E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndue Gjonmarku (1914-2011) pinjoll i krenarisë së historisë 7 shekullore të Kapidanëve të Mirditës

07-01-2011 / Nga Tomë Mrijaj

Ditën e marte, me 4 Janar 2011, në Spitalin “North Shore” Forest Hills, Queens New York, në moshën 97-vjeçare, u nda nga jeta Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku, i rrethuar nga familja, vëllai Kapidan Nikollë Gjonmarku, djali Gjoni dhe vajzat: Kristina, Bardha dhe Aleksandra. Ishin të pranishëm meshtari Dom Pjetër Popaj dhe miqte e ngushtë të familjes Gjomarku: Dr. Gjon Buçaj Kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe Sekretar i Blokut Indipendent, Tomë Mrijaj Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit etj. Në momentet e fundit të jetës së tij Dom Pjetër Popaj bëri salikimet e rastit për aktivistin nacionalist Kryetarin e Blokut Indipendent dhe besimtarin e devotshëm të Kishës katolike shqiptare në New York Kapidan Ndue Gjomarku.
Kush ishte Ndue Gjonmarku?/Në Orosh të Mirditës para 97-të vjetëve, do të lindtte më 29 shtator të vitit 1914 Ndue Gjonmarku, që i shton gëzimin prindërve të vet dhe vëllait të parë Markut. Kjo familje e madhe oroshase, do të ketë 10 fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza. Aty lindën fëmijët njëri mbas tjetrit, duke filluar me Markun, që është fëmija i parë dhe më pas u lind Ndoja, Lleshi (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat: Dava, Gjela, Martja, Dila dhe Bardhja. Kapidani Ndue Gjon Marku, nga nëna ishte nipi i Bajraktarit të Kurbinit, i Gjok Pjetër Pervizi, një personalitet i njohur askohe për besë, burrëri, zakone e tradita të hershme e bashkëkohore shqiptare. Babai Gjoni përkujdeset që djemtë të ndjekin shkollën fillore, ku midis tyre edhe Ndue Gjomarku vijon pesë vitet e para fillore dhe gjimnazin pranë shkollave private katolike të Fretenve Françeskanë dhe Jezuitve në vitin 1934 në qytetin e lashtë kulturdashës Shkodër, në kohën kur Ministër i Arsimit në Qeverinë e Mbretit Zog ishte Dr. Mirash Ivanaj. I prirur pas botës së librave dhe kulturës civilizuese perëndimore, adolishenti Ndue niset në vitin 1937 për studime të larta sëbashku me vëllaun Lleshin në Universitetin (College) në Terezianum të Vjenës në Austri. Pas disa vitesh kthehet në Shqipëri dhe pas disa muajsh shkon në Universitetin e Firences (Itali) për të ndjekur studimet e larta në Jurisprudencë. Ai për asnjë çast nuk e shkëputi lidhjen me vendlindjen, miqte e huaj dhe vendas, të cilët e donin dhe respektonin, mbasi gjithnjë Dera e Kapidanit të Mirditës ka respektuar popullin e Mirditës dhe krahinat të tjera të Atdheut. Me anije, i riu Gjomarkaj në vitin 1943 kthehet në Shqipëri. Jeta studentore, miqtë e rinj dhe shokët në vendindje bëjnë që ai të zgjerojë rrethin e të njohurve. Kështu sikurse kujtojnë disa bashkëkohës që ende jetojnë sot në qytetin e Shkodrës dhe në Orosh të Mirditës, familja dhe ai vetë ka pasur nderin, fatin, privilegjin dhe kënaqësinë të marrë pjesë në shumë ngjarje dhe evenimente atdhetare, fetare dhe kulturore në qytetin e njohur të Shkodrës dhe qytetet e tjera, duke kuvenduar me krerët, parinë e qytetit, klerikë të lartë katolikë, konsuj dhe udhëtarë të huaj, që vinin shpesh në Shqipëri dhe në veçanti në trevën e Veriut.
