Vllaznia mendjen te trajneri, gati harrohet Pogradeci
Nga GJERGJ KOLA
Kuqeblutë do të kërkojnë fitoren, në mënyrë që të ndryshojnë imazh sa më shpejt, pavarësisht mungesa të shumta në formacion
Vllaznia Pogradeci (sot 16:00)
Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Petroviç, Danaj, Gocaj, Belisha, Muça, Nimani, Djepaxhia, Vajushi, Sukaj. Trajner: E. Plori.
Pogradeci: Petrovski, Balla, Kllogjeri, Çerepi (Drazhanin) Larti, Elmazi, Çela, Nastevski, Jahaj (Çipi), A. Çekiçi, Saviç. Trajner: Y. Çekiçi.
Bilanci
10 ndeshje (+10 =0 -0. Gol: 26-5)
Fitorja e fundit e Vllaznisë:
2-1, më 7.3.1993
Gjyqtar: Enkeled Dobi
Stadiumi: Loro Boriçi, Shkodër
Duhej të ishte ndryshe, por në fakt opinioni sportiv shkodran, më shumë sesa te ndeshja e radhës e Vllaznisë, ajo që do luajë sot ndaj Pogradecit, e ka pasur mendjen te zgjedhja e trajnerit të ri. Të gjithë pyesnin prej ditësh se kush do të jetë pasuesi i Josës në pankinë dhe kjo situatë natyrshëm që nuk mund të kalonte pa u ndier edhe te skuadra, e cila natyrisht që nuk po kalon momente të mira. Situata lë shumë për të dëshiruar, sepse ndryshe ishin menduar gjërat dhe ndryshe po shkojnë.
Largimi i trajnerit Josa dhe rezultatet e fundit jo pozitive, kanë bërë që atmosfera në skuadër të jetë jo në nivelin e duhur. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit shkodran kanë menduar ta largojnë skuadrën nga qyteti dhe që nga mbrëmja e së enjtes e kanë grumbulluar atë në një nga hotelet e plazhit të Velipojës, për ta lënë larg presionit dhe zhurmës që ekziston rreth saj.
Edhe stërvitja e djeshme është zhvilluar në Velipojë dhe trajnerët Plori e Dani janë munduar tu bëjnë të qartë lojtarëve se ata e kanë në dorë nxjerrjen e skuadrës nga pozicioni ku ndodhet . Edhe në këtë ndeshje, Vllaznia, ashtu si ndaj Bylisit të mërkurën për kupë, do të drejtohet nga zëvendëstrajneri Elvis Plori, që thotë: Situata nuk është e mirë, megjithatë, nga kjo gjendje Vllazninë nuk mund ta nxjerr unë i vetëm, apo kushdo qoftë trajner.
Nga kjo situatë në radhë të parë duhet ta nxjerrin futbollistët, sepse vetëm ata janë në gjendje ta bëjnë këtë. Mendoj se ndaj Pogradecit kemi për të parë një lojë ndryshe, më me shumë grintë dhe dëshirë në fushë dhe kam shumë besim se do të marrim një fitore në këtë takim. Për këtë ndeshje, Vllaznia do të ketë sërish disa mungesa në formacion.
Kështu, kapiteni Sinani sërish nuk do jetë i gatshëm as për këtë takim, ngaqë vazhdon të jetë i dëmtuar. Po ashtu, probleme dëmtimesh kanë edhe Popoviç e Hasani, ndërkohë që mbrojtësi Sykaj do mungojë për arsye kartonësh. Më këto mungesa duket se do ketë sërish probleme, megjithatë këtë hërë pritet një reagim i skuadrës për tu rikthyer te fitorja.
Formacioni Për ndeshjen e sotme, Elvis Plori, trajneri që do të drejtojë skuadrën ndaj Pogradecit, ka jo pak probleme për ndërtimin e formacionit. Kjo ngaqë mungojnë disa futbollistë për arsye kartonësh apo dëmtimesh dhe kjo ka krijuar jo pak amulli në këtë drejtim. Mungesa e Sykajt të ndëshkuar me karton të kuq në takimin me Flamurtarin, do të bëjë që Danaj të kalojë në qendër të mbrojtjes përkrah Petroviçit.
Në të djathtë është Smajli, ndërsa në të majtë do luajë edhe këtë herë Gocaj. Në mesfushë ndërkohë ka pak dilemma, ngaqë nuk dihet ende si do ta kompozojë trajneri Plori vendosjen. Në qendër të mesfushës do jetë me shumë mundësi sërish dyshja Belisha-Muça, ndërsa në të djathtë mund të rikthehet Nimani dhe në të majtë ndoshta luan Djepaxhia, kurse arma më e fortë është pa dyshim dyshja e sulmit Vajushi-Sukaj, që do ta nisë sërish ndeshjen nga minuta e parë edhe këtë herë.
Humor për ekipin në këshillin bashkiak
Dje, në Shkodër, është zhvilluar mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të këtij qyteti dhe, ndonëse në rendin e ditës nuk ka pasur asnjë pikë për sportin, Vllaznia u ka marrë këshilltarëve një orë kohë me diskutime, debate dhe madje edhe humor të shkaktuar në sallë.
Këshilltarë të ndryshëm kanë hapur diskutimin me gjendjen që po kalon Vllaznia, largimin e trajnerit, por edhe dyshimet e hedhura së fundit për trukimin e ndeshjes me Kastriotin. Se ka humbur Vllaznia nuk është fundi i botës, sepse humbet Barcelona dhe nuk bëhet kaq bujë. Kështu ka qenë edhe më përpara dhe nuk është bërë kaq problem sa tani, – ka qenë batuta e kryetarit të këshillit bashkiak, Bardhyl Lohja.
Ndahet nga jeta ish-futbollisti Bep Çefa
Është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare ish-futbollisti i Vllaznisë së viteve 60, Bep Çefa. Ai është përcjellë sot për në banesën e fundit nga familjarët, miqtë dhe të afërmit e tij, por nuk kanë munguar edhe njerëzit e sportit me të cilët ai ka kaluar shumë vite. Çefa ka luajtur si sulmuesi i majtë në vitet 60 me Vllazninë pëkrah emrave të tillë si Frederik Çapaliku, Osman Djepaxhia etj, ndërkohë që gjatë dy viteve të shërbimit ushtarak ka luajtur edhe për Labinotin e Elbasanit, ndërsa ka mbaruar edhe Teknikumin e Fiskulturës në degën gjimnastikë dhe, për rrjedhojë, pas lënies së sportit ka qenë për disa vite trajner i ekipit të gjimnastikës, duke dalë disa herë kampion i vendit me të.