Kardiokirurgjia, ndërpriten operacionet e planifikuara
ZIRINA LLAMBRO
Ndërpriten operacionet e planifikuara në kardiokirurgjinë e spitalit “Nënë Tereza”. Dje, përveç një rasti urgjent, nuk është kryer asnjë ndërhyrje tjetër. Prishja e kaldajës te 6-katëshi, prej disa ditësh ka sjellë pasojat edhe në këtë shërbim. Mjekët kanë vendosur të shtyjnë operacionet, në mënyrë që të mos ngarkojnë pavijonin e kardiologjisë. Kjo pasi për sallat operatore dhe reanimacionin ngrohja nuk përbën problem, pasi janë instaluar kondicionerë. Lajmin e konfirmuan për gazetën familjarë të pacientëve, por edhe burime nga stafi i mjekëve. “Im shoq kishte sot datën e operacionit në zemër, por na thanë se deri sa të rregullohet kaldaja nuk do të mund të kryhet”, tha dje bashkëshortja e një prej të shtruarve. Ajo shtoi se mjekët u kanë dhënë garanci se gjithçka do të mbyllet brenda këtyre dy ditëve. Sakaq bluzat e bardha pranojnë pezullimin e operacioneve të planifikuara, duke përjashtuar vetëm urgjencat. “Sot është kryer një operacion, ishte rast urgjent. Këto ditë është reduktuar numri i ndërhyrjeve, pasi për shkak të prishjes së kaldajës, por edhe fluksit që ka pasur në pavijon, u pa e udhës që të mos rritej numri i të shtruarve”, sqaruan burime nga stafi i mjekëve. Ata nënvizuan se problemi është ngritur edhe në drejtori dhe dje inxhinierët gjatë gjithë ditës kanë punuar për të riparuar defektin. “Ju sigurojmë se në ditët në vijim puna do të vijojë normalisht dhe nuk do të ketë asnjë problem për pacientët”, thanë mjekët e kardiokirurgjisë. Sa i përket ilaçeve, ata pohuan se ky shërbim nuk ka mungesa dhe është furnizuar normalisht. Disa ditë më parë, një tub i kaldajës, që ngroh spitalin 6-katësh në QSU, pësoi çarje. Për rrjedhojë ishte e pamundur ngrohja e pavijoneve. Të ftohtin e kanë ndjerë më shumë të sëmurët me zemër te kardiologjia, ku fluksi ka qenë më i lartë. Shumë prej pacientëve janë detyruar të marrin ngrohëse nga shtëpitë për të përballuar të ftohtin. “Ma sollën të afërmit ngrohësen, pasi ishte e pamundur të rrije në dhomë. Vjen në spital për t’u shëruar e ngrin nga të ftohtit, kjo është skandaloze”, u shpreh një prej pacientëve të shtruar te kardiologjia. Ndonëse njësia qendrore e kaldajës është e re, ka vetëm pak vite që është vënë në punë, rrjeti i tubave brenda ndërtesës shkakton gjithnjë probleme. “Edhe vjet e njëjta gjë ndodhi. Në pikë të të ftohtit plasi një tub. Këta e vunë kaldajën e re, po tubat brenda janë skandal. Duhet të bëhen patjetër ndërhyrje”, theksoi një prej infermiereve të spitalit. Ndërkaq ditët e fundit fluksi i të sëmurëve me zemër që janë drejtuar në spital për asistencë mjekësore ka qenë tejet i lartë. Pavijoni i kardiologjisë është super i mbushur, e për të zbutur situatën drejtoria ka dhënë urdhër përdorimin e ambienteve të tjera. Sipas saj, në çdo pavijon ku ka dhoma të lira në spitalin 6-katësh do të sistemohen të sëmurët me zemër që kanë nevojë të shtrohen. Do të jenë mjekët ata që do të ndjekin pacientët në cilindo ambient qofshin.
Fluksi në urgjenca, 70 të sëmurë në ditë
Më shumë se 70 persona në ditë, kryesisht të moshuar, paraqiten në Urgjencën e Kardiologjisë, për të marrë asistencë mjekësore. E ndërsa pjesa më e madhe e tyre largohet brenda ditës, të tjerët e kanë domosdoshmëri shtrimin disa ditë në spital. Ky fluks të sëmurësh, pasojë e të ftohtit, ka bërë që prej disa javësh situata në Urgjencën e Kardiologjisë të jetë kaotike. Disa ditë më parë u arrit deri aty, sa shumë prej pacientëve, edhe pse në kushte të rënda shëndetësore, të trajtoheshin mbi tavolina e karrige. Problemi i kapaciteteve të Urgjencës së Kardiologjisë e asaj të Pediatrisë janë tashmë të hershëm. Megjithë premtimet për ta privatizuar, asnjëherë nuk janë marrë masa konkrete për të përmirësuar këtë shërbim bazë, për këdo që ka nevojë për ndihmëurgjence. Gjithçka ka mbetur vetëm në letër. Investimet gjatë viteve të fundit kanë qenë gjithmonë cunge. Një tjetër alarm është ngritur së fundmi edhe për mungesën e specialistëve të zemrës te Kardiologjia. Dy herë në javë, urgjenca do të ofrojë shërbim pa mjekun përkatës.