Lotët gëzim i për ngjarjen e shekullit
Shqipe Nebiaj
Lajmi se do të shpallej pavarësia e Kosovës bëri që hapi i kohës të tejkalohej dhe të tundonte deri në qelizë qenien shqiptare. Por ky lajm vinte në radhë të parë nga marrëveshja që ai pati bërë me zemrën e tokës që nuk do të pranonte asnjë zgjidhje ose një farë zgjidhje që mund të vinte në dyshim funksionin e saj. Copëtimi gjigant që u bë hartës së populluar nga shqiptarët në konferencën e Londrës në vitin 1913 nuk pushoi së rrjedhuri….
Për më se 100 vjet koha tregoi se marrëveshje të ngritura në mënyrë artificiale, absurde dhe paradoksale nuk janë të përjetshme dhe pendesa ose riadresimi i gabimeve nuk vijnë vetvetiu……
Dhe më së fundi lajmi Kosova e pavarur....
Kjo fjalë magjike megjithëse ishte ngulitur prej kohësh në mendjet tona priste momentin për të gjunjëzuar veshët. Mbas transmetimit të parlamentit të Kosovës në datën 17 shkurt 2008 veshët u dhanë sinjal emocioneve që nuk kontrolloheshin dot nga ekzaltimi i forcës magjike: Kosova e pavarur... ishte një fjalë që nuk mund të kërkohet por që dilte brenda vetes, brenda gjakut brenda frymëmarrjes. Bota shqiptare e gjithë e kudogjendur shpërtheu nëpër rrugë për të manifestuar këtë ngjarje historike. Telefonata pa pushim... Urime, urime... E gëzofshim pavarësinë. Doja ta ndaja këtë emocion. Mora në telefon Vilson Kokalarin dhe Lumturi Oruçin, dy miqtë e familjes sime.
Nexhati, një shoku im me tha të nisesha drejt Times Squerit. Udhëtova drejt sheshit me miqtë e mi. Mezi po prisja të mbërrija atje. Times Squeri është sheshi më i madh i Nju Jorkut ku ka shumë lëvizje dhe shumë turistë, por dhe shumë zyra të radiotelevizioneve të njohur. Është sheshi që çdo shqiptar donte ti tregonte botës se pavarësia erdhi e jehonën e laj it të mirë ta shpërndante pikërisht në atë shesh ndër të njohur. Ky ishte pikërisht sheshi ku mund të falënderoje Amerikën dhe shtetet e tjera që ndihmuan për të ardhur te kjo ditë.
Para meje kisha një familje që kishte ardhur nga Pensilvanija dhe kishte fjetur atë natë në nja nga hotelet e Manhattanit. “Nuk shkova te të afërmit e mi në Bronx, -me tha ajo, sepse desha te isha sa më afër Times Squerit”. Makinat lëviznin nëpër rrugë pa pushim me flamurë shqiptarë dhe Amerikanë. Buritë sikur të afronin kodet a asaj kohe të hershme: “Hej more hej, pavarësia e Kosovës ka ardhur”. Pranë kisha Vilsonin po derdhte lot bashkë me motrën e tij Lumturinë. “Po përjetoj çastet më të paharrueshme të jetës sime”, -më tha. Ishin lot që nuk mund ti ndalonte askush, ishin lot që shikoje në plot sytë të atyre njerëzve, ishin lot ngaqë njeriu nuk e përballonte dot një ngjarje me përmasa kaq të mëdha. Një grua e moshuar nga Kosova që qëndronte prapa meje më tha: “Sot janë gëzuar dhe te vdekurit e rënë për këtë ditë”. Më pas më pyeti se nga isha. I thashë se kisha lindur në Tiranë dhe nisa t’i tregoja telefonatat e gëzuar që më ishin bërë nga miqtë e mi në të gjithë shqipërinë ku po festohej kjo ngjarje. Përpara meje kisha një polic që më pyeste për këtë ngjarje dhe mu desh të sforcohesha për të përmbledhur me pak fjalë atë histori që do të shkruhet në sa e sa libra tani e tutje. Përsëri polici kthente kokën nga unë për të përmbushur atë informacion që mund t’i ngelej në mendje nga ajo ditë...
Fytyrat e njerëzve ishin të ekzaltuar dhe për disa që ishin të rrethuar gjatë gjithë jetës nga mohimi i të drejtës së kthimit në tokën e tyre vdekja dukej sikur nuk ekzistonte. Duke kaluar për t’u lidhur me miqtë e mi dëgjova një zë nga mbrapa. “Hej Shote Galica!” Nuk e di pse në atë moment më përkëdheli ai emër. Ishte një shoku im nga Kosova që nuk e kisha parë për 14 vjet. “Oh, -i thashë, nuk e kam më gërshetin. “Ke hijen”, vazhdoi komplimentin miku i vjetër. Pas kësaj bisede bëra një foto me të, si kujtim nga festa për këtë ditë të shënuar.
