E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna dëgjon pas pesë vitesh zërin e të birit

“Nuk ka gjë më të tmerrshme kur fëmija të largohet pesë ditë Aida, jo më pesë vjet”, - kështu do ta niste rrëfimin e saj nëna e Ervin Elezajt në studion e “Njerëz të humbur”, në Vizion Plus, të shtunën e kaluar. Ervini do të udhëtonte në drejtim të Turqisë dhe do të humbte kontaktet me familjen po nga ky shtet. Ervin Elezaj, aktualisht 25 vjeç, nga Berati, niset drejt Stambollit së bashku me familjen e tij në datën 14 tetor të vitit 1997. Lagjja “Bajram Pasha” do të shndërrohej në strehëzën e përkohshme të Ervinit. Aty ai punonte në një dyqan mishi dhe u ambientua shumë shpejt me gjuhën dhe mjedisin turk. Më 14 tetor të vitit 2002, familja e Ervinit vendos të kthehet përgjithmonë në Shqipëri, ndërsa ky i fundit qëndroi në Turqi. Një vit më vonë, pikërisht në fund të muajit maj të vitit 2003, Ervini niset me dijeninë e familjes për në Francë nëpërmjet një anijeje tregtare. Udhëtimi do të zgjaste përreth 6 muaj dhe largimi do të realizohej nëpërmjet një pasaporte turke. Ndërkohë, një shok i Ervinit merr në telefon familjen e tij dhe u pohon atyre se sapo të mbërrijë në Francë, Ervini do të kontaktonte menjëherë me familjen e tij. Më datën 4 shtator të vitit 2003, Ervini komunikon në telefon me të motrën, së cilës i tha se ishte shëndoshë e mirë, kishte filluar aplikimin për dokumente, madje do të largohej së bashku me disa shokë për pushime në Spanjë. Kjo do të ishte telefonata e fundit me Ervinin. Ditët në vijim do të ishin edhe më të vështira pasi djali beratas nuk po jepte asnjë shenjë jete. Kërkimet e para të stafit të “Njerëz të humbur” u fokusuan fillimisht në Turqi, aty ku ai kishte jetuar për vite të tëra dhe më vonë në Francë, aty ku dyshohej se mund të kishte shkuar. Kërkimet intensive të stafit të Aida Shtinos arritën të rrëzojnë pistën e Francës pasi në të gjitha vendet e përmendura në emision nuk ekzistonte asnjë gjurmë e Ervinit. E gjithë vëmendja e gazetarëve u përqendrua në Turqi pasi në saje të një bashkëpunimi tejet të ngushtë me një korrespondente në shtetin turk po shfaqeshin hapa konkretë në gjetjen e djalit. Sipas bashkëpunëtores, në muajin nëntor të vitit 2003 Ervini ka qenë ende në Turqi dhe ka pasur kontakte me Konsullatën Shqiptare në Turqi. Një ndihmesë të jashtëzakonshme në kërkimin e djalit ka dhënë edhe korrespondenti i “Njerëz të humbur” në Vizion Plus, Kadri Limani. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe! Teksa Aida ka qenë duke biseduar me familjen e Ervinit, pas disa minutash ato kanë dëgjuar pas pesë vitesh zërin e tij. Nëna do ta krahasonte këtë moment të njëjtë me atë të 26 viteve më parë, kur Ervini kishte ardhur në jetë. Biseda ka qenë tejet emocionuese mes familjarëve dhe Ervinit. Të binte në sy lumturia që kjo familje përjetoi sapo mori vesh se djali jetonte dhe ishte shëndoshë e mirë në Turqi. Arsyet dhe motivet ato ranë dakord që t`i sqaronin më vonë, por këtë të shtunë nëna dhe motra dolën nga studio e “Njerëz të humbur” në Vizion Plus me lajmin e gjetjes së Ervinit pas pesë vitesh mungese pranë gjirit të tyre.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›