Pas një shekulli, “Njerëz të humbur” bie në gjurmët e familjes Murra në Turqi
Pas një shekulli, duket se familjes Murra nga Vlora po i buzëqesh fati... Një moment që e kanë pritur me breza tw tërë, atë të ribashkimit të gjakut të ndarë. Nata e së shtunës ka sjellë të rejat e fundit për pjesën tjetër të fisit të mbetur në Turqi, duke ringjallur shpresa të venitura prej kohësh. Qw nga nwntori i vitit që lamë pas, nga ana e gazetarëve të emisionit “Njerëz të humbur” është bërë një punë e mirëfilltë investigative duke kaluar shumë peripeci e burokraci shtetërore. Për herë të parë, gazetarët kanë arritur të depërtojnë në regjistrat turke të viteve 1900 dhe të zbulojnë identitetin e ri të familjes Murra. Në fakt, asnjëherë nuk ka qenë e sigurt se çfarë mbiemri kanë mbajtur ata mbas ikjes nga Konica në drejtim të Stambollit. Më në fund është mësuar se në vitin 1934 me anë të një ligji të posaçëm për ndryshimin e mbiemrave të të gjithë emigrantëve në Turqi, mbiemri i tyre ka ndryshuar nga Murra në Dum. Nevruz Murrës duket se tashmë po i plotësohet një amanet i vjetër i të atit, i cili vdiq me brengën që nuk e takoi kurrë familjen e tij... Megjithwse ka marrë vesh se xhaxhai i tij, Shahini, nuk jeton më, ai është gëzuar me faktin se nipërit janë gjallë dhe shumë shpejt mund t’i takojë ballë për ballë.
Historia
Nevruz Murra është në kërkim të rrënjëve të tij, të një pjese të familjes, e cila mendohet të ketë ikur në Turqi. Rrethanat se si ka ndodhur ngjarja janë si më poshtë:
Gjyshi i Nevruzit quhej Ahmet, ndërsa gjyshja Xhano. Mësohet se ata kanë patur tre fëmijë: Hysenin (babain e Nevruzit), Shahinin dhe Muharremin (i cili vdiq i ri).
Babai i Nevruzit, Hyseni, ka lindur në vitin 1881 dhe ka vdekur në vitin 1958. Nga të dhënat që disponon Nevruzi, babai i tij Hyseni ka lindur në Konicë të Janinës, në Greqi. Nuk dihet nëse mbiemri i tyre ka qenë Murro, Muro apo Mura. Hyseni në Greqi ka qenë i martuar dhe për shkak të frikës së një hakmarrjeje detyrohet të lwrë Konicën dhe të arratiset në drejtim të Shqipërisë. Në Greqi ai la mbrapa familjen, prindërit Ahmet e Xhano, vëllezërit Shahin e Muharrem, si dhe gruan shtatzënë. Në kohën kur zhvillohej Lufta e Parë Botërore, ai vendoset fillimisht në veri të vendit e më pas zhvendoset në qytetin e Vlorës, ku jetoi deri në fund të jetës. Në moshën 49 – vjeçare ai martohet me Nurihanë dhe kishte krijuar një biznes të tijin në Skelë të Vlorës. Në vitin 1930 ndodh një ngjarje, e cila do të ndryshonte rrjedhën e historisë së tij. Në atë kohë, në Vlorë kishte mbërritur një person nga Turqia i cili quhej Yzedin. Ai kishte ardhur si turist bashkë me gruan dhe dy vajzat e tij. Me këtë rast, ai kishte hapur edhe një biznes të vogël në Vlorë, një punishte artizanale për riparimin e orëve në një ambient që e kishte marrë me qira. Në fakt, Hyseni e kishte njohur që në fillim Yzedinin. Ai kishte qenë një i afërm i tij në Konicë. Hyseni gjen një mënyrë shumë origjinale për t’iu prezantuar kushëririt të largët, i cili nuk e mbante mend Hysenin. Një ditë shkon në dyqanin e tij me pretekstin për t’i rregulluar një orë të vjetër. Yzedini e kishte njohur menjëherë orën dhe e kishte pyetur se nga e kishte marrë. Hyseni i ishte përgjigjur se atë orë e kishte ruajtur që nga Konica. Brenda pak minutash, dy kushërinjtë janë njohur dhe përqafuar. Mes përmallimit, Hyseni e kishte pyetur Yzedinin se ku kishte përfunduar familja e tij. Ai i ishte përgjigjur se të gjithë ishin zhvendosur në Stamboll, përveç të atit qw kishte vdekur rrugës dhe ish-bashkëshortes, e cila ishte ndarë nga jeta në momentin që lindte fëmijën. Por kushëriri i mundësoi Hysenit rilidhjen e kontakteve me të vëllain në Stamboll. Deri në vitin 1939, Hyseni në Vlorë dhe Shahini në Turqi mbanin kontakte të rregullta me anë të letrave. Për hir të familjes që kishte krijuar, Hyseni nuk kishte pranuar që të shkonte dhe të bashkohej me vëllain në Stamboll. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939 do të çonte në shkëputjen njëherë e përgjithmonë të lidhjeve mes dy vëllezërve. Ato pak letra me adresa dhe një foto, ku Shahini kishte dalë me të shoqen dhe dy fëmijët, fatkeqësisht u dogjën gjatë luftës. Ardhja në fuqi e sistemit komunist e bëri akoma më të pamundur kërkimin e pjesës tjetër të familjes në Turqi. Përpara se të vdiste, Hysen Murro la amanet që të gjenin vëllain dhe nipërit pasi ishin gjaku i tyre...
Megjithwse ka kaluar më shumë se një shekull, amaneti i babait të tyre i ka mbajtur gjallë fëmijët dhe duket se shumë shpejt do të vihet në vend falë kërkimeve në “Njerëz të humbur”.
26 Shkurt 2008