Shqiptarët të vihen në dietë!
Aldo Merkoçi*
Me sa duket kjo është politika e re që po fantazon kryeministri ynë për të gjithë shqiptarët. Me siguri kjo duhet të jetë ndonjë politike që e ka dëgjuar nga “miku” i tij presidenti Bush, i cili muaj më parë këshilloi qytetarët amerikanë të tregonin kujdes me ushqimin, duke patur parasysh trendin në rritje të obezitetit në ShBA. Por fatkeqësisht, mes dy vendeve tona nuk mund të heqim dot asnjë paralele e aq më pak në statistikat e obezitetit apo mirëqenies së popullsisë.
Ndonëse ende e padeklaruar nga Berisha, kjo është e vetmja përgjigje që të vjen ndër mend kur dëgjon kryetarin e ekzekutivit dhe ministrin e financave Z. Bode se si i përgjigjen gjendjes alarmante në të cilën ndodhet buxheti personal i çdo shqiptari.
Në një kohë kur ekonomia shqiptare po ballafaqohet me rritjet më të larta të çmimeve të bukës, frutave, zarzavateve, gazit e naftës e më së fundmi edhe të energjisë elektrike; në një kohë kur ndeshemi me numrin më të madh të monopoleve e karteleve, qeveria vendos të presë statistikat e INSTAT-it, i cili në momentin kur duhej më shumë për të kuptuar se ç’po ndodh me ekonominë e me xhepat e shqiptarëve, çuditërisht zgjedh të zbukurojë faqen e internetit për ta bere më tërheqëse e si rrjedhojë e nxjerr atë jashtë funksioni për më shumë se një javë, duke mos dhënë asnjë informacion.
Aaa, po na falni zoti kryeministër, keni të drejtë. Prandaj dhe ju nuk merrni dot masa sepse INSTAT-i zbukuron faqen. Nga ana tjetër, ministri i Financave e ka të pamundur të mendoj kur nuk mendoni ju, për disa arsye që ngelen ende të pakuptueshme për të gjithë ne. Për të mos folur për ministrin e bujqësisë, që më mirë mos mendojë fare, sepse edhe atëherë kur mendon, ka për borxh të ofendojë të gjithë ekonomistët e botës kapitaliste kur thotë se “çmimet rriten sepse është shtuar numri i operatoreve në treg”.
Dakord! Le të pranojmë për një moment se gjithçka thamë më lartë janë justifikime të vlefshme. E keni të pamundur të reagoni pasi rrethoheni nga ministra të paaftë ndërkohë që institucionet nuk funksionojnë. Po ju vetë Z. Kryeministër, a vazhdoni të ushqeheni? Ngroheni me energji elektrike? Përdorni naftë apo benzinë për makinën tuaj?
Sigurisht që po! Po atëherë me të vërtete keni nevojë për INSTAT-in që t’ju thotë se shpenzimet tuaja familjare për bukën janë rritur me 40 për qind? Që frutat janë rritur me 38 për qind, zarzavatet me 22 për qind, që nafta dhe gazi janë rritur me 90 për qind, energjia elektrike me 72 për qind (për konsumatoret mbi 300kv/h) e të gjitha këto kanë ndodhur që nga momenti që juve iu është besuar e ardhmja e këtij vendi e njëkohësisht mirëqenia e shqiptarëve. Sepse shumica e shqiptarëve ju besuan juve Z. Kryeministër! Po tani, kujt duhet t’i drejtohen pas këtij kaosi që ka pllakosur vendin në një situatë ku vetëm për mirëqenie nuk mund të flitet?!
Po ndoshta ju nuk i ndjeni të gjitha rritjet e çmimeve Z. Kryeministër, sepse karburantin për makinën tuaj e paguajnë qytetarët e këtij vendi. Ndoshta edhe ushqimet ju preferoni t’i blini në Maqedoni ashtu dhe siç bëjnë disa nga qytetarët që jetojnë në jug të vendit. Sepse mesa duket në shtetin tonë fqinjë paska një qeveri e cila kujdeset për qytetaret e saj dhe me sa duket po kujdeset edhe për një pjesë të qytetareve tanë që jetojnë pranë kufirit.
Sigurisht ju nuk e ndjeni edhe aq shumë rritjen e çmimeve. Me sa duket në Shqipëri mund të jetosh vetëm nëse je shumë i pasur apo nëse je qeveritar i lart. Kjo është zgjidhja e vetme që ka e gjithë pjesa tjetër e popullsisë.
I gjendur para një presioni të madh publik ushtruar nga mediat dhe nga shoqëria civile, ju dolët në një prononcim ku deklaruat se do të subvenciononit bukën për të gjithë qytetarët në nevojë. Jo nuk është kjo zgjidhja Z. Kryeministër! Nuk është kjo zgjidhja për disa arsye. Së pari sepse nuk është rritur vetëm çmimi i bukës. Së dyti pasi qeveria që ju drejtoni është treguar e paaftë në më shumë se një rast për të subvencionuar familjet në nevojë. Mund të përmend rastin më të fundit për energjinë elektrike ku një përfaqësuese e ministrisë së financave tha se “skema e subvencionimeve nuk mund të quhet totalisht e dështuar” edhe pse gjysma e buxhetit të akorduar nuk u arrit të shpërndahej për familjet në nevojë. E treta sepse tanimë keni shpenzuar të gjithë buxhetin tuaj në rrugën e famshme historike, patriotike etj., etj. Por arsyeja më e rëndësishme është se kjo nuk është një zgjidhje afatgjate. Kjo rritje marramendëse e çmimeve mund të luftohet vetëm duke luftuar monopolet dhe kartelet që po mbysin ekonominë shqiptare, këshillë kjo e sugjeruar edhe nga Znj. Ann-Margaret West, përfaqësuesja e përhershme e FMN për Shqipërinë.
Në një kohë kur ne shohim fëmijë të vegjël që shesin paketa cigaresh në rrugë, në një kohë kur shohim njerëz që flenë në rrugë mbuluar me copa kartonësh, në një kohe kur pensionistët dhe familjet me ndihme sociale vështirë se arrijnë të plotësojnë nevojat e tyre për tu ushqyer e ngrohur, në një kohë kur ish ushtaraket dhe invalidët e punës nuk janë pjesë e skemave të subvencionit, është e qartë se Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i duhen politika dhe skema për “vënie edhe më shumë në dietë” Z. Kryeministër! Ky është realiteti në të cilin jetojnë sot të gjithë qytetarët shqiptarë, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Burra e gra, fëmijë e të moshuar, në fshat e në qytet, sot kanë nevojë për një qeveri që i kthen sytë nga ata, e jo për një Kryeministër që i vendos në dietë.
*Aktivist i Lëvizjes MJAFT!
26 Shkurt 2008