E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini ka marrë mallkimin “e gjetsh nga mos e pandehsh!”

Shumëkush as që nuk e di se ekziston, në atë mori partish politike, një parti me emrin „Parti e Punës e Shqipërisë së Ridimensionuar“, me siglën PPSHR. Është fakt se Enverit, gjithmonë e më tepër, iu bë si huq pleqërie që ta bënte PPSH-në , me byroistë injorantë. Lenkat, Palët, Muhot e kallam kusuri ishin të denjë për të drejtuar një shtet të tërë komunist, jo për virtyt të kulturës apo të intelektit, por për devotshmërinë e tyre ndaj njëshit. Ishin personat e katandisur  në reflekset e kondicionuara të qenit të Pavlovit: Amin! E. Hoxha ka qenë përherë xheloz përkundrejt intelekteve partiakë në kohën e hershme të Partisë, në persona si Qemal Stafa, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova e të tjerë. Edhe njerëz me personalitet dhe me autoritet për aftësitë drejtuese, si Mehmet Shehu,  Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, ishin vënë në rrethin e kuq të fshirjes, kur t’i vinte rasti.
Tani, me ate fjalën  ridimensionuar, në vendin e gabuar në titull të partisë,  nuk kuptohet se cila është e ridimensionuar: partia apo Shqipëria? Ashtu siç është shkruar në shtyp, përligjen të gjitha ato që janë shkruar më sipër për nivelion e kësaj partie . Mjafton të lexojmë këtë frazë: “Tashmë është kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë së Ridimensionuar,  ...”. Lapsus? Por kemi edhe titullin PS-PPSHR! Nuk pati ndonjë njeri, në këtë parti që e paska lënë trashëgim Enveri, që të shmangte gabimin sintaksor dhe  të shkruhej PRPSH?  P. e Ridimensionuar e Punës e Shqipërisë? Shqipëria e ridimensionuar do të ishte një non sens!
Muho Asllani ishte më i saktë, duke mos ia ndryshuar emrin fare: PPSH-ja (e tanishme, nënkuptorhet). Veçse nuk dihet ndryshimi i kësaj partie me partinë e Hysni Milloshit!
Këtu kemi të bëjmë me parti enveriste, pavarësisht nga emrat. Në të vërtetë edhe vetë PS -ja është emërndërruar. Edhe organi i zyrtar i saj është „Zëri i Popullit“, si në kohën kur e krijoi Enveri, pavarësisht nga heqja tanishme e sloganit për proletarët e të gjithë botës, që duheshin bashkuar si edhe nga heqja e emblemës së draprit e çekanit. Të gjitha këto nuk janë veçse një kozmetikë thuajse groteske, për të mbuluar keqazi të vërtetën. Se qenkan, pra,  parti demokratike, që respektojnë pluralizmin (!), ndonëse dihet alergjia patologjike e E. Hoxhës për mendimin ndryshe!
Veçse shanset zgjedhore i pati vetëm PS-ja, që mori emrin e partisë së Betino Kraksit (duke bërë një kërcim akrobatik) dhe nuk denjoi, së paku, të afrohej me ndonjërën nga partitë që e kishin ruajtur, në atë kohë, një frymë sado të flashkët stalinizmi! U ruajtën aparencat dhe fasadat. Por, në thelb, nostalgjia mbeti!
*  *  *
Kryetari i PPSHR-së (ajo R = Ridimensionim!) me një përqindje zgjedhore thuajse të papërfillshme, sikundër edhe PKSH-ja e Milloshit, (me elektorat 0,5 %), i përvishet tanimë, Edvin Ramës, duke e quajtur përfaqësues të trusteve të lulelakrës dhe manipulator zgjedhjesh. Kryetari i këtij varianti të PPSH-së, në të vërtetë, ka hallin e së majtës që është pranë shpërbërjes tërësore, për shkak të megalomanisë së Ramës. Krahasimi i këtij kryetari të PPSHR-së me  LSI-në, për kah numri i mandateve të shumta që iu gllabëruan LSI-së nga Rama, doemos që është një teprim; sepse edhe po t’ia ketë vjedhur votat kryetari i PS-së, asaj të Ridimensionimit, nuk i ka rrëmbyer ndonjë gjë të madhe, sikundër e zhvati, përkundrazi,  sa mundi LSI-në. Tani edhe vetë të majtët e kanë kuptuar se cila nga forcat e mëdha i ka rënë më qafë LSI-së, qoftë edhe pa provat bindëse që u bënë publike nga ana e kandidatit të LSI-së, Dritan Prifti.
