Efektet pozitive dhe negative të kontraceptivëve
10 arsyet për të qenë pro dhe kundër përdorimit të tyre. Rekomandimet ushqimore që përmirësojnë çrregullimet që sjell pilula
A është e mundshme që edhe pas 30 vitesh të paraqitjes së pilulës në treg ende ekzistojnë dyshime? Ndonëse askush nuk konteston veprimin kontraceptiv të saj, shumica kontestohen rreth efekteve përcjellëse. Thonë se shkakton trashjen, vepron keq në qarkullimin e gjakut, shkakton krijimin e celulitit... Cila është e vërteta? Më poshtë paraqiten 10 arsye të forta për të qenë pro dhe kundër pilulës (kontraceptivëve). Përpos efekteve pozitive dihet se përdorimi i saj ka edhe efekte negative.
Bën gjakun më të dendur
Pilula shton koagulimin e gjakut, për pasojë ai bëhet i dendur. Te femrat që kanë qarkullim të dobët, pilula mund të shkaktojë qarkullim të dobët të gjakut në vena, ndërsa në raste shumë të rralla ajo mund të shkaktojë madje edhe trombozën. Për të evituar këtë probleme ju duhet të ndërprisni patjetër pirjen e duhanit, sapo të filloni të pini pilulën, posaçërisht nëse jeni më e vjetër se 30 vjeç, sepse, krahas plakjes, shtohet edhe shtypja në arterie. Ndërkohë që ushqimi i rregullt dhe i drejtë do t’ju ndihmojë në nivelin e kolesterolit dhe shtypjen e gjakut do ta mbani në kufijtë e lejueshëm.
Zbut dhembjet gjatë menstruacioneve
Shtrëngimet në bark, dhembja e këmbëve, dhimbja e kokës janë simptoma tipike te ciklet e çrregulluara të menstruacioneve. Pilula e pengon aktivitetin e këtillë. Vezoret pushojnë së prodhuari vezë, si pasojë e kësaj humbet edhe prostaglandina, prandaj shkaktohen dhembjet.
Zvogëlon yndyrën e tepërt
Pilula, e cila përmban hormone femërore, ndërpret prodhimin e hormoneve mashkullore dhe në këtë mënyrë ajo zvogëlon prodhimin e yndyrës së tepërt dhe krijimin e puçrrave.
Shton punën e mëlçisë
Mjeti kontraceptiv shton punën e mëlçisë, e cila patjetër duhet të punojë shumë, në mënyrë që të metabolizojë. Në qoftë se mëlçia është në rregull, pilula nuk do të ketë kurrfarë veprimi përcjellës. Mirëpo, në qoftë se jeni e sëmurë nga hepatiti, shtimi i punës së mëlçisë do të mund të shkaktojë probleme.
Rrit gjinjtë
Gjinjtë janë organ, të cilat më shumë se të gjitha organet e tjera, reagojnë në praninë e hormoneve femërore. Gjatë muajve të parë të pirjes së pilulave, gjinjtë rëndom rriten ngadalë dhe forcohen. Kjo dukuri përcjellëse kryesisht është e kënaqshme, sepse grave me gjinj të vegjël i “pasuron” për ndonjë centimetër më shumë, ndërsa ato me gjinj të mëdhenj, kënaqen me faktin se gjinjtë u forcohen. Mirëpo, pas një kohe gjinjtë fillojnë të mësohen me praninë e hormoneve dhe shkaktohet përshtatja graduale e gjëndrave qumështore, të cilat fitojnë sërish madhësinë e tyre natyrale.
Ngadalëson rritjen e qimeve
Përdorimi i pilulës në bazë të hormoneve femërore zvogëlon numrin e atyre mashkullore dhe në këtë mënyrë ngadalëson rritjen e qimeve. Mirëpo, shtimi i qimeve në këmbë dhe në duar nuk është përherë pasojë e sasisë së tepërt të hormoneve mashkullore, më së shpeshti është trashëgimi.
Zvogëlon gjakderdhjen menstruale
Gjatë javës kur nuk përdorni pilulën, shkaktohet gjakderdhje, e cila rëndom nuk është e vëllimshme, dhe nuk shkakton dhembje. Femrave anemike pilulat mund t’u rekomandohen për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme shëndetësore, sepse me humbje të vogël të gjakut zvogëlohet edhe sasia e hekurit të humbur. Gjakderdhja është mjaft me rregull, rëndom fillon dhe mbaron në të njëjtat ditë. Në qoftë se, për shembull, pilulën e fundit e keni pirë të hënën, gjakderdhja do të fillojë në afat prej dy-tri ditësh dhe do të përfundojë nga fundi i javës.
