E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha si finale, transfertat vendimtare për titullin

Nga Erjon SALIU

Apolonia ka një ekip simpatik që duhet respektuar, por ne shkojmë në Fier për ta fituar ndeshjen, nisur nga forma e mirë që po kalojmë

 Bardheblutë janë duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në prag të sfidës me Apoloninë, që do të zhvillohet nesër në orën 13:00, në stadiumin Loni Papuçiu të qytetit të Fierit. Tirana do të ketë në transfertën fierake edhe shërbimet e kapitenit dhe një prej lojtarëve me më shumë eksperiencë, mbrojtësit të djathtë, Elvis Sina. Ky i fundit mungoi ndaj Bylisit dhe e ndoqi ndeshjen nga tribuna për shkak se ishte i pezulluar me tre kartonë të verdhë.

Në prag të transfertës me Apoloninë, në një prononcim për mediat, pistoni i djathtë i 24 herë kampionëve, Elvis Sina, ka pohuar: Kjo është Tirana që kanë kërkuar të gjithë, mirëpo nuk mund të bëjë krahasime me vite. Trajneri spanjoll ka një filizofi që shpalos në stërvitje dhe për këtë ka meritë të madhe, pasi ka futur një frymë ndryshe në skuadrën tonë, si në aspektin psikologjik dhe atë taktik.

Madje edhe ai ka shpirt bardheblu. Për sa i përket ndeshjes së radhës që do të luajmë në transfertë me Apoloninë, sfida duket e thjeshtë në pamje të parë, por fierakët kanë një ekip me ambicie dhe nuk falin në fushën e tyre. Megjithatë, ne momentalisht jemi në krye dhe të gjithë gëzojmë një formë të mirë, kështu që shkojmë atje për të marrë tri pikët. Por nuk duhet të harrojmë se është një ndeshje që do të luhet në transfertë dhe mbart brenda vështirësi të ndryshme, – pohoi fillimisht kapiteni Elvis Sina.
Mbështetja Ekipi ka shumë kohë që funksionon, që para se të kthehej në sh.a., puna po ecte shumë mirë, pasi nga presidenti dhe drejtuesit u ndoq një strategji ndryshe. Shtysë më e madhe ishte ndryshim i statusit. Prania e kryebashkiakut, fjalët e tij për mbështetjen ndaj ekipit, ishin të ngrohta dhe domethënëse, duke rikthyer qetësinë si te drejtuesit, tifozët, por edhe te ne lojtarët, pasi do të ketë më shumë garanci për të ardhmen.
Mbrojtja Te bardheblutë, ashtu siç janë shënuar gola, këtë sezon ka edhe shumë të pësuar, pothuajse në të gjitha ndeshjet e kampionatit. Mirëpo Sina, duke qenë se është pjesë e repartit difensiv, nuk mendon se fajtore është mbrojtja: E kemi vënë re edhe ne, por nuk mund të them se mbrojtja ka probleme, por e pranojmë që kanë qenë disa gabimet prej nga kanë ardhur edhe golat që kemi pësuar. Por fatmirësisht nuk na kanë kushtuar te pikët, pasi ekipi ka reaguar, duke shënuar dhe ka fituar në ato përballje ku janë pësuar gola, – tha mes të tjerash Sina.
Bylisi Fillimi i ndeshjes nuk më pëlqeu, pasi Bylisi dukej inferior, por nuk rezultoi kështu, pasi loja i tregoi ndryshe ballshiotët. Golin e parë e pësuam nga një gabim në rreshtim. Kurse në pjesën e dytë u ndryshuan shumë gjëra, skuadra fillioi të funksiononte më mirë dhe tregoi më shumë grintë.

Jo vetëm kaq, por u treguam më të qartë taktikisht dhe si rrjedhojë fituam ndeshjen. Për mua ka qenë shumë e vështirë që e shihja ndeshjen nga tribuna. Sepse takimin e përjeton me më shumë emocione, sidomos kur skuadra është në disavantazh është e vështirë, – e mbylli prononcimin e tij mbrojtësi Elvis Sina.

2 Ndeshje nuk ka luajtur në gjashtë javët që kanë kaluar kapiteni Elvis Sina, në prologun e kampionatit ndaj Teutës si dhe një javë më parë ndaj Bylisit

6 Pikë është diferenca mes Tiranës dhe Apolonisë, bardheblutë ndodhen në vendin e parë të tabelës së renditjes, kurse fierakët në të 11-tin

 

2 Trofe ka fitur sezonin e fundit me kryeqytetasit Sina, pikërisht Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën

Rubio sbën ndryshime në formacion

Trajneri i bardhebluve, Hulian Rubio Sançez, ndryshe nga ndeshjet e kaluara, kur shpeshherë ka vënë dorë në 11-shen e parë, duke bërë vazhdimisht ndryshime qoftë edhe në pozicionet e lojtarëve, duket se ndaj Apolonisë do të luajë thuajse me 11-shen e javës që shkoi. Spanjolli Rubio, në Fier do të ketë edhe një armë më shumë në mbrojtje, kapitenin Elvis Sina, i cili nuk u aktivizua një javë më parë ndaj Bylisit për shkak se kishte plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë.

Në përballjen e nesërme, Tirana do të zbresë në fushën e lojës me këtë 11-she: në portë Lika; në mbrojtje Sina dhe Ahmataj nga krahët; në qendër Pisha dhe Dushku. Përpara mbrojtjes do të luajë Karabeci. Në mesfushë Morina dhe G.Lika nga krahët, Taku dhe Duro në qendër. Në sulm do të luajë si pykë Bekim Bala, goleadori më i mirë i kryeqytetasve, i cili do të mbështetet nga Duro, Lika dhe Morina.

Bala tregon formë të mirë edhe në stërvitje

Bomberi i bardhebluve, Bekim Bala, përveç golave në ndeshjet zyrtare, po tregon një impenjim edhe në seancat stërvitore. Bekimi edhe në ndeshjet brenda grupit që aplikohen nga trajneri Rubio, nuk ndalet dhe shënon. Duket se ky do të jetë sezoni i Balës. Sulmuesi shkodran deri më tani ka shënuar gjashtë gola në kampionat, ndërkohë që të mërkurën që shkoi pati sërish merita, sepse u dha fitoren bardhebluve në një tjetër ndeshje të rëndësishme, transfertën me Laçin.

Seanca e fundit paradite, pasdite drejt Fierit

Bardheblutë do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore sot paradite në kompleksin Skënder Halili, kështu është porgramuar nga ana e stafit drejtues. Ndërkohë, në mesditë lojtarët do të lihen pushim, ndërsa pasdite do të grumbullohen sërish në ambientet e stadiumit Selman Stërmasi, ku do të nisen drejt Fierit edhe do të grumbullohen një natë para ndeshjes, që do të luhet nesër në orën 13:00.

Tifozët, mbështetje maksimale idhujve të tyre

Pritet që nesër në Fier të ketë edhe një numër të konsiderueshëm tifozësh që do të udhëtojnë nga Tirana drejt qytetit myzeqar. Ultrasit kryeqytetas janë shumë të kënaqur me paraqitjen bindëse të ekipit të tyre të zemrës, kështu që nuk kanë ndër mend ta braktisin në një transfertë vendimtare si ajo me Apoloninë. Pritet që të ketë edhe organizim nga drejtuesit, ashtu siç ka nodhur në disa takime të javëve të shkuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›