E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kek & Co, emrat për ti bërë presion Besnik Hasit

Nga Adi Metaliu

Presidenti Duka pret fjalën e fundit të ndihmëstrajnerit të Anderlehtit, i cili kërkon kontratë 4-vjeçare

Afati i fundit (deadline) i premtuar nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, për zyrtarizimin e trajnerit të kombëtares është në limitet e tij. Nesër mbyllet java, brenda së cilës Duka duhet të zbulojë emrin e drejtuesit të pankinës kuqezi. Besnik Hasi është trajneri që të gjithë presin ta shohin në krye të Shqipërisë, por duket se ditët e fundit palët janë larguar, për shkak të kushteve të kontratës.

Ndërkohë që Duka pret përgjigjen përfundimtare të Hasit, emra të ndryshëm qarkullojnë në media për vendin e trajnerit, por asnjë prej tyre nuk është marrë seriozisht nga FSHF. Nuk kam asnjë kontakt me Federatën Shqiptare të Futbollit, ndoshta kjo është punë menaxherësh, ka sqaruar Matjazh Kek, një nga kandidaturat më të përfolura për mediat sllovene.

Presion Hasit Nga Ervin Kuman te Matjazh Kek, emra të njohur të trajningut europian, e së fundmi tek Enriko Fabro, italiani që njihet mirë nga Igli Tare. Kam disa propozime dhe brenda javës do të vendos, u shpreh Duka në mesjavë, por në asnjë moment nuk komentoj, qoftë për ti mohuar, emrat e përfolur nga media. Besik Hasi ka në tavolinë kontratën e ofruar nga Duka dhe të gjitha rivalët e tij mediatikë janë hedhur në treg më shumë për ti bërë presion ndihmëstrajnerit të Anderlehtit, i cili ka kushtet e tij për ta pranuar këtë detyrë.

Duka, kontratë 2-vjeçare Presidenti i FSHF-së është i vendosur sa u përket kushteve të kontratës. Ai kërkon që Hasi të nënshkruajë për një edicion, pra kontratë 2-vjeçarë, me mundësi rinovimi nëse palët mbeten të kënaqura. Por nuk është dakord Hasi me këtë kusht të Dukës. Ish-futbollisti kuqezi, tashmë 40 vjeç, është i bindur që projekti i tij kërkon një kohë më të gjatë. Kjo është arsyeja që ai nuk pranon kontratë më pak se 4-vjeçare. Në këtë pikë palët duhet të tolerojnë, për të arritur një kompromis të qëndrueshëm.

Marrëveshja me Anderlehtin Besnik Hasi mund ta pranojë ofertën e Dukës për kontratë 2-vjeçare në rast se arrin marrëveshjen me Anderlehtin për të mbajtur të hapur mundësinë e rikthimit. Ai e ka të vështirë ta prishë në mënyrë të njëanshme kontratën si zëvendëstrajner dhe të marrë drejtimin e Shqipërisë, pa e ditur se cili mund të jetë pozicioni i tij pas dy vjetësh. Dëshira e Hasit për të drejtuar Shqipërinë është shumë e madhe, por në të njëjtën kohë e rrezikshme për një trajner të ri, i cili, pasi ka lënë futbollin, nuk ka drejtuar asnjëherë si trajner i parë.

Enriko Fabro, një tjetër emër për kombëtaren

Italiani Enriko Fabro është trajneri i radhës që i shtohet listës për pankinën kuqezi. Mediat italiane japin lajmin, duke theksuar se sponsori i tij është Igli Tare. Të dy e njohin mirë njëri-tjetrin, pasi punojnë në të njëjtin klub. Trajneri roman, i cili ka një eksperiencë edhe në Algjeri, nën drejtimin e Mouloudias, ka qenë gjithashtu afër Dinamos së Tiranës dhe përfaqësueses së Zambias, thuhet në portalin Sportal.it.

Veçohet fakti se Enriko Fabro ka një sponsor të shkëlqyer, ish-kapitenin e kombëtares shqiptare, Igli Taren, krahun e djathtë të presidentit Klaudio Lotito e që e vlerëson në mënyrë të veçantë Fabron, me të cilin bashkëpunon prej një kohe të gjatë te Lacio, ku Enriko ka drejtuar skuadrat e të rinjve deri verën e shkuar.

Admir Teli, golin e parë për Karabakun

Mbrojtësi i kombëtares sonë, Admir Teli, ka shënuar golin e parë të takimit KarabakBaku 2-1 në minutën e 7-të. Në fund të pjesës së parë, miqtë kanë barazuar, por sapo ka filluar e dyta Karabaku ka kaluar sërish në avantazh. Edhe Ansi Agolli ka luajtur titullar, madje ka rezultuar ndër më të mirët në fushë për skuadrën e Karabakut, që mban vendin e dytë në renditje pas Khazarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›