E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongres për largimin e fajtorit, apo për forcimin e diktatorit?

Solidariteti komunist nënkuptonte personalitetin kolektiv, ose mungesën totale të  individualizmit. Kjo frymë nënshtrimi mbajti gjallë me dekada ndjenjën e adhurimit për  drejtuesin. Diktatura me qëllim i edukoi njerëzit të ndiheshin të lumtur, kur e privonin veten në emër të partisë. Inercia e këtij absurditeti degradues vazhdon edhe në ditët tona. Shumë socialistë endé nuk janë çliruar nga adhurimi ndaj atij që vënë në krye. Këta “babaxhanë”, që nuk janë pak, përbëjnë “oazin” e të preferuarve për drejtuesit, sidomos kur këta të fundit kërcënohen të bien nga “kali”. Aq sa i depersonalizoi njerëzit, po aq komunizmi u mbushi mendjen njerëzve se ata ishin të aftë për të drejtuar edhe shtetin. Ky miklin nuk u bëhej atyre pa qëllim. Ai forconte idolatrinë për tiranin. Të lënguar gjatë nga komplekse inferioriteti, militantët komunistë mallëngjeheshin nga konsiderata të tilla. Gjen edhe sot fatkeqër, që adhurojnë “qoftëlargun” e vdekur. Këtë lloj nënshtrimi ka  socialistë që e çmojnë si forcë, kompaktësi dhe unitet të kolektivitetit të tyre. Kur këta “skllevër” bashkohen, bëhen dhe të frikshëm. Ata tmerrojnë, madje, dhe vetë drejtuesit që i përdorin. Me të tillë “fakirë të përkëdhelur” i mbushte E. Hoxha kongreset e partisë. Me ta shtypte kundërshtarët, habiste të ftuarit, reklamonte si suksese të gjitha dështimet. 
Siç po duken bathët, të tillë kongresmenë ka rrezik të sillen në kongresin e 29 gushtit për të vendosur mbi fatin e PS-së. Adhurimi i tyre për liderin, mund të arrijë deri në zemërim ndaj atyre që e kundërshtojnë. Në mes tyre idealistët mbeten si ca idiotë. Të tillë kongresmenë e çmojnë lirínë e mendimit si kryengritje. Entuziazmi i tyre prodhon vetëm frikë. Frikë nga mendimet, që nuk puqen me bindjet e turmës. Nuk ka më të papërballueshëm se ata që kanë lexuar vetëm një libër. Nuk ka më të frikshëm se ai, që nuk mendon me kokën e vet. Nga fanatikë të tillë e marrin shpesh fuqinë diktaturat dhe tiranët. Këta ia bëjnë “varrin” vetes, duke menduar se po i shërbejnë së ardhmes së tyre. Ndoshta këta ka patur parasysh edhe ai mendimtari, që e përcaktoi demokracinë popullore si “kopaçen e popullit për popullin”. Me kongresmenë të tillë nuk është e lehtë të bëhen analiza për të zbuluar fajësinë e kryetarit për humbjen e zgjedhjeve. Dhe këta nuk janë njerëz të këqij, siç mund t’i paragjykojë ndokush. Përkundrazi! Shumica e tyre janë  tipa punëtorë, të ndershëm, besnikë dhe të sinqertë në kokëfortësinë e tyre naive. Dhe, sa më shumë babaxhanë të tillë të ketë PS-ja, aq më e rëndë bëhet përgjegjësia e atyre, që i zgjedhin si delegatë. Mirëpo në PS ka dhe intelektualë të plotë, njerëz që e njohin gjendjen e partisë. Ka drejtues me përvojë, që dinë se si duhet sjellë me ”përfaqësues” të këtij kallëpi. Këto kuadro besohet të mos lejojnë që disa sharlatanë t’i manipulojnë, t’u bëjnë qejfin për t’u bërë “gropën”. Ndaj gjithë shqiptarët, që duan një opozitë konstruktive, presin një Kongres me analiza për gabimet që e shpunë PS-në në humbje. Askush nuk mund t’u japë mend intelektualëve socialistë për mënyrën si do ta menaxhojnë Kongresin. Se nuk mund ta dijë askush më mirë se ata që thelbi i thirrjes së kongresit, është analiza e humbjes së