E Diel, 1 Nëntor 2026

Tifozët korçarë: U rikthye ekipi, po rikthehemi edhe ne!

Nga LEONARD TREBICKA

Të hënën ndaj krutanëve ultrasit korçarë premtojnë se do ta mbushin stadiumin, duke besuar te fitorja dhe ngjitja graduale në renditje

Skënderbeu Kastrioti (e hënë 18:00)

Skënderbeu: Shehi, Radas, Bicaj, Gvozdenoviç, Arapi, Bratiç, Shkëmbi, Allmuça, Kërçiku, Muzaka, Xhafaj. Trajner: S. Levi.

Bilanci

15 ndeshje (+7 =2 -6. Gol: 8-17)

Fitorja e fundit e Skënderbeut:

2-0, më 2.4.2000

Barazimi i fundit:

0-0, më 6.2.2011

Fitorja e fundit e Kastriotit:

2-0 më 26.4.2008

Gjyqtar: Laver Alla

Stadiumi: Skënderbeu, Korçë

Skënderbeu flitet se është rikthyer në fushën e lojës si në sezonin e kaluar. Kjo u duk qartë në lojën që Skënderbeu zhvilloi në ndeshjen e fundit në Durrës, ku pavarësisht se kuqebardhët morën vetëm një pikë, loja e Skënderbeu ka bindur. Kjo lojë ka treguar qartë se Skënderbeu është rikthyer, por kaq nuk mjafton, pasi më shumë se kurrë kampionëve u interesojnë pikët.

Gjithsesi, të hënën e ardhshme nuk pritet që të rikthehen vetëm futbollistët në fushën e lojës, me fitoren kaq shumë të pritur, por pritet që bashkë me ta të rikthehen edhe tifozët në shkallët e stadiumit. Deri tani në tri ndeshje që Skënderbeu ka luajtur në shtëpinë e vet, numri mesatar i sportdashësve nuk ka qenë më shumë se 2 mijë në shkallët e stadiumit, një mesatare shumë e ulët, duke e krahasuar me sezonin e kaluar, teksa mesatarja ka qenë mbi 5 mijë sportdashës në një ndeshje.

Kjo mungesë e tifozëve ka ndodhur ngaqë gjendja e skuadrës nuk ka qenë ajo që pritej dhe rezultatet i kanë zhgënjyer shumë tifozët, të cilët kanë gjetur edhe këtë zgjedhje, duke braktisur stadiumin “Skënderbeu”.

Ujqërit Këtë herë gjërat kanë ndryshuar dhe shoqata e “Ujqërve të dëborës”, dje, tri ditë përpara ndeshjes ndaj Kastriotit, ka deklaruar se ka ardhur momenti i tifozëve korçarë. “U kërkojmë ndjesë edhe futbollistëve në fushën e lojës, që gjatë këtyre javëve të para nuk i kemi përkrahur, pasi kjo ka ndikuar edhe pas atyre zhgënjimeve që ne patëm, pas humbjeve në Champions, por edhe në Superkupë.

Në tri javët e para të sezonit në shtëpi, ne si shoqatë u kemi bërë thirrje të gjithë tifozëve që ta përkrahin ekipin e tyre të zemrës, por zhgënjimi i tifozëve ka qenë i madh. Gjithsesi, ne premtojmë se me lojërat që ka zhvilluar skuadra në ndeshjet e fundit, edhe tifozët do të kthehen. Ekipi të mos ketë merak pasi edhe tifozët do të rikthehen dhe ne presim vetëm atë, që lojtarët të bindin, pasi ne patjetër që, duke filluar qysh ndaj Kastriotit, do të jemi lojtari numër 12 në fushën e lojës.

Ne kemi besim të plotë te Skënderbeu dhe do ta mbështesim ekipin edhe në këtë moment, pasi tani ka nevojë më shumë se kurrë më parë,” – përfundon deklarata e shoqatës së tifozëve. Atëherë duhet të presim të hënë për të parë se sa do ta mbajnë fjalën tifozët e Skënderbeut, të cilët kujtojmë se në barazimin ndaj Kamzës kanë qenë vetëm 1.553 sportdashës, numër të cilin firma private e biletave e bën të ditur menjëherë sapo përfundon ndeshja në stadiumin “Skënderbeu”.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›