Komisioni i Partneritetit të Kartës “Adriatik 5”: Shqipëria, model për vendet e Ballkanit, në rrugën e anëtarësimit në NATO
“Vendimi i viti të kaluar për të ftuar Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi në Bashkëpunimin e Kartës së Adriatikut, tregoi, dhe më tej, se logjika e të punuarit së bashku, është rrënjosur tashmë në këtë rajon”.
Kështu deklaroi dje Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i pranishëm në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut.
Takimi i Ministrave të Jashtëm të Komisionit të Partneritetit të Kartës “Adriatik 5”, që kryesohet nga Shqipëria, filloi dje punimet në Tiranë, Ky takim, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, ka mbledhur përfaqësues nga Bosnje-Hercergovina, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Stuart Jones, Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Kroacisë, Ambasadori i SHBA në Tiranë, John Withers, e të tjerë personalitete.
Jaap de Hoop Sceffer
“Bashkëpunimi ka zëvendësuar konfrontimin dhe kjo ka hapur mundësi të jashtëzakonshme për tërë Evropën Juglindore”, tha Scheffer.
Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer tha se “unë kam qenë një mbështetës i palëkundur i politikës së dyerve të hapura të NATO-s”.
Për këtë arsye, Scheffer tha se “isha shumë i lumtur që në samitin e fundit të NATO-s në Strasburg dhe Kehl, ne ishim në gjendje të mirëprisnim Shqipërinë dhe Kroacinë si anëtare me të drejta të plota në Aleancë”.
Duke e vlerësuar anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë si shembull për vendet e rajonit, Scheffer u shpreh se “Kjo arritje duhet të shërbejë si shembull se çfarë mund të arrihet, dhe unë shpresoj, do të jetë një inkurajim i mëtejshëm për ato vende të këtij rajoni të cilat ndajnë të njëjtin objektiv për t’ju bashkuar Aleancës së Atlantikut si anëtare me të drejta të plota”.
Duke folur për vendet e tjera të rajonit, Scheffer tha se “Ne jemi tërësisht të vetëdijshëm se jo të gjitha vendet në këtë rajon e kanë pasur mundësinë të realizojnë këtë ambicie, por logjika e integrimit nëpërmjet zgjerimit të NATO-s mbetet gjithmonë e vlefshme. Kjo është arsyeja pse dera e NATO-s do të mbetet përherë e hapur”.
Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje punimet e takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Komisionit të Partneritetit, të Kartës “Adriatik 5”.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh se kjo do të jetë për Shqipërinë një ngjarje shumë e rëndësishme, mbajtja e Samitit të Kartës së “Adriatikut 5”, e cila, e themeluar disa vite më parë në këtë ndërtesë, ku siç u shpreh kryeministri, është bërë një mjet shumë i rëndësishëm për vendin tim, për Kroacinë, Maqedoninë, për të dhënë shtysë drejt anëtarësimit në NATO.
Kryeministri u shpreh se Karta e “Adriatikut 3” ka pasur mbështetjen dhe vëmendjen e plotë të liderëve të NATO-s dhe SHBA.
“Kjo ka një rëndësi themeltare për progresin tonë dhe bashkëpunimin midis vendeve anëtarë të kësaj karte, si një plan i shkëlqyer veprimi në rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Edhe një herë, do të doja t’ju përshëndetja, t’i shprehja mirënjohje të thellë qeverisë amerikane, sepse mbështetja e saj ka pasur një rol vendimtar në suksesin tonë dhe të Kroacisë për anëtarësimin dhe pa dyshim, do të ketë një rol vendimtar gjithashtu për anëtarë të tjerë të kësaj Karte, për t’u bërë anëtarë të NATO-s në të ardhmen”, tha Berisha.
Lulzim Basha
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë takim u ndal në tri momente kryesore, “në meritat e procesit të anëtarësimit, tregues i qartë i politikës proaktive të zgjerimit të NATO-s, në perspektivën e anëtarësimit dhe rikonfigurimin e formatit nga A3 në A5, në kontekstin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë pas zgjerimit të fundit”.
