E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat e huaja: Nga tragjedia, dorëheqja e Mediut dhe deri te turizmi

Speciale për raportimet e mediave të huaja për Shqipërinë e tri ditëve të fundit. Dyshimi për anëtarësimin në NATO, hetimi për Mediun dhe specialja e “Telegraph”-it
Ardian Shpendi

Prej tri ditësh, mediat ndërkombëtare nuk reshtin së emetuari ngjarjen tragjike të ndodhur në Gërdec, ndërkohë që jashtë vëmendjes nuk është lënë as dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Shumë sish vendosin në pikëpyetje ftesën e pritshme të Shqipërisë për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit. Përkundër gjithë kësaj situate të zymtë, krejt ndryshe nga simotrat e saj, e përditshmja britanike paraqiti dje një profil të bukurive të monumenteve të kulturës në vendin tonë, të shkruar nga një gazetari-udhëpërshkrues, Jeremy Seal.
Raportimi për tragjedinë
Gjatë gjithë ditës së djeshme, mediat e huaja i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë ngjarjes së Gërdecit, si dhe të dhënave për bilancin e tragjedisë. Britanikja “The Guardian” raporton se, “Të paktën nëntë persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë plagosur pas një serie shpërthimesh në një bazë ushtarake në Shqipëri. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për 10 punonjës të humbur në Gërdec, tetë kilometra larg Tiranës. Më shumë se 240 persona janë plagosur nga shpërthimet që filluan të shtunën dhe që vazhduan të paktën deri dje. Ndërsa prestigjiozja ''Corriere Della Sera” raporton për gjendjen e të lënduarve që ndodhen në spitalet e Italisë: “Është në gjendje të rëndë shëndetësore një fëmijë shqiptar i shtruar në Brindizi, pas shpërthimeve në një depo ushtarake në Vorë, të shtunën e kaluar. Fëmija gjashtëvjeçar ka djegie në 70 për qind të trupit dhe sot ka edhe temperaturë. Gjendja e 10 të plagosurve të tjerë është e qëndrueshme”. ''The New York Times” raporton se, “Shpërthimi i ndodhur të shtunën në një bazë ushtarake në Shqipëri ka shkaktuar deri tani nëntë të vdekur dhe më shumë se 240 të plagosur. Spitalet kanë pranuar qindra të plagosur me djegie, thyerje gjymtyrësh apo prerje”. Më tej vijon me deklaratën e kryeministrit Berisha: ''Njëqind mijë tonë eksplozivë... mbeten një problem serioz''. ''Nëntë trupa janë gjetur deri tani pas shpërthimeve të së shtunës'', - thotë zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri”, - citon rrjeti televiziv amerikan CNN. Ai raporton më tutje: “Zyrtarët nuk kanë përcaktuar ende shkakun e shpërthimeve, por mendojnë se ato nuk ishin të qëllimshme. Francezja ''Le Figaro” njofton lexuesit e saj: “Vazhdojnë kërkimet pranë depove ushtarake të Gërdecit, jo larg Tiranës, ku të shtunën ndodhi një shpërthim i fuqishëm që shkaktoi nëntë të vdekur dhe 243 të plagosur, nga të cilët 12 në gjendje të rëndë shëndetësore.
''Policia dhe ushtria po kontrollojnë të gjithë zonën për shkak të predhave të paplasura'', - deklaroi ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.
Dorëheqja e Mediut
Edhe dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pikërisht në kohën që mund t’i gëzohej një ftese të mundshme të samitit të Bukureshtit për anëtarësimin e vendit në strukturën ushtarake euro-atlantike, është përcjellë njëherësh në shumë prej agjencive informative të botës. “Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë dha dorëheqjen të hënën për shkak të shpërthimit të municioneve në fundjavë, për të cilin prokuroria e vendit dyshon se mund të ketë lidhje me krimin”, - shkruan Forbes. Sipas saj, “opozita kërkoi dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe të kryeministrit Sali Berisha, hap ky i marrë pas ngjarjes së të shtunës”. Ndërsa “The Associated Press” citon zëdhënësin e kryeministrit Grid Rroji: “Qeveria shqiptare thotë se ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka dhënë dorëheqjen pas shpërthimit të depos së municioneve, ku u vranë 11 veta dhe u plagosën rreth 300 të tjerë”. Ndërsa BBC britanike, jo vetëm raporton dorëheqjen e Mediut, por e lidh ngjarjen e ndodhur të shtunën me anëtarësimin në NATO. “Shkatërrimi i municioneve të vjetra është një nga kushtet që duhet të plotësohet për t’u bërë anëtarë të NATO-s”, - shkruan në edicionin e saj on line BBC. Janë me dhjetëra media të tjera që informojnë për zhvillimet politike në Shqipëri, për kërkesën e Ramës që kryeministri dhe ministri Mediu të japin dorëheqjen apo edhe për zhvillimet për bilancet më të fundit të tragjedisë.
Një kontrast në raportim
Ndërsa shumica e mediave të të gjithë botës raportojnë për viktima apo dëme, e përditshmja e njohur britanike “The Telegraph” kishte përgatitur një speciale për bukuritë turistike dhe pasuritë e trashëgimisë kulturore. “Shqipëria: lavditë e dikurshme dhe të ardhshme”. Reportazhi është përgatitur nga gazetari Jeremy Seal, i cili ka lënë pas dore situatën e zymtë që ka pllakosur vendin në tri ditët e fundit dhe është marrë me promocionin e turizmit shqiptar që është në fazat e para të “bulbëzimit” të tij. Ky shkrim merret me trashëgiminë e qytetërimeve greko-romako-bizantine, otomane e deri te bunkerët e regjimit të Enver Hoxhës.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›