E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet që kanë dorëzuar koeficientët për 2008-n

Koeficientët e Maturës Shtetërore do të miratohen së shpejti. Kjo është bërë e ditur dje nga drejtoresha e Politikave të Arsimit të Lartë, Elida Hoxha, e cila ka qetësuar të gjithë maturantët se këta koeficientë do të publikohen përpara afatit të dorëzimit të formularit A1. Elida Hoxha u shpreh: “Informacioni u është dërguar tashmë universiteteve dhe u është kërkuar atyre përcaktimi i koeficientëve si për lëndët me zgjedhje, ashtu edhe për llojin e shkollës së mesme”. Gjithashtu, ajo ka bërë të ditur se universiteteve u është dërguar një shkresë ku është kërkuar që këto institucione të sjellin propozimet e tyre për koeficientët. Ndërkohë, disa universitete i kanë sjellë koeficientët, si Akademia e Fizkulturës, Universiteti Bujqësor, Universiteti i Korçës, ndërsa Universiteti i Tiranës do t’i sjellë sot. “Ne besojmë se këto dy ditë do të marrim të gjithë informacionin që do të shpërndahet në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe më tej në shkollat e mesme”, - sqaroi Hoxha. Sipas saj, e rëndësishme për nxënësit tani është të njihen me informacionin, me koeficientët e lëndëve me zgjedhje dhe të llojit të shkollës së mesme. Në bazë të tyre ata do të përcaktojnë lëndët që do të japin në provimet me zgjedhje, të përputhshme me degët e universiteteve që ata duan të ndjekin. Hoxha shtoi gjithashtu se MASH e AVA do të botojnë disa fletëpalosje apo broshura që do të përmbajnë tabelën e koeficientevë në mënyrë që ky informacion të shkojë deri te maturanti. Këtë vit, në listën e lëndëve me zgjedhje krahasuar me vitin e kaluar ka lëndë që janë ndarë ose shtuar. Për shembull, Histori-Gjeografi tashmë janë dy lëndë ose është frëngjishtja që është një lëndë e re me zgjedhje. Edhe një vit më parë, koeficientët e institucioneve të arsimit të lartë janë publikuar përpara afatit të dorëzimit të formularit A1.
J. Tashi

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›