Shpejton krijimin e celulitit
Marrja e estrogjenit me anë të pilulës mund të shkaktojë mbajtjen e lëngut në indet jashtëqelizore, dobëson lehtë qarkullimin e gjakut, posaçërisht në këmbë. Te disa gra kjo mund të shkaktojë krijimin e celulitit, edhe pse pilula gjithsesi nuk është shkaktari kryesor i paraqitjes së celulitit.
Shton sasinë e sheqerit në gjak
Estrogjeni nga pilulat shkakton shtimin e nivelit të sheqerit në gjak, gjë që te gratë e shëndetshme nuk krijon kurrfarë pengese. Por, te gratë të cilat vuajnë nga diabeti, mund të përkeqësohet sëmundja. Për këtë arsye, gratë të cilat vuajnë nga diabeti, nuk duhet ta përdorin pilulën dhe duhet të zgjedhin ndonjë mënyrë tjetër kontracepsioni.
Shkakton shtimin e apetit
Disa gra thonë se kanë fituar disa kilogramë qëkur kanë filluar të përdorin pilulën. Pilula, ndërkaq, nuk përmban kalori dhe si e tillë nuk shkakton trashjen. Në disa raste shkaktohet ndryshim në qendrën e cila rregullon ndjenjën e urisë, prandaj paraqitet nevoja e shtuar për ushqim.
Këshillat ushqimore
Pa yndyrë
Po qe se, me gjithë ushqimin e kujdesshëm, kolesteroli edhe më tej është i lartë, duhen eliminuar yndyrat me origjinë shtazore, posaçërisht gjalpin dhe duhet të zëvendësohen me vaj ulliri. Organet e brendshme, siç janë gjëndrat, veshkat, mëlçia, në tërësi duhen eliminuar nga ushqimi, ndërsa sallamet lejohen vetëm kohë pas kohe. Mishi i kuq mund të përdoret në ushqim më së shumti dy herë në javë. Ditëve të tjera duhet ngrënë mish pule, mish lepuri, mish gjeldeti apo bishtajoret, siç janë fasulja, qiqra.
Perimet - patjetër
Perimet zvogëlojnë mungesën e betakarotenit: mjafton që gjellës çdo ditë t’i shtohen karota, spec, domate, korja dhe misri (përafërsisht 100 gramë). Veç kësaj, perimet ulin shkallën e sasisë së kolesterolit, sepse përmbajnë fibra, të cilat zvogëlojnë absorbimin nga ushqimi. Prandaj, përveç krundeve dhe drithërave, së paku një herë në ditë duhen ngrënë perime me fletë të gjera, siç janë sallatat dhe spinaqi. Gratë, të cilat përdorin pilulat, dy herë në vit duhet të kontrollojnë kolesterolin.
Shumë ujë
Të ushqyerit e rregullt mund të zgjidhë edhe një dukuri përcjellëse të pilulës kontraceptive: ruajtjen e lëngjeve. Disa persona gabimisht besojnë se mosmarrja e lëngjeve do të zbusë mbufatjen. Në të vërtetë është e kundërta: duhet pirë sa më shumë ujë, sepse uji nxit punën e veshkave dhe pastrimin e organizmit. Në këtë mënyrë përmirësohet edhe mikroqarkullimi. Perimet kanë shumë ujë, mirëpo gjatë ditës duhet pirë edhe së paku një litër e gjysmë ujë. Pijet e gazuara dhe pijet alkoolike duhet shmangur, sepse ngarkojnë veshkat dhe lirohen me vështirësi nga organizmi.
Të rejat nga shkenca
Pilula ndryshon ekuilibrin e disa materieve në organizëm
Një grup biologësh gjermanë ka zbuluar edhe një dukuri përcjellëse, e cila deri tani nuk është vërejtur: pilula ndryshon ekuilibrin e disa materieve në organizëm, përkatësisht shkakton mungesë të betakarotenit (substancë e domosdoshme për prodhimin e vitaminës A), ndërkaq shton nivelin e kolesterolit. Betakaroteni është i mirë për organizmin, sepse pengon çrregullimet në qarkullimin e gjakut dhe disa lloje të kancerit. Është e njohur se kolesteroli duhet të jetë patjetër nën kontroll të vazhdueshëm, në mënyrë që të eliminohen problemet me zemrën dhe me enët e gjakut. Përballë kësaj situate mjekët këshillojnë që të ndërrohet ushqimi, sepse të gjitha ato çrregullime mund të zbuten ose madje të eliminohen tërësisht po qe se ushqimi është i përshtatshëm.
Përgatiti: JONIDA TASHI
26 Shkurt 2008