Vonohet për t’u kuruar jashtë se nuk ka foto për pasaportë
Rrëfimi i Osman Hakës për gjendjen e rëndë shëndetësore të së bijës. Osmani ndërron pavijonet, herë te nëna, herë te vajza
Emanuela Sako
Osman Haka nuk ka mundur dot ta dërgojë në kohë për kurim jashtë shtetit të bijën, Meltina. Ajo ka marrë plagë të rënda në pjesën e fytyrës dhe sipas mjekëve, duhet dhënë ndihmë mjekësore më e specializuar, mirëpo nuk i gjendet një foto për të përgatitur dokumentet. Meltina po kurohet në Spitalin Ushtarak dhe babait të saj, Osmanit, njëherë i duhet të shikojë të bijën dhe më pas të ëmën, që ka mbetur po e plagosur. I kontaktuar nga gazeta “Albania” gjatë gjithë pasdites, Osmani ka mundur të pohojë se vetëm në orët e vona të mbrëmjes i kanë miratimin për kurimin jashtë të së bijës. Ndërkohë që i është dashur gjithë ditën të orvatet për të mësuar se përse Meltina nuk mund të dërgohej jashtë shtetit. Në intervistë Osmani ka shpjeguar se megjithëse procedurat për plotësimin e dokumentacionit për të prekurit nga tragjedia këtë herë janë lehtësuar, ai ka hasur pengesë në nxjerrjen e pasaportës së vajzës. Bashkia e Vorës ka vonuar procedurat për arsye banale, por më pas ka lejuar dhënien e pasaportës. Vajza është djegur në pjesën më të madhe të fytyrës, ku ka probleme të mëdha me shikimin. Po kështu, ka djegie dhe fraktura të rënda në të gjithë trupin. Në orët e vona të natës apo në mëngjes pritet që vajza të fluturojë me helikopterët e ndihmës së shpejtë drejt Spitalit të Barit në Itali. Ndërkohë, në dhomën e vajzës dhe të nënës së Osmanit familjarët ndahen me pesëminutëshe. Herë vizitojnë nënën në katin e parë të Qendrës së Traumës dhe herë vajzën, të shtruar te ORL-ja, një kat më sipër.
Ku keni qenë në momentet e shpërthimit?
Kur ka ndodhur shpërthimi kam qenë në Vorë duke punuar. Menjëherë sa kam dëgjuar zhurmën e fuqishme të shpërthimit dhe kam parë tymin dhe flakët të ngriheshin në qiell, jam larguar për në shtëpi. Kam gjetur shtëpinë të rrënuar dhe familjen time që kishte dalë jashtë shtëpisë, të gjithë të dëmtuar. Kam marrë menjëherë makinën dhe jam nisur për në spital. Jam futur në fshat mes tymit dhe lëndëve që plasnin. Nuk mendoja asgjë në ato momente, vetëm doja që të gjeja familjen time gjallë dhe ta nxirrja nga ai kaos.
Familjarët ishin brenda në shtëpi në momentet e shpërthimit?
Në momentet e para të shpërthimit në shtëpi ka qenë vajza, nëna dhe nusja e vëllait. Në fillim ata kanë dëgjuar fishekët e parë që u ndezën, ndërsa kur plasi shpërthimi i madh ato kanë qenë brenda. Nusja e vëllait i ka nxjerrë menjëherë nga rrënoja e shtëpisë, që filloi të digjej dhe të shkatërrohej.
Sa të dëmtuar janë nga familja juaj?
Vajza dhe nëna janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po kurohen këtu te Spitali Ushtarak. Vajza ka probleme të mëdha me sytë, veshët dhe gjithë trupin. Megjithëse është operuar te okulisti, përsëri është në gjendje tepër të vështirë. Ndërsa nëna ka dëmtime të fytyrës dhe trupit.
Sa vjeç janë nëna dhe vajza?
Vajza është 16 vjeçe, ndërsa nëna është 70.
Çfarë ju kanë thënë mjekët për gjendjen e tyre shëndetësore?
Gjendja është tepër rëndë, sidomos gjendja shëndetësore e vajzës. Mjekët më kanë thënë se vajzën do ta nisnin për një kurim më të specializuar për në Itali. Ndërsa nëna po kurohet këtu, pasi ka djegie të mëdha në trup dhe ka thyer edhe gjymtyrët.
Keni pasur probleme me dokumentet, apo nga mjekët?
Mjekët na kanë ndihmuar shumë dhe ishin ata që na sugjeruan për ta çuar vajzën jashtë vendit. Por kemi hasur probleme me nxjerrjen e pasaportës, pasi shteti italian nuk na pranon pa pasaportën e vajzës. Djali shkoi për të nxjerrë pasaportën në Bashkinë e Vorës dhe aty i nxorën disa probleme me fotot. Iu desh të priste për disa orë dhe të këmbëngulte për ta nxjerrë pasaportën. Ndërkohë që vajza duhet të niset në mënyrë urgjente jashtë vendit për një kurim më të specializuar.
Ku keni qëndruar këto tri ditë?
Nuk i jemi ndarë spitalit. Kemi fjetur në karrige apo në makinë. Shtëpia është shkatërruar totalisht dhe nuk ka ngelur asgjë. Nuk kemi ku të rrimë, e vetmja mundësi është të qëndrojmë te të afërmit.
