Kryeministri Berisha, përuron fillimin e punimeve për rrugën e plazhit Potam, në Himarë

“Viti i ardhshëm do të jetë një vit turistik edhe më i mirë se viti në të cilin jemi”
Kryeministri, Sali Berisha përuroi dje fillimin e punimeve për rrugën e plazhit Potam, në Himarë. Në takimin e zhvilluar me banorët e zonës, në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Berisha u shpreh se zotimi i qeverisë për të asfaltuar të gjitha rrugët që zbresin drejt detit, përbën tashmë një premtim të mbajtur. Një investim me vlerë 42 milionë lekë, i cili do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e turistëve drejt plazhit, duke e bërë këtë vend më tërheqës dhe më të frekuentuar.
“Janë rreth 25 km rrugë që lidhin fshatra e bregut me detin dhe plazhet e tij. Ky përbën një premtim të mbajtur nga ne. Zotimi ynë për të asfaltuar të gjitha rrugët që zbresin drejt detit, realisht po shkon drejt përmbushjes së plotë dhe brenda vitit 2010, nga Ksamili në Velipojë, ne do të asfaltojmë çdo metër rrugë të fshatrave të brigjeve të Jonit dhe të Adriatikut”, deklaroi Berisha.
“Paralel me këto projekte dhe po me kaq vendosmëri kryeministri Berisha premton, qeveria e tij do të ecim në drejtim të furnizimit me ujë të gjithë zonës bregdetare. Janë një seri projektesh në zbatim e sipër shprehet kryeministri, duke theksuar se qeveria e tij, do të përshpejtojë ato dhe do të bëjë çdo përpjekje që viti i ardhshëm të jetë një vit turistik edhe më i mirë se viti që lëmë pas”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha i falënderoi të gjithë ato që preferuan dhe përzgjodhën Shqipërinë, për të kaluar pushimet tyre vjetore.
“Kjo ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, ka qenë një nder i jashtëzakonshëm për ne. Ndaj dhe ne zotoheni që vitin e ardhshëm ata të gjejnë kushte edhe me të mira. Një falënderim të përzemërt dhe një mirënjohje të thellë, dua tu adresoj qytetarëve shqiptarë, që hapën dyert e tyre për turistët dhe që ju kanë siguruar atyre, pushimet ndër më të qetat në jetën e tyre, me një mikpritje shembullore”, tha ndër të tjerat kreu i shtetit.
Më tej shtoi se sezoni turistik po mbyllet, por mbi të gjitha ka shkëlqyer mikpritja e familjeve shqiptare ndaj miqve të tyre, që kanë bujtur në shtëpitë e tyre, gjatë pushimeve verore.
Zhvillimi i turizmit përbën një përparësi absolute për qeverinë shprehet kryeministri Berisha, duke vijuar më tej se, zhvillimi i turizmit dhe bumi turistik janë tipari më kryesor i këtyre viteve. Shqipëria këtë vit me sa duket do të zërë vendin e parë në botë, sipas disa agjencive të huaja, për rritjen e shpejtë të numrit të turistëve.
“Viti i krizës më të madhe botërore në Shqipëri u shoqërua nga një rritje prej 36 % të turizmit krahasuar me vitin e kaluar. Turizmi është ajo degë e ekonomisë shqiptare, nga e cila përfiton numri më i madh i familjeve shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë”, theksoi kryeministri Berisha.
Duke ju drejtuar kryebashkiakut të Himarës, Kryeministri Berisha u shpreh midis të tjerave se, “Shumë shpejt do të takohemi për të bërë analizën dhe për të përcaktuar detyrat, përparësitë, për ndërhyrjet më të shpejta të mundshme, duke njohur se detyra e qeveritarëve është të shohin më shumë dobësitë, sesa sukseset. Sukseset flasin vetë, por dhe dobësitë flasin dhe duhet ti korrigjojmë”.
Më tej kryeministri Berisha tha se, duhet që qeveritë vendore dhe qeveria qendrore ti shndërrojnë në përparësi absolute, ndërhyrjet e shpejta për të përgatitur vitin e ardhshëm, një sezon turistik, më të mirin që ka njohur Shqipëria në tërë historinë e saj.
“Një thirrje miqësore ju bëj të gjithë qytetarëve të Himarës, të Lukovës, të Ksamilit, të Sarandës dhe të bregut në tërësi që shfrytëzojnë mundësinë e zgjerimit të shtëpive të tyre, e shtimit të një kati, apo shtimit të një dhome, të përmirësimit të tyre pasi shteti do të garantojë kredi të buta dhe kjo është një nga mënyrat kryesore për të përballuar fluksin e një rritje më të madhe” tha midis të tjerave kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë ju garantoi rritja e turizmit do të vazhdojë për vite e vite të tëra se kapaciteti i këtij bregu është dhjetëra herë më i madhe se ky që kemi ne sot. “
Vetëm Lukova, Saranda e Himara do të mund të marrin në vitet që vijnë rreth 3 milion turistë, aq sa pret sot vendi në tërësi. Por ne duhet të synojmë të përmirësojmë kapacitet , të përmirësojmë kushtet dhe tu ofrojmë turistëve kushtet më të mira. Këto kushte jua ofroni ju qytetarë me mikpritjen, me mirësjelljen, me qytetarinë që dëshmoni ndaj tyre”, tha kryeministri Berisha.
Në përfundim të fjalës së tij kreu i shtetit thotë se, qeveria vendore dhe qendrore do të bëjë të gjithë përpjekjet për të krijuar çdo kusht normal që turistët që vijnë nga mbarë bota të kalojnë këtu pushimet më të mira.
...