E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Durrës të gjithë mbështesin Ferdinand Xhaferajn

02-05-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha ka qenë dje në qendrën bregdetare, duke premtuar ndërtimin e afërt të një kampusi Universitar si dhe Bulevardin e ri buzë bregdetit. Lefter Koka deklaron se s’ka asnjë enigmë për fitoren e Xhaferajt dhe fton Dakon t’u rikthehet aferave të tij të dyshimta si biznesmen

Kryeministri Sali Berisha i ftoi dje qytetarët durrsakë të votojnë më 8 maj për kandidatin e “Aleancës për qytetarin”, Ferdinand Xhaferaj. Pas ceremonisë së përurimit të rrugës Spitallë-Porto Romano në pjesën veriore të qytetit, Berisha u shpreh se, “ne synojmë që Durrësi gjatë katër viteve të ardhshme të ketë më shumë vende pune; të ketë asfaltuara të gjitha rrugët dhe rrugicat, të ketë 24 orë ujë të pijshëm”.
Ai tha se ngritja e kampusit universitar dhe ndërtimi i një bulevardi bregdetar Currila-Porto Romano janë dy synime të tjera për Durrësin e katër viteve të ardhshme. Duke folur para banorëve të lagjes 15 të Durrësit, Berisha tha se tashmë vendi ynë është vend anëtar i NATO-s dhe qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lirisht në Evropë. Ai vuri në dukje se gjatë katër viteve të shkuara në të gjithë vendin janë shtruar 8000 km rrugë nacionale dhe rajonale, janë ndërtuar dhe rindërtuar 1200 shkolla, ndërsa më shumë se 95 përqind e familjeve shqiptare tashmë furnizohen me ujë të pijshëm.
“Duke votuar më 8 maj për kandidatët e “Aleancës për Qytetarin” ne do të bëjmë gjithçka për ta kthyer votën tuaj në një sukses për ju, për familjen tuaj dhe për komunitetin tuaj”, tha kryeministri Berisha.
Duke folur për pjesëmarrjen në ceremoninë që u zhvillua dje paradite për lumturimin e Papës Gjon Pali i dytë, të cilin Berisha e quajti Papën më të shquar të të gjitha kohërave dhe një mik të madh të shqiptarëve, kryeministri nënvizoi faktin që protokolli i Vatikanit e kishte vendosur delegacionin shqiptar në krah të delegacionit të Polonisë, vendlindjes së shenjtërisë së tij.
“Papa ishte një engjëll i popujve të shtypur”, tha Berisha, i cili përfitoi për të uruar të gjithë besimtarët shqiptarë për këtë ditë të shënuar. 
“Ne jemi një alternativë e besimit”, tha në fjalën e tij kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë u ndal më pas në alternativën e majtë.
“Edi Rama që prej një muaji shkon nga sheshi në shesh duke thënë se qeveria shqiptare është qeveria fashiste, por harron që vendi ynë është anëtar i NATO-s”, tha Berisha.
“Unë nuk kam komente për alternativën e tij, por dua t’i kujtoj dy gjëra për të cilat ndjehem i lënduar. Duke lëshuar mediat që kontrollon ndaj rivalit tënd Basha na lëndove ne shqiptarët me kujtesën e çensurës, prandaj unë i ftoj edhe këto media që më 8 maj të votojnë për ‘Aleancën e qytetarit’, duke i dhënë fund edhe diktatit që ushtrohet nga Rama mbi to”, deklaroi kryeministri Berisha. Kreu i ekzekutivit kujtoi gjithashtu konkursin që u zhvillua dje në kryeqytet për projektet e ndërtimit të xhamisë në kryeqytet. “Ne politikanët e kemi detyrim të mbështesim komunitetet fetare, por ajo që ndodhi sot kur në të njëjtën kohë me paraqitjen e projektit nga Rama më shumë se 30 pronarë protestonin për grabitjen e truallit ku do të ndërtohet xhamia është një përpjekje për të ndërtuar mbi tokën e troje të grabitura, është një përpjekje e dështuar për të fituar vota”, tha kryeministri Berisha.
Xhaferaj në takimin e LSI: “Më 8 maj, fitorja është e sigurt”/Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, ndërsa ishte i pranishëm në një takim me simpatizantë dhe përkrahës të Lëvizjes Socialiste për Integrim në zonën e Plazhit deklaroi se “fitorja më 8 maj është e sigurt”. Kandidati Xhaferaj tha se kjo fitore është e sigurt pasi në ekip, siç e quajti ai koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, kemi lojtarë të fortë, siç është LSI-ja, e cila në qytetin bregdetar ka një numër të madh mbështetësish. I shoqëruar nga deputeti Lefter Koka dhe drejtues të tjerë të LSI, si edhe nga deputetët demokratë Eduard Halimi dhe Igli Cara, Xhaferaj tha se “në katër vite ne do të qeverisim së bashku, Bashkinë do ta drejtojmë së bashku dhe punët e mira të këtij qyteti do t’i bëjmë së bashku”.
Deputeti Lefter Koka nuk e cilësoi më një garë zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Durrësit, “sepse është e sigurt se Bashkia do të drejtohet nga Ferdinand Xhaferaj”.
Ai i pati disa fjalë edhe për kryebashkiakun aktual Vangjush Dako. “Dako thotë se do ta votojnë mbështetësit e LSI sepse LSI është forcë e majtë, tha deputeti Koka. Në fakt, Dako nuk është as i majtë dhe as i djathtë, se ç’është le ta gjejë vetë”. Deputeti i LSI, duke folur për punën e bërë nga Dako në këto katër vite, tha se, “në katër vite asnjë lloj shërbimi publik nuk ka ndryshuar dhe që ishin detyrim i bashkisë, çdo gjë që Dako na paraqit me anë të atyre imazheve fotografike tek të cilat pretendon se ka ndryshuar qytetin, nuk janë gjë tjetër veçse fotomontazhe për të manipuluar opinionin dhe për të mbuluar paaftësinë e tij në drejtimin e Bashkisë. Çdo njëri nga ju sot këtu do të bënte më shume se Dako”. Takimin e madh të LSI e përshëndeti kandidati Ferdinand Xhaferaj, i cili tha se, “dako e kthyer Bashkinë si zyrë private, ku iu shërbehet vetëm klientëve të tij dhe njerëzve të tij më të afërt, duke e kthyer këtë në një institucion në të cilën u futën njerëz të cilët nuk kishin asnjë lidhje me Bashkinë, por as edhe më Partinë Socialiste”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›