgjimi tremujor nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Task-Forcës se Prokurorisë së Tiranës. Sipas akuzës, agjentët merrnin shpesh pagesa nga disa hajdutë që e zhvillonin aktivitetin e tyre kriminal në linjat e transportit publik në Tiranë në shuma që varionin nga 10 mijë deri në 30 mijë lekë të rinj në muaj. Në këmbim të kësaj, dy agjentët kriminalë i lejonin hajdutët të operonin në zonën që mbulonin ata, pa u marrë denoncimin të dëmtuarve. Kështu, hajdutët ishin të lirë të vidhnin në autobusët urbanë, pa pasur frikë nga ndëshkimi policor. Edhe gjatë vlerësimit të masës së sigurisë nuk u arrit të dalë ndonjë provë që i implikonte ata në fshehje të provës së krimit, kështu që akuza mbetet po ajo e arrestimit “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Dy punonjësit e policisë nuk kanë mundur dot të kundërshtojnë akuzën e ngritur edhe për shkak të përgjimeve të paraqitura në gjykatë, ku vërtetohej marrja dhe kërkimi i ryshfetit. Autobusët urbanë janë pre e vjedhësve të xhepave për vite të tëra, por ndëshkimet ndaj tyre kanë qenë të pakta, duke e legalizuar pothuajse si një biznes më vete për hajdutët. Kundrejt tyre, policia, e cila e konsideron edhe si një veprimtari kriminale të rrezikshmërisë së ulët, asnjëherë nuk ka pasur një strategji për ta luftuar atë dhe shpesh i ka neglizhuar denoncimet e qytetarëve të dëmtuar.
Gjykata e Korçës i jep fund dilemës së familjarëve për vdekjen e 17-vjeçarit
Gjykata e Shkallës së Parë e Korçës rrëzoi dje kërkesën për hetim të prindërve të 17-vjeçarit Mikel Ajce, trupi i të cilit u gjet i pajetë varur në një pemë në Bilisht më 22 shkurt të vitit 2008.
Prindërit kërkuan hetim dhe zhvarrosjen e trupit të të riut për të zbardhur ngjarjen, e cila, sipas fakteve të mbledhura prej tyre, është një vrasje e mirëfilltë, por kjo kërkesë është rrëzuar sot nga Gjykata e Faktit në Korçë. Vendimi për moshapjen e hetimeve u mor gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Shkallës së Parë pas disa seancave të shtyra nga kjo gjykatë për këtë çështje. Të pranishëm në sallë ishin prindërit e Mikel Ajçes, të cilët pretendojnë se djali i tyre është vrarë dhe jo vetëvrarë.
Gjyqtarja Sonila Voskopi e argumentoi se për të rinisur hetimet nevojiten argumente të forta për rihapjen e dosjes. Ishin prindërit e 17-vjeçarit, të cilët dorëzuan në Gjykatën e Korçës më 15 mars të këtij vitit kërkesën për rihapjen e çështjes. Trupi i Mikel Ajçes u gjet i pajetë varur në një pemë në Bilisht më 22 shkurt të vitit 2008. Ngjarja e rëndë u rikthye në vëmendjen e opinionit publik pasi prindërit kanë vendosur të flasin duke kërkuar madje zhvarrosjen e viktimës. Prindërit pretendojnë se djali i tyre është vrarë nga përfaqësues të stafit mësimdhënës. Sipas tyre, i riu është varrosur me shenja dhune në trup, në pjesën e poshtme të tij, deri në heqjen e organeve gjenitale. “I thashë doktorit në morg që djali nuk ka shenja të litarit në qafë, ai nuk m’u përgjigj. E pyeti dikush tjetër pse kishte një goditje në fund të barkut, në anën e djathtë, dhe doktori tha se i kishte zorrët e prishura. Duam vetëm të vërtetën”, - thonë prindërit. Vjollca dhe Halim Ajçe, prindërit e Mikelit, deklarojnë se ai u vra në mënyrë makabre pas dhunës së ushtruar ndaj tij dhe më pas drejtori i shkollës, bashkë me persona të tjerë sajuan vetëvrasjen, duke bërë gati dhe një letër lamtumire, e cila nuk mbërriti kurrë në duart e tyre. Ata kanë kërkuar nga ana e Gjykatës së Korçës rinisjen e hetimeve, pasi dyshojnë se djali i tyre nuk ka gjetur vdekjen si pasojë e vetëvarjes, siç konkluduan hetimet në kohën e ngjarjes, por është vrarë nga tre persona në ambientet e shkollës dhe më pas është inskenuar vetëvarja për të humbur gjurmët.
10 Prill 2010