Sa larg është shtëpia juaj nga vatra e shpërthimit?
Rreth 200 metra larg. Nuk kishte sesi të shpëtonte nga gjithë ai shpërthim i fuqishëm, që nuk gjej dot fjalë për ta përshkruar.
Mehmet Saliu, 64 vjeç
“Kur ndodhi ngjarja isha me vajzën për vizitë në shtëpinë e një mikut tim në Gërdec. Në kohën e shpërthimit, në shtëpi ndodhesha me vajzën dhe një fëmijë të vogël. Kur dëgjuam zhurmën e fuqishme menjëherë dolëm në oborr për të parë se çfarë ndodhi. Më pas u futëm brenda në shtëpi për t’u mbrojtur dhe pamë të shembej shtëpia mbi ne. Unë mbeta pa ndjenja, vetëm di që vajza më ka nxjerrë jashtë dhe më ka çuar në një bunker aty pranë. Brenda kishte dhe 20 persona të tjerë të plagosur. Më shumë ishin gra, fëmijë dhe 4 burra. Kam qëndruar brenda dy orë, pastaj vajza më ka marrë për krahu dhe më ka nxjerrë në rrugën kryesore, ku ishin ambulancat, sepse kisha mjaft rrjedhje gjaku. Jam dëmtuar në fytyrë, ku kam djegie të mëdha, në krahë dhe këmbë. Mjekët më kanë thënë se së shpejti do të më nisin për në Itali”.
Klodian Gërdeci, 25 vjeç
“Isha me orkestrën në një dasmë në një nga lokalet e Gërdecit. Shpërthimi ishte i menjëhershëm dhe vetëm pashë që ndërtesa u shemb. Nga rrënoja më ka nxjerrë një vajzë që ishte në dasmë dhe më pas nuk mbaj mend asgjë. Mjekët më kanë thënë se do të më operojnë, po gjithçka mbetet në dorën e tyre. Kam dëmtime në të gjithë trupin nga shembja. Ndërsa djegie në fytyrë dhe trup nuk kam. Ngjarja ishte e rëndë, pasi të gjithë dasmor, përfshi nusen dhe dhëndrin kanë ardhur në spital për t’u kuruar”.
Bilanci
Të shtruar 53 persona
Jashtë vendit 17 persona
QSUT, Djegie- Plastika 22 persona
Në pavijon 15 persona
Në reanimacion 4 persona
Okulistika 3 persona
Pritet të dërgohen për jashtë shteti në orët e vona të pasdites
3 pacientë nga QSUT-ja
2 pacientë nga Spitali Ushtarak
Prefektura e Elbasanit mbledh fonde për të dëmtuarit
Prefektura e Elbasanit i ka bërë thirrje komunitetit të kësaj zone që të kontribuojë sado pak me fonde në ndihmë të banorëve të dëmtuar nga shpërthimi i ndodhur dy ditë më parë në Gërdec. Gjendja e të dëmtuarve është tepër e vështirë, pasi kanë humbur gjithçka. Zëdhënësi i prefektit të qarkut të Elbasanit, Rezart Kovaçi, u shpreh se qytetarët po tregohen të gatshëm për të dhuruar gjak për qindra të plagosur në këtë ngjarje, ndërsa nënvizoi se “shpresojmë se e njëjta gatishmëri do të tregohet edhe përsa i përket ndihmës financiare për familjet e dëmtuara”.
Kryqi i Kuq në Korçë nis mbledhjen e fondeve
Dega e Kryqit të Kuq në Korçë ka filluar dje mbledhjen e ndihmave në të holla që kanë si destinacion banorët e dëmtuar nga shpërthimi i dy ditëve më parë në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës (Tiranë). Për këtë qëllim, vullnetarë të Kryqit të Kuq të kësaj dege kanë ndërmarrë një fushatë sensibilizuese, ndaj qytetarëve të ndryshëm, pronarëve të lokaleve dhe subjekteve private. Sipas të dhënave nga dega e Kryqit të Kuq në Korçë, sot në ditën e parë të kësaj fushate një numër i madh banorësh të qytetit kanë kontribuar në shenjë solidariteti për të lehtësuar sadopak fatkeqësinë që po kalojnë banorët e Gërdecit dhe të dëmtuarit atje. Kjo fushatë do të vazhdojë dhe në ditët e ardhshme, për të mbledhur sa më shumë fonde.
Sarandë, 238 qytetarë dhurojnë gjak
Të paktën 238 qytetarë nga Saranda dhe zonat përreth saj kanë dhuruar gjak për të plagosurit nga shpërthimi i ndodhur mesditën e dy ditëve më parë në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës, rreth 20 km larg Tiranës. Nga dita e djeshme, mjekët specialistë dhe infermierët e spitalit “Petro Marko” në Sarandë janë vënë në dispozicion të dhuruesve vullnetarë të gjakut. Shefi i Shërbimit Spitalor, Ardian Zhuli, tha të hënën për ATSH-në, se "pjesa më e madhe e dhuruesve të gjakut kanë qenë të rinj. Mes tyre ka qenë dhe kryetari i Bashkisë, Edmond Gjoka, anëtarët e këshillit bashkiak të Sarandës dhe administrata e Bashkisë".
18 Mars 2008