Efektivet e RENEA-s parandaluan vetevrasjen

Mbrëmjen e së shtunës Forcat RENEA kanë parandaluar vetëvrasjen e një 53 vjeçari në Tiranë. Xhemal Zhuri, kërcënoi se do të hidhej nga një lartësi rreth 84 metra, pasi kishte hipur në vinçin e një pallati në ndërtim pranë Ushtarit të Panjohur në Tiranë. Por çdo gjë ka përfunduar me sukses falë negociatave të dy efektivëve të RENEA-s me 53 vjeçarin, i cili më pas është bindur për të zbritur nga vinçi ku kishte hipur. Arsyet që çuan Xhemal Zhurin në aktin ekstrem kanë qenë kushtet e vështira ekonomike dhe vështirësitë familjare, version ky i konfirmuar nga policia pas marrjes në pyetje të 53 vjeçarit. Me anë të një deklarate për mediat policia sqaroi se “i pyetur për arsyet e kryerjes së këtij veprimi, shtetasi Xhemal Zhuri u shpreh se nuk ka pasur asnjë motiv apo konflikt të veçantë që ta conte në vendimin për tu vetëvrarë”. Po sipas policisë, 53 vjecari, një ish i përndjekur politik gjatë rregjimit komunist, në momentet e para të marrjes në pyetje nuk arrinte të shpjegonte as arsyet e vërteta të veprimit të tij pasi gjëndja e tij psikike nuk paraqitej e mirë. Sipas burimeve pranë policisë babai i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali, vuan nga probleme depresive që e kanë çuar drejt një akti të tillë vetëvrasës. Në një gjendje të rënduar psikologjike, ai ka kërcënuar se do të vriste veten, pasi nuk mund ta përballonte më jetesën e vështirë dhe rritjen e 3 fëmijëve. Xhemal Zhuri aktualisht ndodhet në banesën e tij në gjëndje të mirë shëndetësore.