E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini u premton myslimanëve ndërtimin e xhamisë në një tokë-haram

02-05-2011 / Gazeta 55

S’ndalet mashtrimi elektoral i kryesocialistit me kërkesën legjitime të besimtarëve për ndërtimin e një objekti kulti. Duke shpallur një fitues fiktiv, Edi Rama dje ka tentuar të shtetëzojë pronat e 30 qytetarëve, krejt njëlloj si Enveri në kohën e diktaturës

30 pronarë kanë protestuar dje në qendër të Tiranës për truallin që kërkon t’u marrë bashkia e Tiranës, me idenë se do të ndërtojë aty një xhami për komunitetin mysliman. Protesta e pronarëve të ligjshëm vjen në një kohë kur bashkia e Tiranës dhe Edi Rama, propaganduan se sot do shpallet projekti për ndërtimin e xhamisë së re. Protesta e pronarëve është sa e ashpër aq edhe dëshpëruese në pikëpamjen e humbjes së pronës nga një pushtet zuzar dhe hajdut, siç është qeverisja e bashkisë së Tiranës nga Edi Rama dhe shpura e tij e korrupsionit.
“Ne qytetarë të Tiranës, pronarë të truallit e të dyqaneve të “Pazarit të Vjetër” të Tiranës, të prishura gjatë kohës së regjimit komunist në vitet 1960 duam t’i bëjmë me dije Bashkisë së Tiranës, Qeverisë, Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe mbarë opinionit publik për aktin më të fundit mashtrues të kryebashkiakut Edi Rama. Sot, në vitin 2011 Edi Rama pretendon të ndërtojë xhaminë e shumë pritur të besimtarëve myslimanë të Tiranës, pikërisht në vendin ende të lirë, të pazënë nga betoni bashkiak, duke shpërfillur në mënyrë përbuzëse pronarët e truallit”, u shprehën pronarët përmes një deklarate për shtyp, për truallin e tyre pas Pallatit të Kulturës.
Sipas pronarëve në fjalë, për të vërtetuar edhe më shumë ligjshmërinë e pronës së tyre, mjafton të kujtojnë se “Pazari i Vjetër” ishte i njohur nga të gjithë si pronë e tregtarëve më me emër të Tiranës së asokohe. Ai ka qenë i konceptuar në mënyrë të tillë që brenda tij të përfshiheshin një larmi e pafundme veprimtarish tregtare, si dhe të gjitha zejet e punimet floririt, argjendit, bakrit, metalit, por edhe rrobaqepës, këpucarë e orëndreqës. Duke plotësuar nevojat e jetës së përditshme të qytetarëve të Tiranës, Pazari funksiononte në mënyrë të natyrshme siç funksionojnë ato në të gjithë botën.
“Ky objekt me kaq shumë vlera historike e artistike, ky “muze” dhe dëshmitar njëkohësisht i historisë së Tiranës e qytetarëve të saj, u prish nga regjimi komunist, në valën e ndërtimeve të stilit bolshevik, e në kuadrin e luftës kundër pronës private. Dhe gjysmë shekulli pas këtij akti barbar, vjen një tjetër akt, i njëjtë në formë e përmbajtje: ndërtimi i një xhamie pa pyetur pronarët e truallit të shumëvlefshëm, të cilët, pasi humbën mjetet e jetesës së tyre nga shkatërrimi i i pronës nga Enver Hoxha, tani duhet të humbasin edhe trojet në mes të Tiranës. Kryebashkiaku për interesa elektorale, shpall vendin që ka zgjedhur vetë, sikur ta kishte të tijin. Ai nuk merr as mundimin më të vogël të kontaktonte me 88 familjet tiranase, pronarë të këtij trualli. Kryebashkiaku i Tiranës rrëmben prona pa konsultim, pa dijeninë tonë dhe pa vendim të Këshillit Bashkiak duke shtetëzuar prona qytetarësh si në kohën e diktaturës. Me këtë veprim historia po përsëritet tani, pas 20 vjetësh sistemi demokratik, po tenton të ndërmerren të njëjtat veprime si dikur në regjimin më gjakatar në Europë, duke treguar se ata janë bij të denjë të etërve të tyre politik”, vijon protesta e pronarëve të truallit të mbrapa Pallatit të Kulturës, të planifikuar nga Edi Rama për ndërtimin e xhamisë së re për komunitetin mysliman.                
Berisha: Rama prezanton projektin, 30 pronarë protestë për truallin/Kryeministri Sali Berisha reagoi dje nga qyteti i Durrësit në lidhje me prezantimin që bëri në Tiranë kryetari i Bashkisë Edi Rama mbi konkursin për ndërtimin e xhamisë së re në kryeqytet. “Për herë të parë gjatë jetës tënde, ke një muaj që merresh me problemin e një xhamie. Tani është normale që ne politikanët të merremi dhe të ndihmojmë me të gjithë potencialin tonë edhe kishat edhe xhamitë edhe teqetë dhe ti nderojmë sa më shumë komunitet fetare”, shtoi Berisha. Ai theksoi se, “deri këtu e kemi detyrim, mirëpo ç’më patë sytë sot mua”. Duke iu drejtuar Ramës, Berisha shtoi: Sot nga një anë t’i more zotëri paraqisje projektin e xhamisë për ta ndërtuar në vendin prapa pallatit të kulturës, nga ana tjetër 30 pronarë protestonin se po ju grabisje pronën për të ndërtuar xhaminë. Atëherë do të më falësh zotit Rama, duhet të jesh i kujdesshme. Dy nga porositë themelore të Profetit janë, e para mos prek pronën e tjetrit dhe më duhet të them këtu se përpjekja jote për të servirur xhami në prona të grabitura është një lëndim për të gjithë besimtarët e Zotit, nuk ka mysliman që pranon që të falet mbi një xhami të ndërtuara mbi prona të grabitura. Natyrisht ti qëllimin nuk e ke për të lënduar besimtarët, e ke për të ndukur ndonjë votë, por kjo nuk mund të ndodhe, ta dha përgjigjen rinia vota nuk mund te merret me këtë mënyrë. Ndaj këshillohu më mirë kur merresh me disa probleme dhe  mos  bej gafa të tilla, se nuk ndërtohet kisha dhe xhamia mbi toka të grabitura. Nuk di ç’bën”, iu drejtua kryeministri Berisha, kryetarit të bashkisë, Edi Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›