Zbardhet formula si Edi Rama bëri miliarder Koço Kokëdhimën

Lëvizja “Zgjohu” dhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit denoncojnë skemën si bashkia e Tiranës i fali “shokut të armëve” 180 miliardë lekë nga taksat e kryeqytetasve
Lëvizja “Zgjohu” ka reaguar dje ndaj politikave klienteliste dhe nepotike të kryetarit të bashkisë së Tiranës Edi Rama, i cili fal në mënyrë të paligjshme taksat dhe tarifat e kompanive miliardere të bosit Koço Kokëdhima.
“Kemi rastin e 5 kompanive, të cilave Bashkia Tiranë prej vitesh nuk u mbledh tarifat dhe taksat bashkiake, para të cilat u munguan çerdheve, kopshteve dhe shkollave të pandërtuara, rrugëve të pashtruara, tavaneve që bien mbi kokat e nxënësve”, tha përmes një dalje për mediat kreu i “Zgjohu”, Zirkon Disha.
Kush mund t’ju thotë të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës, taksapaguesve që u merret çdo qindarkë kur e kanë dhe kur nuk e kanë, se përse ata nuk janë të barabartë para këtij institucioni? Përse miqtë e Edi Ramës nuk shlyejnë e detyrimet tek Bashkia e Tiranës siç bëjmë ne dhe të gjithë tjerët taksapagues.
“Të gjithë e mbajmë mend Kryetarin e Bashkisë së Tiranës në konferenca shtypi duke u rrekur të na mbushë mendjen se për mosrealizimin e buxhetit të bashkisë faji nuk është i tij. Po kush e ka fajin për miliardat e miqve të tij që nuk i paguajnë në Bashki? Mos e kemi përsëri ne të Lëvizjes Zgjohu? Jemi këtu për të treguar me prova, me fakte e me grup-fakte se miqtë e Edi Ramës trajtohen ndryshe nga Bashkia e Tiranës, se ato mund të mos i paguajnë detyrimet për vite të tëra. Kjo ndodhte disa shekuj më parë në Europë, në një kohë tjetër, atë të aristokracisë ku disa njerëz nuk paguanin taksa! Dhe Tirana kështu po funksionon! Disa, jo sepse janë aristokratë por se janë njerëzit e Kryebashkiakut nuk paguajnë taksa, kurse ne të tjerët paguajmë dhe atë që se kemi! Ne paguajmë taksën e tabelës megjithëse shpesh s’kemi as tabela, ndërsa miqtë e Kryebashkiakut megjithëse kanë qindra tabela gjigande në Tiranë, nuk paguajnë asnjë qindarkë”, vërejti Disha.
Sipas tij, disa kompani të afërta me kryetarin e bashkisë nuk paguajnë asnjë detyrim. Burimi i informacionit janë vetë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët denoncojnë shkeljen e ligjit nga 5 kompanitë e mposhte me firmën e kryetarit të bashkisë, Edi Rama. “Nga punonjës të ndërgjegjshëm të kësaj Bashkie na u dha e plotë situata e këtyre kompanive dhe gjendja e detyrimeve ndaj arkës se popullit te kryeqytetit dhe kjo tregon se kur ne, disa qytetarë të angazhuar për të kërkuar një Tiranë më të mirë gjetëm këto dokumente, mendo se çfarë fshihet pas aisbergut të Bashkisë! Deri me datën 26 prill 2011, dokumentet tona tregojnë se kush janë detyrimet e pambledhura nga Bashkia Tiranë prej vitesh për kompanitë ku përfshihet Koço dhe milionat e tij. Shifra është e frikshme, plot 180 miliardë lekë të pambledhura nga bashkia e Tiranës”, deklaroi më tej, kreu i lëvizjes qytetare “Zgjohu”, Zirkon Disha.
“Zoti Koço Kokëdhima si aksioner i përfshirë në këto kompani, duket se ka gjetur rrugën e suksesit, rrugën e cila të bën milioner! Detyrimet e papaguara shkojnë në një vlerë të përafërt të detyrimeve të 2000 bizneseve të vegjël, të cilët në rast mos pagese në kohë, përveç gjobave abasurde detyrohen të mbyllin dhe biznesin. Me të drejtë shtrojmë pyetjet: Sa të barabartë janë taksapaguesit, para këtij institucioni? Kjo është e vetmja rrugë për tu bërë milioner? A mbajnë përgjegjësi ligjore deri penale zyrtarët e Bashkisë për mosmbledhje taksash dhe favorizim të biznesit? Përse Kryebashkiaku bën favore miliardash? A kompensohet ai për “nderet” miliardere? Kanë lidhje nderet miliardere me financimet e diskutuara të protestave? Sa i vuajmë ne qytetarët prej shkollave dhe kopshteve të pabëra nderet e Edi Ramës për Koço Kokëdhimën & Co?”, u shpreh më tej Disha
Lëvizja “Zgjohu” sqaron gjithashtu se disponon dokumentet e nevojshme, të cilat vërtetojnë mos pagesën e detyrimeve nga këto kompani. Në të njëjtën ditë, edhe zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit denoncon të njëjtën skemë, duke premtuar edhe ndërmarjen e hapave të mëtejshëm ligjorë, për të vënë para përgjegjësisë penale, përgjegjësit për vënien në zbatim të kësaj skeme.
1. Shoqëria Platea 44,231,016 leke
2. Shoqeria 2K Finance Investment Group 58,603 leke
3. 2K Group 294,917 leke
4. Shoqëria Metro 122,661,132 leke
5. Shoqëria Abissnet 2,737,340 leke
6. Shoqëria 2K deri më 31 dhjetor 2010 9,500,675 leke
Totali i detyrimeve 179,483,683 lekë