Efekti domino i krizës ekonomike në Greqi “rrezikon” Shqipërinë
Kriza ekonomike në Greqi po shndërrohet në mënyrë të vazhdueshme në krizë financiare, sipas mediave kryesore botërore. Por sa rrezikojnë bankat greke dhe si pasojë edhe qindra mijra shqiptarë që kanë depozitat e tyre në Greqi?
Gjatë ditëve të fundit, Banka Qendrore Evropiane duket se ka vendosur të gjithë përqendrimin e saj për të shpëtuar Greqinë nga falimentimi e si pasojë nga një efekt i pashmangshëm domino në të gjithë eurozonën por edhe më gjerë. Në këtë vorbull zhvillimesh, edhe bankat greke, si Banka Kombëtare e Greqisë dhe Banka e Postës Greke u ndaluan nga shitja në “Goldman Sachs Group”, një nga kompanitë më të mëdha financiare në botë, me arsyetimin se “përfitimet nuk do të arrijnë në nivelin e blerjes në çastin që buxheti i shtetit po vijon tranzicionin”, sipas gazetës prestigjioze amerikane “Wall Street Journal” (E përditshmja e Uoll Stritit).
Gjithashtu Goldman Sachs uli me 30 për qind përllogaritjet e çmimit të aksioneve të bankave të tjera greke, që do të thotë më pak mundësi kreditimi, më shumë pasiguri e më pak besueshmëri për bankat greke.
Në shtetin me më shumë depozita bankare të bashkëqytetarëve tanë, duket se situata po vështirësohet. Gazeta “Financial Times” thekson se “kriza ekonomike në Greqi po jep efektet e saj jo vetëm në mbarë Bashkimin Evropian, por edhe në shtetet e tjera”. Deutchebank është ndër institucionet e para që e ka ndjerë këtë krizë, duke humbur miliona euro nga kriza greke, e duke u detyruar që të tërhiqet nga tregu i bonove të thesarit të Greqisë, sikurse edhe një sërë institucionesh të tjera, duke e futur Greqinë në pararojën edhe të një krize likuiditeti, që do të ndikonte drejtpërdrejtë në bankat e nivelit të dytë në vendin fqinj.
Megjithëse, sistemi bankar në Greqi vijon t’i bëjë ballë krizës së tanishme, pasojat që ajo po sjell mbi bankat greke duket se do të jenë të rënda. Në këtë mesele edhe depozitat e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj mund të hyjnë në pikëpyetjen e madhe të ekonomisë greke.
“FT Deutschland” raportoi dje se Gjermania do të ndihmojë Greqinë, duke sjellë një ringritje të aksioneve të bankave greke dhe sipas analistëve “qartësisht, një zgjidhje do të gjendet për periudhën afatshkurtër”, por ajo çka mund të ndodhë në një periudhë afat-mesme mbetet një mister.
Një tjetër element që prek shqiptarët janë bankat bija në Shqipëri, të cilat kanë si aksionerë kryesor bankat greke. Ndikimi i një krize në bankat mëma ka një sërë variablash se sa dhe si do të ndikonte në to. Këshilltari i Bankës Qëndrore Evropiane, z. Arjan Kadareja mendon se “nuk bëhet fjalë për prekje të drejtpërdrejtë edhe në skenarin më të keq, falimentimin e bankave mëma, pasi bankat në Shqipëri, pavarësisht nga aksionerët funksionojnë në bazë të ligjeve dhe tregut vendas, e akoma më shumë politikat e Bankës së Shqipërisë janë mjaftueshëm konservatore për të ndaluar një ndikim të tillë”. Megjithatë, ai pranon se një ndikim i tërthortë; efekt psikologjik mund të ndikojë “por kjo është e dorës së dytë”, sipas tij.
Në çdo rast, situata në Greqi qartësisht do të ndikojë në ekonominë shqiptare. Edhe pse bankat mund të duken të forta aktualisht e që nuk përbëjnë rrezik për ekonominë në Greqi, falimentimi i financave publike të vendit fqinj, do të sjellë efekt domino në ekonominë e eurozonës dhe ekonominë reale të vendit fqinj. Këto pasoja, ndikojnë detyrimisht Shqipërinë, si një vend ndër eksportuesit dhe importuesit kryesorë të Greqisë, por edhe të eurozonës në tërësi.