zgjedhjeve dhe përcaktimi i rrugëve, që do ta shëndoshin partinë. Nëse Kongresi u largohet këtyre synimeve, kthehet në instrument shkatërrimi. Pa dyshim që në kongres do të ketë njerëz të urtë, që s’mund të lejojnë të bëhet bishti më i madh se sqepari. Shqiptarët presin që kongresi të funksionojë si një organizëm i gjallë, ku përfaqësohet njëra nga vlerat e politikës shqiptare, opozita. Nuk i duhen Kongresit as ovacionet enveriste, as klithmat kërcënuese staliniane, as kinezëritë, që mund të tentojnë ta lënë fajin jetim. Natyrisht, ky nuk mund të jetë kongres i “hakmarrjes”. Nuk mund të jetë ai kurrsesí “gijotina” e ambiciozëve, që, duke ngritur lart vlerat e tyre, të flakin në rrugë të madhe ata që kanë gabuar. Nga bisedat televizive të drejtuesve socialistë ka dalë mendimi se PS duhet çliruar nga një autoritarizëm i futur brenda saj si një nevojë disipline për të prodhuar, gjoja, më shumë lirí. Dhe është nënkuptuar se e mira do të jetë që vetë fajtori të pranojë në kongres gabimet dhe të kërkojë zbatimin e Statutit, që ka propozuar vetë. Sidomos kryetari i partisë nuk duhet kurrsesí të lejojë që Kongresi të devijojë nga synimi, për të cilin po mblidhet jashtë radhe. Por këto punë i dinë më mirë drejtuesit me përvojë në PS Shqipëria i uron kësaj partie një katarsis të sinqertë, njerëzor, të matur e të kulturuar, ku edhe kongresmenët, që u përmendën më lart, të dalin me bindjen se situata brenda partisë duhet ndryshuar. Qejfmbetjet, ndonëse të pashmangshme, lypset të evidentohen aty si meskinitete, që vetëm dëmtojnë seriozitetin e një forumi kaq të lartë. 
E kundërta, nëse kongresi fillon me brohoritje enveriste dhe ovacione bolshevike, apo  me një entuziazëm inatçor ndaj mendimeve, a platformave  ndryshe, kongresi do të bënte punën e kundërt. Ai do të thellonte me tej frymën autoritariste në partí, duke nxjerrë si të dobishëm diktatin, përjashtimin, mosnjohjen e vendimeve të marra, e tj. Shkurt, nëse Kongresi do të futet në hullínë e hipokrizive klasike të P.P.Sh-së, ai do t’ia mbyllë rrugët PS-së të marrë veten dhe të kthehet një ditë e përtërirë në pushtet. Ndërsa, po dominoi klima e njohur e fetishizimit të pushtetit të kryetarit, solidariteti kolektiv i mediokritetit dhe mbytja e lirisë së platformave alternativave, kongresi do të qe më mirë të mos ishte thirrur fare, të vazhdohej me metodat e blerjes së kundërshtarëve, të lartësimit të ideve dështake të humbësit, që, gjoja, nuk qenkan kuptuan menjëherë nga “masat”, e tj. Kuptohet vetiu se ç’mund të presë parlamenti dhe Shqipëría nga një opozitë, që nuk do të dinte të korrigjonte veten, nuk do të reformohej e nuk do të gjente konsensus brenda vetes. Në këtë rast, që nuk e dëshiron asnjë shqiptar, PS-ja do të kthehej plotësisht në origjinë. Ajo do të fillonte nga metodat cinike të P.P.Sh.-së, duke kërkuar me ngulm zgjedhje të parakohshme , a qeverí teknike, etj., ndërsa drejtuesi i saj do t’i ngjante më shumë një diktatori, që vetëm do t’i përgatiste vetes një largim të afërt, të turpshëm; një humbje fatale e një përbuzje të ngadaltë, madjé, dhe nga ata që sot ia miratojnë mosnjohjen e fajit për humbjen. Dhe, në fund, do të merrte pastaj “dënimin” e merituar edhe të të gjithë shqiptarëve, që duan progresin dhe demokracinë e vërtetë në Shqipërí ! 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›