Statusi i minatorit diskutohet me sindikatat
Projektligji “Për Statusin e Minatorit” është diskutuar dje në një panel më të zgjeruar për të shkëmbyer opinione. Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali ka pritur përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, si dhe përfaqësues nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë. Në këto takime, zëvendësministri ka theksuar rëndësinë që ka diskutimi i projektligjit me sindikatat në mënyrë që të nxirret një kuadër ligjor sa më i mirë. “Grupi i punës ka synuar të njohë në detaje përvojën e vendeve të tjera të BE. Ne kemi studiuar legjislacionin e shumë vendeve të Bashkimit Evropian, si Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe kemi konstatuar faktin që në trajtimin e veçantë të këtyre punonjësve, rol të veçantë kanë sindikatat e tyre”, u shpreh Alibali. Përfaqësuesit e sindikatave ranë dakord për shqyrtimin e mëtejshëm të projektligjit dhe për propozimet e tyre në vijim.