E Diel, 1 Nëntor 2026

Efekti diplomatik i kufirit Kosovë-Mali i Zi

KOSOVE - Qeveritë e Kosovës dhe të Malit të Zi kanë vendosur që brenda vitit 2010, ose në fi llim të vitit 2011, të mbyllin çështjen e vijëzimit të kufirit mes dy vendeve. Kjo marrëveshje u arrit në takimin që ministrat e Brendshëm të të dy vendeve, Bajram Rexhepi dhe Ivan Brajeviç, arritën në bisedimet që zhvilluan në Podgoricë muajin e kaluar.
Marrëveshja e dy qeverive është e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe dhe për marrëdhëniet rajonale, për disa arsye.
Në radhë të parë, ajo shpreh konsolidimin e mëtejshëm të autoritetit, sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Kosovës dhe të njohjes e të sanksionimit ndërkombëtar të kufijve të saj shtetërorë. Mali i Zi është njëri nga shtatë shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia, dhe njohja diplomatike dhe e kufijve të Kosovës nga ana e tij ka qenë dhe është e rëndësishme, sepse njohja prej shteteve që kanë qenë pjesë e federatës jugosllave ka peshë më të madhe politike dhe diplomatike ndërkombëtare, sepse zhvleftëson më shumë pretendimet e Serbisë në arenën ndërkombëtare për Kosovën.
Tani nga procesi i njohjes së shtetit dhe i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, kalohet në procesin e demarkimit të kufirit shtetëror mes dy shteteve, gjë që është një etapë më e avancuar në marrëdhëniet mes dy vendeve. Sepse në Ballkan, jo gjithmonë njohja diplomatike është shoqëruar edhe me njohje zyrtare të kufijve, madje kemi raste kur edhe shtete që kanë afro 80 vjet marrëdhënie diplomatike, ende nuk kanë njohur zyrtarisht kufirin me shtetin fqinj.
Në rastin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi ka rëndësi se pranohet si parim themelor veprues dhe me efekt juridik, parimi i sanksionuar në planin e njohur Ahtisaari, i cili përcakton se kufijtë e shtetit të Kosovës me fqinjët e vet do të jenë kufijtë administrativë që ka pasur Kosova deri më 31 dhjetor 1988. Pra sanksionohet parimi që kufijtë administrativë do të pranohen si kufij shtetërorë mes dy vendeve.
Kjo ka rëndësinë e vet në një plan më të gjerë rajonal. Sepse në bazë të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ish-Jugosllavinë, ndarja e federatës dhe krijimi i shteteve të reja do të bëhet mbi bazën e parimit të njohjes së kufijve ekzistues administrativë të ish-republikave si kufij shtetërorë. Në vendimet e Këshillit të Sigurimit nuk përfshihej edhe Kosova. Por, parimet e atyre vendimeve të KS të OKB-së për ish-Jugosllavinë i sanksionoi në planin e vet për Kosovën ish-presidenti finlandez dhe laureat i çmimit Nobël për Paqe, Marti Ahtisaari, i cili përcaktoi se edhe kufijtë e Kosovës me fqinjët e saj do të vijëzohen mbi bazën e kufijve administrativë që ajo ka pasur dikur në ish-Jugosllavi.
Ky model zgjidhjeje ka pasur efektin e vet pozitiv në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet fqinje, dhe sidomos me ato shtete që ishin dikur pjesë e federatës jugosllave.
është pozitive që qeveritë në Prishtinë dhe në Podgoricë e kanë pranuar dhe deklaruar gatishmërinë e pranimit të këtij parimi të rëndësishëm. është pozitive që qeveritë e të dy shteteve deklarojnë se mes dy shteteve nuk ka probleme kufitare, dhe siç thekson ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, “nuk ka pretendime në asnjë metër të territorit nga cilado anë”.
Natyrisht, si çdo çështje demarkimi kufijsh, edhe kjo nuk paraqitet tërësisht e lehtë, sepse situatat e kufijve trashëgojnë edhe politikat e padrejta nacionale dhe antishqiptare, që janë ndjekur në kohën e Mbretërisë Jugosllave dhe të Federatës Komuniste Jugosllave ndaj popullsisë shqiptare. Disa herë kufijtë administrativë në ish-Jugosllavi u hartuan qëllimisht, duke ndarë territoret dhe pronat e shqiptarëve në mes dhe shqiptarët detyroheshin të paguanin taksa dhe detyrime në dy republika ku ishte ndarë prona e tyre. Kjo situatë ka trashëguar edhe sot pakënaqësinë, ku shumë fshatra të zonës së Deçanit dhe të Pejës kanë pjesë të mëdha të kullotave të tyre në territorin që aktualisht ndodhet në Malin e Zi. Por siç bënë të ditur ministrat e Brendshëm të të dy vendeve, pas takimit të tyre, banorëve do t’u krijohen mundësitë të shfrytëzojnë lirisht kullotat e tyre. Por, problemet teknike të terrenit dhe të pronave individuale nuk u bënë pengesë që të arrihej në marrëveshjen për demarkimin e kufirit shtetëror mes dy vendeve.