Buritë e makinave vazhdonin të binin....
Vajza të reja me makina, të veshura me bluza të dekoruara me shqiponjën e zezë dhe me një rip të kuq përreth ballit ku mbizotëronte simboli i flamurit me trupin zgjatur jashtë makinës brohorisnin pa pushim. Për një çast makinat u ndaluan dhe u drejtuan për t’u kthyer në një rrugë më të gjatë për çështje trafiku. Njerëzit në të dyja anët e sheshit po prisnin që të harmonizonin të thirrurat e tyre me boritë e makinave. Njerëz të huaj ndalonin dhe pyesnin. Ata fotografonin dhe filmonin manifestimin.
Atmosfera po merrte flakë. Njerëzit nuk përmbaheshin. Policët në këtë moment nuk ishin në gjendje të urdhëronin zbritjen e manifestuesve nga makinat. Dhe ata u hipnotizuan me këtë atmosferë. Makinat pa pushim përshkojnë atë shesh dhe nuk kanë të mbaruar.
Një fëmijë në majë të një makine i mbështjellë me flamur krijoi atë përfytyrim të një shteti të ri të sapo lindur në mes të Europës. Dita e lindjes ishte regjistruar në një letër papirus të porositur në Londër në vendin e lindjes në parlamentin e Kosovës. Ndryshe nga regjistrat e gjendjes civile kjo u shoqërua me një brohoritje dhe me një ekzaltim të madh. Në sheshin Times Squere një djalë i ri rreth të 20-tave, i gjatë, elegant, i veshur kuq e zi, vraponte sikur të ishte në një skene baleti. Kjo skenë e improvizuar të kujtonte baletin “Mujo dhe Halili”. Ky luante një balet që kishte ardhur nga një skenar i gjatë por që në atë shesh duhej të luante finalen. Një vrapim elegant vajtje dhe ardhje me dy flamur në duar një shqiptar një amerikan. Ai dukej si një lajmëtar që përshkruante atë shesh dhe kthehej përsëri. Është një pamje magjepse që flakëronte nga të dy anët nga flamujt e kuq. Kanë ardhur njerëz nga të gjitha anët në atë shesh; nga Conecticut, Nju Xhersi, Uashingtoni. Sa njerëz do të dëshironin të ishin dëshmitarë fizikë të kësaj pjese të historisë që do t’u transmetohet brezave.
“Ora shënon 03:30”, i them Vilsonit për të marrë makinën dhe për të manifestuar me makinë për të shijuar nga maja e makinës atë atmosferë ku fitorja e reales mbi irealen triumfoi. Ku ëndrra u bë realitet atë ditë në atë shesh ku do të regjistrohej një ngjarje e jashtëzakonshme. Atë ditë Eraldo Rivera, një gazetar i Fox News, tha se ky manifestim spontan mori vend në Times Squere. Ai mori në interviste një manifestues shqiptar që tha: “Jemi mbledhur këtu për të festuar fitoren e pavarësisë së Kosovës, të cilën e kemi pritur dhe kemi luftuar shumë gjatë për këtë ditë dhe jemi këtu për t’i shprehur mirënjohjen tonë Amerikës. Pa ndihmën e saj nuk do ta arrinim këtë. Amerika ka një mik që nuk e harron kurë të mirën. Pyetjes se cila do të ishte fati i minoritetit serb në Kosove bashkëpatrioti iu përgjigj me shume zgjuarsi: “Ne nuk do të bëjmë atë që ata na bënë ne”.
17 shkurti në Times Squere regjistroi manifestimin më madhështor dhe spontan të diasporës shqiptare për të jetuar të lirë dhe të pavarur në shekullin e 21-të. Fotografi, reportazhe të gazetarëve të huaj atë dite do të regjistrohen si një dokument të një epoke e re në historinë shqiptare. Mbas asaj dite të bukur dhe të ftohtë njerëzit nuk duan të shkojnë nëpër shtëpia në mendjen e tyre është mrekullia e asaj dite që nuk e suportonin dot. Të shpërndarë në drejtime të ndryshme shqiptarët do ta festojnë duke u gdhirë në restorante ku pronarët shqiptarë me bujarinë e tyre kanë afruar të gjithë shqiptareve të festojnë gjithë natën atë ditë historike.
26 Shkurt 2008