E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, pranga autorit të disa vjedhjeve

Operacioni i koduar "Muzgu" ka vënë në pranga një 31 vjecar nga Devolli i cili akuzohet se është autor i dy vjedhjeve të ndodhura në Tiranë, ndërsa po hetohet dhe për përfshirjen e tij në disa grabitje të tjera. 

TIRANE- Policia ka vënë në pranga një 31 vjecar i cili dyshohet se është autor i disa vjedhjeve të ndodhura në Tiranë. Operacioni i policisë i koduar “Muzgu” i drejtuar nga shërbimet e seksion kontroll territorit në bashkëpunim me Seksionin e Krimeve ndaj Pronës në Komisariatin e Policisë Nr.2, ka kapur në flagrancë shtetasin Festim Fiqiret Skermo. 31 vjecari lindur dhe banues në fshatin Poloskë të rrethit Devoll akuzohet për një sërë vjedhjesh të ndodhura në kryeqytet. 

“Ky shtetas kishte vjedhur lokalin bar-kafe “Rodjon” në rrugën “Muhamet Gjollesha” si dhe është autori i vjedhjes së agjensisë së këmbimit valutor Monygram në pronësi të një shtetasi, ndodhur me 24.08.2009 në rrugën “Luigj Gurakuqi”,Tiranë.”- thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Tiranës.

Skermo ishte dënuar më parë me 6 vjet burg për veprën penale të vrasjes me dashje mbetur në tentativë.

Policia informon se po punohet në grup pune nga specialistët e hetimit të krimit për dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka kryer disa vjedhje të tjera në qytetin e Tiranës.

Policia ka arrestuar në flagrancë dhe një 20 vjecar Sabah Kovaci, i cili po tentonte të vidhte tek “Rruga e Kavajës”, një sasi veglash ndërtimi.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›