Duke iu referuar politikave të NATO-s, për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor për vitin 2009-të, Basha u shpreh se “anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk ishte një dhuratë, sepse NATO është tepër e çmuar për t’u dhënë si e tillë”.
Ministri Basha cilësoi se arritja e këtij procesi ishte produkt i mirëfilltë meritash të akumuluara ndër vite, rezultat i reformave të guximshme dhe të suksesshme, në fushën politike, ushtarake, ekonomike, sociale e juridike.
Referuar punës dhe reformave të ndërmarra nga qeveria për arritjen e këtij qëllimi, ministri Basha u shpreh se “këto reforma kishin në themel të tyre, vullnetin e pakthyeshëm politik të qeverisë shqiptare, mbështetjen masive e të pakursyer të qytetarëve shqiptarë dhe bashkëpunimin konstruktiv të të gjithë aktorëve politikë pa asnjë përjashtim”.
Ministri Basha, vuri në pah rëndësinë që ka ky takim për të gjitha vendet ballkanike. Referuar qëllimit thelbësor të këtij takimi, Ministri Basha u shpreh se “Synimi ynë i përbashkët është për t’i dhënë cilësi të reja imazhit të këtij rajoni, me prirjen e pakthyeshme të integrimit Euro-Atlantik të vendeve dhe popujve tanë”.
Pavarësia e Kosovës ka qenë një ndër shembujt që Ministri Basha ka sjellë për të ilustruar paqen dhe stabilitetin në rajonin Ballkanik.
Deklaratë e përbashkët e Ministrave të jashtëm Komisionit të Partneritetit të Kartës “Adriatik 5”
“Serbia dhe Kosova t’i bashkëngjiten Kartës ‘Adriatik 5’”
TIRANE - Vendet e Komisionit të Partneritetit të Kartës “Adriatik 5” në përfundim të takimit të zhvilluar dje në Tiranë shprehën mbështetjen për Serbinë dhe Kosovën që t`i bashkëngjiten kësaj nisme rajonale.
Në një deklaratë të përbashkët, të Komisionit të Partneritetit të Kartës Adriatik 5, shprehet “dëshira dhe përkushtimi i vendeve të rajonit që dhe Serbia e Kosova t'i bashkëngjiten iniciativës së suksesshme të Kartës së Adriatikut”. “Kjo do të hapte përfundimisht perspektivën euroatlantike për këto dy vende, për t'u siguruar vendin e tyre në një rajon të asoociuar plotësisht në NATO dhe BE, që lë prapa të kaluarën e hidhur të konfliktit dhe ecën përpara në frymën e bashkëpunimit drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratën e përbashkët të Ministrave të Punëve të jashtme përgëzohet Shqipëria dhe Kroacia për anëtarësimin e tyre historik në Aleancë, si dhe përpjekjet në rritje të Maqedonisë për të qenë anëtare e kësaj aleance.
Duke ripërsëritur Deklaratën e Samitit të Strasburg/Kehlit, e cila vlerëson punën e vazhdueshme e të shkëlqyer të KFORI-t, nën drejtimin e NATO-s dhe vendosjen në Kosovë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit-EULEX, hartuesit e kësaj deklarate shprehen se, “Ne mbetemi tërësisht të angazhuar për të mbështetur krijimin e strukturave të miratuara të sigurisë multi etnike në Kosovë”.
Nënshkruesit e kësaj deklarate shprehin bindjen se “perspektiva Euro-Atlantike e Ballkanit Perëndimor është forca kryesore lëvizëse për ecurinë e reformave kombëtare dhe procesin e transformimit në rajon dhe se ajo është shtysa më e rëndësishme për stabilitet të qëndrueshëm politik, social dhe ekonomik”.
Pas Shqipërisë, kryesimin e Kartës së Adriatikut pritet ta marrë në gjysmën e dytë të vitit 2009, Bosnje-Hercegovina, si anëtari i parë i ri i kësaj nisme.