Marrëveshja e arritur mes dy qeverive të Kosovës dhe të Malit të Zi për zhvillimin e bisedimeve për demarkimin e kufirit sa më shpejt, ka një rëndësi në planin diplomatik rajonal dhe ndërkombëtar. Ajo zhvleftëson një fushatë të njohur të diplomacisë dhe të shtetit serb për të krijuar në rajon, dhe sidomos në marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj, konflikte dhe tensione kufitare. Në bisedimet që zhvilloi në Mal të Zi gjatë vizitës së tij më 9 korrik, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, insistoi shumë në çështjen e demarkimit të kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës, duke kërkuar që Podgorica të ndërpresë bisedimet me Kosovën për këtë çështje. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, me stilin e tij të njohur diplomatik provokativ deklaroi gjatë një vizite në Budva të Malit të Zi më 15 qershor se “nuk ka kufi mes Malit të Zi dhe Kosovës, por ka kufi mes Malit të Zi dhe Serbisë, dhe Serbia i konsideron bisedimet për kufirin me një palë të tretë si rrezik të integritetit territorial, gjë që nuk do të lejohet”.
Presioni i Serbisë mbi Malin e Zi, siç shihet, ka qenë i fortë, i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë. Serbia synon që procesi i njohjes së Kosovës të bllokohet, të sfumohet dhe të mos sanksionohet më tej me marrëveshje shtetërore kufitare mes Kosovës dhe fqinjëve të saj. Nga ana tjetër, Serbia synon të krijojë dhe të hapë konflikte kufitare mes Kosovës dhe fqinjëve të saj, me pretendimet se ato janë kufij të saj. Këtë u përpoq ajo të bënte edhe me Maqedoninë, me të cilën në shkurt të vitit 2001 arriti të nënshkruajë edhe një marrëveshje për kufirin mes Maqedonisë dhe Kosovës. Por pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, qeveria e Maqedonisë me të drejtë e rishikoi qëndrimin e saj dhe e korrigjoi veprimin e mëparshëm absurd, duke nënshkruar marrëveshjen për kufirin me qeverinë e Prishtinës.
Të njëjtën skemë presioni po përdor Serbia dhe me Malin e Zi për ta penguar demarkimin e kufirit. Duke provokuar artificialisht probleme të pazgjidhura kufitare mes Kosovës dhe fqinjëve të saj, Serbia kërkon të mbështesë argumentet e saj se shteti i ri i Kosovës ka hapur tensione në rajon dhe se ka shkaktuar probleme kufitare. Në të njëjtën kohë, ajo u bën presione shteteve që dolën nga ish–Jugosllavia, që t’i bashkohen më shumë qëndrimeve dhe politikës rajonale të Beogradit. është e kuptueshme se krijimi i tensioneve dhe i konflikteve kufitare jep një tablo jopozitive për vetë rajonin dhe bëhet një pengesë për integrimin e tij euroatlantik. Jo rastësisht, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, duke folur për çështjen e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, aludoi qartë se dikush kërkon të krijojë probleme kufitare, me qëllim që të ngadalësojë integrimin europian të Malit të Zi.
Ndaj marrëveshja e arritur mes dy shteteve për të përfunduar zyrtarisht demarkimin e kufirit mes tyre, në bazë të parimit të shndërrimit të kufirit administrativ në një kufi shtetëror, është një zhvillim pozitiv në marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje. Si i tillë, ai është pozitiv edhe për Shqipërinë, shtet fqinj me Malin e Zi dhe me Kosovën, por edhe për tërë rajonin tonë. çdo zgjidhje e problemeve dhe e çështjeve të pazgjidhura mes shteteve në rajon është një hap sigurie në ecurinë e stabilitetit dhe të bashkëpunimit rajonal.

(G.SH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›