Edvini në kazino politike: Nuk e lëshoj PS-në, nëse nuk më premtohet presidenca

Pas sulmeve të turpshme ndaj KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, Rama i drejtohet bllofit, si e vetmja mënyrë, që mund ta mbajë ende në politikë. Ai u ka rrëfyer besnikëve të vet, se s’pranon asnjë dorëheqje apo marrëveshje politike, nëse nuk i garantohet kandidimi për presidencën, si çmimi i vetëm, që i siguron shlyerjen e borxheve, por edhe mbijetesën në politikë. Shashka pritet të shmangë debatin për humbjen e zgjedhjeve dhe shporrjen e tij nga godina e PS-së
Edi Rama u është rikthyer dje sulmeve ndaj institucioneve ligjore në vend, meqë atij nuk po i jepen mandate të pamerituara dhe po i mohohet pretendimi abuziv për të qenë në krye të PS edhe për disa vite të tjera. Pas shfaqjes së kritikave nga baza në drejtim të kryesocialistit Edi Rama, të cilat kërkonin edhe largimin e tij nga PS, ky i fundit jo vetëm nisi ngritjen e komiteteve për dënimin e protestuesve dhe të zërave kritikë, por nga ana tjetër vijoi të sulmojë e të bëjë përgjegjëse institucionet ligjore, për dështimin e vet në zgjedhjet e 28 qershorit.
Këto përpjekje afërmendsh që kanë rezultuar të dështuara, megjithë presionet e pandërprera të tij se ai nuk do t’i njihte zgjedhjet dhe se PS-ja nuk do të merrte pjesë në parlamentin e ri që starton në shtator. Deklaratat assesi nuk po ia forcojnë pozitat Edvinit në PS, meqenëse faktorë të rëndësishëm në Kryesi dhe Asamblenë e partisë po ligjërojnë lëvizjen për largimin e Ramës nga drejtimi i partisë.
Situata është në dëshpërim të plotë dhe e vetmja mundësi për Ramën, është ajo e një bixhozxhiu, hedhjes në qarkullim të një tjetër oferte, e cila do të ishte disi edhe përpjekje për të rritur pazarin, krejt njëlloj si ai vepron edhe me lejet e ndërtimit. Kështu, besnikëve të tij, Edvini u ka “rrëfyer” dje se e vetmja mundësi që ai të linte drejtimin e PS-së ishte garantimi institucional se ai do të mund të klasifikohej si kandidati i vetëm për presidencialet e 2012-s. Vetëdeklarimi është një përpjekje për të qetësuar disi korrentet e trazuara të biznesmenëve, të cilët e kanë sponsorizuar pa mundur të garantonin edhe mburojën hipotekore për investimet e tyre. Tashmë, ndalesa e një shkërmoqjeje mbetet veç shpallja e Edvinit si kandidatin kryesor për presidencialet e ardhshme. Vullneti i mirë i mazhorancës do të sillte shprehimisht edhe vetëdeklarimin e një opozite të paqtë, çka në fakt në një vështrim afatshkurtër edhe do t’i interesonte vendit. Ëndrra edviniste për presidencën shpjegohet prej psikiatrëve si një kalim në një shkallë më të lartë i patologjisë së deritanishme të mesianizmit, një shfaqja e dëshpëruar e Edvinit si njeriu që i di dhe i bën të gjitha, përtej së majtës dhe së djathtës, përtej intelektualit dhe administratës, nën urë e mbi urë.... me fjalë të tjera një patologjie të rëndë të mitomanisë.
Nuk është ende e qartë vlerësimi i kësaj sjelljeje, por tashmë është e qartë, se me përfundimin e procesit nga ana e Kolegjit Zgjedhor dhe me konfirmimin e humbjes së zgjedhjeve nga ana e ylberistëve të Edvinit, kreu në detyrë i PS-së përballet me një krizë të paprinciptë politike, prej së cilës mund të dilet veç me një bllof më të lartë. Bllofi, siç mësohet nga burime brenda ylberistëve, konsiston në zyrtarizimin e një drejtimi kujdestar apo kolegjial të partisë, lëvizje që në fakt do të ishte një zgjatje e agonisë së tij politike, të paktën derisa një situatë më e mirë, t’i garantonte mbledhjen e burimeve financiare (mendohen zgjedhjet vendore të 2011-s) dhe shmangien e borxhlinjve që e presin tek dezhurni i selisë. Bllofi përmban në vetvete edhe një risk të lartë, atë të armiqësimit të menjëhershëm me kryetarin e shtetit, njërin nga kandidatët që ka dhënë prova se e dëshiron një mandat të dytë në presidencë, megjithatë Edvini për momentin është pa zgjidhje, prandaj edhe manuali i rritjes së pazarit, përmes bllofit, mbetet rruga e vetme për zgjatjen e agonisë politike. Ekspertët thonë se është një tentativë qesharake, por të tjerë që e njohin mirë irracionalitetin e sjelljes së strukturave socialiste, nuk janë fort të qarta për pasojat që mund të sjellë vendimi i dëshpëruar i kryetarit ende në detyrë të PS-së, njëkohësisht edhe kryetar ende në detyrë në Bashkinë e Tiranës.
...