Ndue Gjonmarku ishte alfa dhe omega në luftën kundër komunizmit/E gjithë treva e Veriut dhe qarqet diplomatike e shoqërore të komunitetit shqiptar në atdhe asokohe e kanë njohur e vlerësuar lart figurën e madhe të Kapidan Gjon Marka Gjoni dhe të birit të tij të madh Dr. Mark Gjonmarku (Ministër i Brendshëm) dhe Llesh Gjonmarkut, kanë qenë shumë aktiv dhe janë marrë përherë me politikë, kurse Ndoja sikurse e thotë edhe vetë ka pas më shumë kënaqësi në jetën private e familjare. At e bir, duke nuhatur afrimin e furtunës së tërbuar komuniste, që kishte bërë kërdi në Europën Lindore dhe kryesisht në Rusi, fillojnë të përgatisin terrenin për të rizgjuar ndërgjegjen e forcave nacionaliste, që t’i bëjnë ballë komunizmit, që ishte një ideologji e shkatërrimit, moral, material, filozofik, ateist dhe paatdhe të njerëzve që jetojnë historikisht në trojet stërgjyshore autoktone. Koha kërkonte, që bijtë e shqipes më shumë se kurrë të tregojnë atdhetashurinë, për të ruajtur vlerat e lënë trashëgim nga të parët, dinjitetin e shqiptarit, fenë, pasuritë private të individit, pluralizmin e mendimeve, përparimin ekonomik dhe lidhjen shpirtërore, ekonomike dhe politike me vendet e Europës Perëndimore. Për të bërë një politikë më të konsoliduar Kapidan Gjoni, në pranverë (mars) të vitit 1944 i jep jetë themelimit të “Grupit Nacional Indipendent”, ndërsa i biri Dr. Marku, duke gjetur përkrahje dhe mbështetje në nismën e vet krijon “Lidhjen e Shkodrës”, duke mbledhur rreth vetës të gjithë eksponentët kryesorë antikomunistë, që ishin rreshtuar në organizatat e mirënjohura nacionaliste “Legaliteti”, “Balli Kombëtar” dhe “Grupi Nacional Indipendent”. Jo rastësisht, por interesat e larta patriotike, e bëjnë Ndojën që të përfshihet menjeherë në politikë dhe sapo merr vesh se forcat e ashtuquajtura partizane po i afrohen vendlindjes së tij të dashur Mirditës, lajmëron vëllain e vet në Tiranë, se krahina dhe e gjithë Shqipëria e Veriut po sulmohet nga bisha e kuqe, që për fat të keq kishte emër e gjak shqiptari. Ai ndër të tjera kërkon të lëshoj kushtrimin e qëndresës me vullnetarët e vendosur antikomunist. Menjëherë i vjen përgjigjja pozitive dhe inkurajuese e vendosmërisë nga i vëllai Dr. Marku, që ishte shumë i shqetësuar për fatet e brishta të vendit. Ai, sikurse kujton Kapidani Ndue Gjon Marku dhe shkruan edhe studiuesi Idriz Lamaj për këtë çështje, i thotë se: “Ndue i dashtun, sot fillon nji kthesë e re në historinë e Derës sonë, të Mirditës e Shqipnisë mbarë. Mbledh sa më shumë vullnetar e fillo qëndresën kundër brigadave komuniste. S’kemi rrugë tjetër”. (Idriz Lamaj, Vep. e cit., fq.102). Organizimi i forcave politike dhe luftëtarëve nacionalistë bënë që një ditë Ndoja të takohet me përfaqësuesit më të lartë të grupimeve nacionaliste të “Legalitetit” dhe “Ballit Kombëtar”, të cilët gjatë përleshjeve të tyre të mëparshme kishin pësuar humbje në forca, por që nuk iu dorëzuan komunistëve. Ata tashmë kishin arritur në Veri të Shqipërisë. Udhëheqësi i Organizatës “Balli Kombëtar” patrioti Mit’hat Frashëri dhe drejtuesi i “Legalitetit” Abaz Kupi, kishin mbërritur në shtëpinë e Gjon Fushës në Bulger të Mirditës. Mit’hat Frashëri, që mbetet në Mirditë, sëbashku me ballistët e tjerë shkojnë në Sh’Pal, ku i pret Ndue Gjomarku atë natë dhe të nesërmen i përcjellë me besnikët e tij për në Shkodër. Me shërbestarin e kombit Mirt’hat Frashërin (i biri i patriotit të flaktë të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashërit), Ndoja do të ketë edhe takime të tjera dhe bashkëpunime të frytshme në luftën e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri, Europë dhe ShBA.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›