Por ajo që ka rëndësi në dëshminë publike të Marko Dajtit, kryetarit të PPSHR-së, pavarësisht nga përmasat e partisë së tij, është argumentimi i tij në manipulimet përmes përfaqësuesit ligjor të PS-së së Ramës në KQZ, Genci Gjonçajt, që ka ndikuar, sipas Dajtit, që të përjashtohet kjo forcë politike nga gara elektorale. – “Me eliminimin e PPSH-së së Ridimensionuar, - mëton Dajti, -  PS-ja llogariste që të përfitonte edhe disa vota tepër në zgjedhjet e qershorit”. Emri i Genci Gjonçajt është bërë i lakueshëm, tani, edhe nga parti të tjera të majta, duke qenë se ai është njeriu i Ramës në Bashkinë e Tiranës. Këto manipulime janë në rend të ditës tanimë, për orvatjet e Ramës në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, të cilin ish-kryetarja e Komisionit të zgjedhjeve të Partisë Socialiste, Zamira Çaka, e quan farsë zgjedhore.
Ndonëse janë duke u shtuar zërat kundërshtarë të Ramës për rikandidimin e tij, Edvini po punon në bazë, nga e cila kanë dalë të dhëna që kryetari i lëkundur tashmë në ofiqin e tij drejtues po përdor kërcënimet, por edhe joshjet korruptive, për të bërë shumicën në kongres.
Këtu e ka burimin mosnjohja e përfundimit të zgjedhjeve nga Edvin Rama, duke arritur gjer në prirjen që të sugjestionojë faktorin ndërkombëtar, që të shprehet sipas halucinacioneve të atij vetë. Ai është portretizuar si një egocentrik i pashërueshëm dhe është tërësisht shpërfillës ndaj interesave të Shqipërisë për t’u integruar në BE. Nga kjo pikëpamje është bërë një person i rrezikshëm jo vetëm për partinë e tij, por edhe për interesat kombëtare.
Në PS po bëhet gjithmonë e më i pabesueshëm. Për kombin po bëhet i dëmshëm.
Në vigjilje të Kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së, i gjithë shtypi i majtë, edhe ai i njohur se bën politikën e Ramës, flet për humbjen zgjedhore të kryetarit që është i vetmi ndër politikanët që e konsideron veten se nuk ka humbur zgjedhjet! Tani flitet jo për fitore zgjedhjesh nga Rama, por për manipulim zgjedhjesh nga ana e tij, veçanërisht në dëm të  LSI-së. Ndonëse nuk e quan veten politikan, por misionar, ajo politika e tij përtej së djathtës dhe së majtës, po kritikohet në kor. Për politikën e re të tij, tashmë nuk po flitet seriozisht. Tash së fundi, edhe parti fare të vogla, të parëndësishme, si ajo PPSHR-ja po uron largimin sa më shpejt të Ramës, nga Bashkia: “Rama nuk do të jetë më as kryetar bashkie”, - profetizon kryetari i PPSHR-së”.
Ndonëse kjo parti e vogël enveriste, e fyer rëndë nga shpërfillja dhe nga zhvatja e votave nga Rama, mund të ketë nivel të ulët të përbërësve të saj të pakët, për një gjë nuk e gënjen intuita: Nëse Edvini do të imponohet në Kongres me “kongresmenët”, si dikur, me siguri kjo do të shënojë përçarjen e madhe brenda PS-së.
Duket se ai ka marrë mallkimin, “e gjetsh nga mos e pandehsh!”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›