Moti i keq mbyllen shkollat ne verilindje
Situata në veri të vendit, vijon të mbetet problematike për shkak të motit të keq dhe temperaturave të ulta që mbizotërojnë në vend. Me kritike ajo shfaqet ne Pukë dhe në Bulqizë, ku janë raportuar emergjenca dhe stuhi bore. Në të tërë zonën e verilindjes, Drejtorite Arsimore ka mbyllur me detyrim shkollat. Dhjetra komuna mbeten të bllokuara për shkak të borës, ndërkohë akset kombëtare janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa akset rrugore dytësore mbeten të bllokuara. Akse të bllokuara janë Qafë Mali-Bajram Curri, Qafë Mali-Kukës dhe të gjithë rrugët rurale në rrethin e Pukeës, Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi, Peshkopi-Librazhd, si dhe të gjitha rrugët rurale në Kukës dhe në qarkun e Dibrës, ndërsa i gjithë rrethi i Tropojës është i izoluar dhe komunat nuk komunikojnë me njëra-tjetrën. Në zonën e Bajram-Currit dhe në Qafë Morinë ka pasur gjatë natës rënie të orteqeve të dëborës. Problematike janë akset Morine-Kalimash, Kukës-Krumë, Qafë Mali-Kukës, te cilat kalohen me vështirësi edhe me zinxhirë. E njëjta situatë edhe në Pukë-Fushë Arrëz-Mirditë si dhe në aksin Tiranë-Peshkopi, probleme nga akulli edhe brenda qytetit të Kukësit.