Fluks qytetarësh në sportelet e postave, procedurat jo shumë të qarta
Jonida Tashi
Nis me probleme dita e parë e aplikimit për kartat e identitetit. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në zyrat postare përfundoi shpërndarja e 4 mijë kuponave, duke penguar qindra qytetarë të vazhdonin procedurën e aplikimit. Për pasojë, nëpër filialet e postave janë krijuar radhë të gjata qytetarësh për të bërë pagesat.
Problemet
Problemet për aplikimin për kartën e identitetit nisën që me mungesën e kuponave për të bërë pagesën prej 1200 lekësh në postë. Sipas postës, në të gjitha degët janë shpërndarë 4 mijë kupona për pagesat dhe pritet furnizimi me kupona të tjerë shtesë, për shkak të fluksit të njerëzve. Për drejtuesit e Postës Shqiptare, fluksi i qytetarëve në sportelet e postës ka qenë diçka normale, pasi dje ka qenë dita e parë e aplikimit. “Do të ketë fluks, sepse është dita e parë e shitjes së këtyre mandateve për kartat e identitetit. Ndërsa për pasaportat biometrike do të vijnë më vonë. Deri tani janë shitur rreth 4 mijë copë”, - u shpreh Pranvera Lalaj, drejtoresha e Postës Shqiptare për Tiranën. Ndërkohë e njëjta situatë, me një fluks të lartë qytetarësh, është vënë re edhe pranë zyrave që janë hapur në njësitë vendore në Tiranë.
Fluksi
Fluksi i qytetarëve në ditën e parë të nisjes së procesit për shpërndarjen e kartave të identitetit ka qenë tepër i lartë. Që në orët e para të mëngjesit, qytetarët janë drejtuar për në filialet e postës për të kryer pagesën, por shumë prej tyre janë kthyer mbrapsht, pasi kuponat për kartat janë tërhequr nga qytetarët në kohë rekord që në ditën e parë. Madje, edhe pas mbarimit të kuponave, shumë qytetarë të tjerë kanë vazhduar të presin për orë të tëra pranë sporteleve të postës me shpresën se mund të dilnin kupona të tjerë. Emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit kanë qenë më të interesuarit për t’u pajisur me këtë kartë. “Isha te posta te Rruga e Elbasanit, isha atje te treni, tani te Posta Qendrore. Do të vazhdoj të qëndroj në radhë patjetër se e kam dokument identifikimi për jashtë shtetit”, - pohon një qytetar, i cili duhet të largohet këto ditë për në Itali. Ndërsa mjaft qytetarë të tjerë pohojnë se kanë orë që presin në radhë dhe se nuk janë njoftuar në kohë që kuponat kanë mbaruar.
Berisha inspekton shpërndarjen e kartave të identitetit
Kryeministri Berisha ndoqi nga afër dje aplikimin e qytetarëve të Tiranës për pajisjen me letërnjoftimet e reja elektronike. I pranishëm në qendrën e aplikimeve pranë zyrave të Njësive Bashkiake Nr. 3 dhe 4 në Tiranë, kryeministri Berisha uroi aplikanten e parë për dokumentin e ri të identifikimit, duke e cilësuar nisjen e këtij procesi një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm. “Me këtë sistem, qytetarët e këtij vendi pajisen me dokumente të cilësisë më të lartë për identitetin e tyre, dokumente të cilat do t’u lehtësojnë punën atyre në çdo akt që nevojitet identifikimi i tyre, dokumente të cilët do t’ju duhen dhe i lejojnë ata të udhëtojnë të qetë përsa i përket identitetit të tyre në të katër anët e botës”, - u shpreh kryeministri. Më tej, Berisha theksoi se procesi po ecën tërësisht sipas programimit, ndërsa e vlerësoi atë si një mision tjetër shumë të rëndësishëm përsa i përket modernizimit të infrastrukturës zgjedhore. “Do ta quaja këtë proces mision për mundësimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare me infrastrukturën më moderne të identifikimit të zgjedhësve, listat elektronike, sistemin tërësor të ri të adresave dhe dokumentet elektronike.
Qeveria ul me 70% çmimin e letërnjoftimeve për shtresat në nevojë
Qeveria do të ulë me 50% të çmimit letërnjoftimet për studentët dhe me 70 % për shtresat në nevojë. Këtë e bëri të ditur dje, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Integrimin, kryeministri Sali Berisha. Ai tha se qeveria do të krijojë mundësinë që studentët ta marrin letërnjoftimin me çmim të përgjysmuar, ndërkohë që për shtresat në nevojë kjo tarifë do të ulet me 70 për qind. Kryeministri përshëndeti qytetarët për interesimin e madh që kanë treguar që në ditën e parë të hapjes së procesit të regjistrimit për marrjen e letërnjoftimeve, si dhe i inkurajoi ata edhe më tej në këtë proces. “Përshëndes qytetarët për mençurinë dhe interesin e madh që po shfaqin për t’u pajisur me këtë dokument, që janë një kusht absolut për liberalizimin e heqjes së vizave. Nuk mund të bëhet fjalë që shqiptarët të lëvizin pa viza nëse ata nuk janë të pajisur me dokumentet më të sigurta të identitetit të tyre”, - u shpreh kryeministri. Kryeministri theksoi më tej se është e vërtetë që qeveria ka vendosur masa gjysmë detyruese dhe detyruese për pajisjen me këtë dokument, por këtë gjë e ka bërë në interesin më të mirë të qytetarëve dhe të vendit. Gjithashtu, kryeministri u ndal edhe në tarifën për marrjen e këtij dokumenti, duke u shprehur: “Qeveria, me vendim qarkullues, do të përcaktojë tarifat e reja. Si fillim kemi ulur me mbi 30 për qind çmimin për marrjen e këtij dokumenti, kemi hequr TVSH-në e letrës. Pra, janë bërë disa hapa, por do të ndërmerren edhe hapa të tjerë ndaj atyre shtresave që janë më në nevojë. Studentët do ta marrin këtë kartë me çmim të përgjysmuar. Krahas tyre, edhe kategori të tjera do ta marrin me gjysmë çmimi, ndërsa familjeve me ndihmë ekonomike u takon ta marrin me rreth 30 për qind të çmimit, në një kohë kur çmimi real është 14-15 mijë lekë”, - nënvizoi kryeministri.
13 Janar 2009